Sot janë mbushur 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Më 17 shkurt të vitit 2008 dielli i lirisë ua ndriçoi zemrat e përvuajtura shqiptarëve.
17 shkurti përmbushi idealet tona shekullore! Tashmë ishte çdo gjë e kthjellët si loti: Ne do të merrnim frymë lirshëm pas shumë vuajtjesh e sakrificash ndër breza.
Shtigjet për ndërtimin e shtetit tonë të pavarur dhe demokratik do të hapeshin njëherë e përgjithmonë.
Sfidat që na prisnin përpara na dukeshin shumë të lehta në krahasim me atë që kishim përjetuar. Nën qiellin e ri do të na dëgjohej edhe më fuqishëm thirrja për respektimin e të drejtave tona, njëjtë sikur të popujve të tjerë, anë e kënd botës.
Kjo gjë natyrisht se nuk do ta linte të qetë armikun tonë shekullor. Lufta e ndyrë e Serbisë, kësaj radhe “diplomatike” vazhdoi dhe po vazhdon edhe në ditët e sotme. Por, nuk po ia arrin qëllimit.
Kosova po reziston dhe po lufton për të drejtat e saj si shtet i barabartë me shtetet e tjera të botës.
Sikurse para luftës e para shpalljes së pavarësisë, edhe tani nuk jemi vetëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë këtu për ta mbështetur rrugën tonë të drejtë. Se Presidenti historik. Dr. Ibrahim Rugova, nuk e kishte thënë kot që “Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq”.
E ne e kemi vendin më demokratik të botës krah vetës.
Andaj edhe nuk duhet të na trembin qëllimet dashakeqe të Serbisë, e cila ka si përfaqësues pasardhësit e kriminelit Millosheviq.
Mjafton që politikanët në Kosovë, përfshirë këtu pozitën e opozitën të jenë të bashkuar dhe në krah ta kenë Amerikën. Kjo është e vetmja mënyrë për t’i bërë ball proceseve sfiduese të politikave aktuale.
Gëzuar pavarësinë shteti im!