Politika serbe ështe tashmë e njohur për aftësinë e gënjeshtrave në të katër anët. Ky aktivitet 'artistik' serb nuk është edhe i pasuksesshëm. Madje mund të thuhet se planifikohet mjaft mirë dhe strategjikisht po futet në pazarin nebuloz (të paformë) të Perëndimit. Si rezultat i këtij aktiviteti, Serbia sot ngrohet mirë nën gëzofin rus, ndërsa ka arritur që duart t'i fusë thellë në xhepat e vendeve perëndimore.
Ky pozicion i Serbisë, përveç nga kryeministri shqiptar, mbështetet edhe nga disa vende, të cilat nuk mund të shquhen për një taban të mirëfilltë demokratik. Këtu mund të renditen edhe pesë vendet e BE-së që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, dy prej të cilave kanë pasur fatin të ofrojnë dy kryenegociatorët për dialogun Kosovë-Serbi! Këto pesë vende, tërthorazi, mund të dalin mbështetëse të Rusisë, e cila ka një vit që po vret e po shkatërron në Ukrainë me arsyetime krejt qesharake.
Nisma e fundit e BE-së, me planin e ashtuquajtur franko-gjerman, duket se po tregon qasje pak më serioze, e ky fakt përforcohet po ashtu me angazhimin e palës amerikane. Ky seriozitet shihet edhe te sjellja e Vuçiqit, i cili e ka shtuar dozën e vajtimit.
Aq sa është 'serioz' vajtimi i Vuçiqit para ndërkombëtarëve, po aq është 'serioze' brenga e tij për mirëqenien e serbëve në Kosovë. Insistimi i politikës serbe për asociacionin është vetëm një kurth për të vazhduar t'i shkaktohen probleme Kosovës sa herë që do Serbia.
Asociacioni, sipas të gjitha gjasave do t'i imponohet Kosovës, e cila nuk është në pozicion ta refuzojë, por ky asociacion do t'u hapë dyer edhe asociacioneve të tjera, sidomos brenda kufijve të ish-Jugosllavisë. Thuhet 'what's good for the geese, is good for the gander' - ç'është e mirë për patën, është edhe për patokun - shqiptar, hungarez, rumun, bullgar apo çfarëdoqoftë. Ky fakt po anashkalohet tërësisht dhe po bëhen përpjekje me ngulm që përsëri serbët të shndërrohen në specie të mbrojtur në Kosovë.
Enklavat serbe në Kosovë në formë asociacioni, për aq sa nuk i zgjidhin problemet e serbëve në Kosovë, me të njëjtën masë prishin punë për Kosovën si dhe për entitetet e tjera që brenda territorit të tyre kanë etni të ndryshme.
Kam përshtypjen se vaji i Vuçiqit do të shpërblehet, me fjalë të tjera, Perëndimi do të vazhdojë t'ia bëjë qejfin vetës duke pretenduar se po merr masa të duhura për ta nxjerrë Serbinë nga gëzofi rus ('mission impossible' - mision i pamundshëm).
Angazhimi i shtirur i Serbisë në dialog, për ç'gjë nuk mungojnë as lavdërimet e herëpashershme të ndërkombëtarëve, ecin krahas formave të ndryshme të presionit ndaj Kosovës.
Ky vajtuesi para ndërkombëtarëve, i ndërron fytyrat sa herë do. Në një anë vajton, në tjetrën kërcënon Kosovën. Në të njëjtën kohë, është shumë i suksesshëm t'i nxisë sodomos politikanët kosovarë ndaj njëri-tjetrit. Ua hedhë një gurë në mes, dhe këto 'shqiponjat' tona duan t'ia nxjerrin sytë njëra-tjetrës.
Çështjet që ia ka hapur Serbia Kosovës nuk janë çështje të një partie të vetme apo vetëm të qeverisë aktuale. Të gjithë faktorët relevantë politikë në Kosovë duhet të gjejnë mënyrë të mirren vesh midis tyre dhe të kenë qendrime të njëjta. Duhet të angazhohen edhe këshilltarë ndërkombëtarë, të cilët, duke mos qenë pjesë e problemit, mund t'i shohin çështjet më qartë dhe t'i parashikojnë zgjidhjet e mundshme.
Ata që insistojnë në zgjidhje të drejta, duhet të zbresin në tokë dhe të përballen me realitetin.
Përderisa politika serbe, bashkë me kishën ortodokse serbe, vazhdojnë të jenë prodhues të pashtershëm të urrejtjes, sidomos ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe përderisa brenda popullit serb ka konsumatorë të mjaftueshëm të kësaj urrejtjeje, pala kosovare duhet ta ketë të qartë se edhe një konflikt me Serbinë është pothuaj i pashmangshëm, pa marrë parasysh nëse arrihet tani marrëveshje që do t'i kënaqë aleatët ndërkombëtarë të Kosovës ose jo. Prandaj, duke shpresuar dhe punuar që ky konflikt të mos ndodhë asnjëherë, Kosova nuk duhet të flejë gjumë, por duhet me të gjitha mundësitë të jetë e përgatitur për çdo eventualitet.
Politikanët serbë janë mjeshtër për të lënë pas vegëza që do t'i shfrytëzojnë më vonë.
Raportet me aleatët nuk bën të rrezikohen asnjëherë. Ato duhet të ruhen dhe të kultivohen edhe kur ka mospajtime me ta. Në të njëjtën kohë, Serbisë duhet t'i bëhet e qartë se kurrë më nuk do të përballen me një UÇK pa armatim të duhur dhe pa mundësi të një orgazimi të mirëfilltë ushtarak. Duhet t'i bëhet e qartë se nëse vjen deri te konflikti, të cilin Serbia mund ta kurdisë në çdo kohë, apo ta nisë sapo të marrë urdhër nga Rusia, ky konflikt i mundshëm do të ketë tjetër pamje.
Serbia shpëtimin e ka te ndërgjegjësimi i popullit serb, edhe pse kjo gjë tingëllon si 'wishful thinking'. Por, nëse populli serb vazhdon t'u shkojë me verbëri pas politikës serbe dhe udhëzimeve të kishës, asaj do t'i nevojitet edhe një leksion që nuk do të linte probleme zvarrë.
Negociatorët europianë e amerikanë duhet ta kenë parasysh se gëzofi rus është fort i ngrohtë dhe kombinohet shumë mirë me xhepat e Perëndimit.