Për avancim dhe ruajtje të sovranitetit shtetëror si dhe integrim të shpejtë evropian..!

Opinione

Për avancim dhe ruajtje të sovranitetit shtetëror si dhe integrim të shpejtë evropian..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 12:35
Rexhep Elezaj

Të nxitur nga sfidat e shumta politike në rajonin e Evropës juglindore, sidomos nga tensionimet e fundit në veri të Kosovës, rreziku i destabilizimit shtetëror në Kosovë dhe Mal të Zi, për shkak tendencave serbo-ruse për ta dominuar këtë rajon, e bëmë këtë nismë për t’i dhënë çështjes në fjalë kontributin e duhur intelektual si dhe për ta favorizuar ndërlidhjen e duhur të këtyre tri shteteve, duke e profilizuar dhe ndihmuar idenë mbështetëse të politikanëve të shquar të Evropës perëndimore.

Nismën në fjalë të këtij delegacioni e kryesoi Dr. Nikollë Shabani, kryetar i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptar në Mërgim (BISHM), sekretari, Rexhep Elezaj, Prof. Dr. Bashkim Selmani dhe Demë Berisha, bashkëpunëtorë nga trevat shqiptare.

Me datën 3 shkurt e takuan krye-opozitarin në Shqipëri, Prof. Dr. Sali Berishën, me 4 shkurt kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe me 5 shkurt presidentin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviq.

Image
Në takim me Prof. Dr. Sali Berishën

Qëndrimi ynë që këtë nismë ta fokusojmë tek këta tre liderë, ishte përcaktimi i tyre i përhershëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Aleancën e Atlantikut-Nato, të cilët nuk kanë lënë hapësirë për asnjë opsion tjetër.

Dr. S. Berisha, i prerë në qëndrimet e tij si përherë, perceptoi në këtë takim shumë tema të cilat përputhën me qëndrimet tona, dhe njëkohësisht afërsinë e tij me dy homolgët tjerë, për të cilët e njoftuam se do t’i takojmë, e të cilëve ua përcolli përshëndetjet e tij personale. Përshpejtimi i procesit të Berlinit si dhe Plani aktual franko-gjerman, u veçuan si angazhime me prioritet për stabilitetin rajonal, derisa vërejtjet e tij për Ballkanin e hapur ishin të drejtuara udhëheqësit serb, A. Vuçiq, që kishte pretekst të qartë antishqiptar dhe anti-malazez, me tendencë të qartë pushtuese përmes të cilit synonte vënien nën kontroll të tregut ekonomik të vendeve të Evropës juglindore. Projekt i cili e kërcënonte maksimalisht sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe Malit të Zi, duke synuar destabilizimin dhe defunksionalizimin e këtyre dy shteteve.

Image
Në takim me kryeministrin Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, në pritjen e tij veçoi rëndësinë e këtij takimi, si moto për t’u njoftuar më afër mbi problematikat e mërgatës shqiptare dhe situatën politike, shqetësuese në Kosove dhe Mal të Zi. Po ashtu, u veçuan mundësitë e gërshetimit për një bashkëpunim nga Evropa perëndimore në fushën e shkencave juridike si dhe në lëmin e shëndetësisë-mjekësisë, projekte këto në të cilat do participojnë Shqipëria dhe Mali i Zi.

Prof. Dr. Bashkim Selmani nga këndi i Institutit të Drejtës Romake në themelim e sipër pranë USHT-së, theksoi mundësinë e mbështetjes profesionale-juridike lidhur me disa lëshime nga marrëveshjet e mëparshme, sidomos rreth uzurpimit nga kisha ortodokse serb të pronave kishtare shqiptare, për të cilën çështje duhet profesionalisht dhe juridikisht të elaborohet projekti për korrigjimin e atyre gabimeve.

Presidenti i Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviq, në një atmosferë miqësore, veçoi si primare nismën tonë, duke u ndërlidhur në retrospektivë situatën e Malit të Zi nga data 30 gusht të vitit 2020 e deri më sot, e cila ka sjellë deri tek hapja e shumë çështjeve shqetësuese të cilat e destabilizojnë situatën në Mal të Zi, si dhe situatën aktuale rreth zgjedhjes të Gjykatës kushtetuese që e pengon dukshëm ecurinë institucionale ne vend. Gjatë bashkëbisedimit u shfaq mendimi se edhe në diasporë vërehen manovra të gabuara në ekonomi dhe shoqëri, të cilat çojnë në zbehjen e disa segmenteve të veçanta në resurset shtetërore.

Për ne ishte inkurajuese se, presidenti M. Gjukanoviq, nuk tërhiqet për asnjë milimetër nga qëndrimet dhe mbrojtja e sovranitetit të shtetit malazez si dhe ruajtja e shtetit nga çdo gjë që mund ta cenojë. Dr. N. Shabani, presidentit i tha se plagët e dy viteve të fundit janë të dukshme, por nuk janë të thella, kështu që si formë vendimtare duhet ruajtur sovraniteti i shtetit malazez si dhe liria e popujve të cilët jetojnë në aty.

Nisma jonë në fjalë, e nxitur nga përplasjet politike shqiptaro-shqiptare në Shqipëri, vazhdimi kërcënues i politikës serbo-ruse ndaj sovranitetit të Kosovës dhe Malit të Zi, rreziku nga shpërthimi i konfliktit të ri në rajonin e Ballkanit perëndimorë, bëri që ne të kyçemi sikur gjatë viteve të 90-ta dhe më pas, që t’ia japim përkrahjen tonë rrjedhave evro-atlantike, me qëllim të daljes zot atdheut sa herë që ka nevojë, duke e vënë në lëvizje fuqinë tonë lobuese në qarqet politike në Evropën perëndimore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat