Fjalimi i djeshëm i presidentit rus V. Putinit, një retorikë anti-perëndimore para disfatës politike dhe ushtarake të Rusisë në Ukrainë!

Opinione

Fjalimi i djeshëm i presidentit rus V. Putinit, një retorikë anti-perëndimore para disfatës politike dhe ushtarake të Rusisë në Ukrainë!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 10:12
Rexhep Elezaj

Në fjalimin e tij të djeshëm para 1200 deputetëve të Dumas ruse presidenti i Rusisë iu drejtua popullit rus me një fjalim mjaft të gjatë, i cili po komentohet në mënyra të ndryshme, varësisht se nga cilat pozicione shikohet politika ruse si dhe çështja e agresionit rus në Ukrainë.

Por, cila ishte përmbajtja e fjalimit të tij, çfarë faktesh, risish, akuzash, premtimesh, mesazhesh si dhe çfarë sulmesh bëri dje Putini ndaj Perëndimit në fjalimin e tij të stërzgjatur, më poshtë po sjelli disa pika më kryesore.

Duke folur për shkaqet e ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë para gati një viti, sipas tij, operacionit special ushtarak, Putini tërë fajin për luftën në Ukrainë ua hodhi vendeve perëndimore në krye me Amerikën, të cilat, gjithnjë sipas tij, na qenkan bashkuar në luftën e tyre agresive kundër Rusisë. Përndryshe, siç tha, sikur të mos vendoseshin baza ushtarake në kufij të Rusisë, sikur Perëndimi mos ta përkrahte regjimin nazist në Kiev me armë dhe financa, duke u thirrur rrejshëm në principe morale dhe vlera demokratike, duke e kërcënuar qenien ruse etj., tha se nuk do vinte deri tek konflikti në Ukrainë, prandaj ne ishim të detyruar që ta mbronim veten, ani se kemi tentuar që me mjete paqësore ta zgjidhim çështjen e autonomisë së Dombasit dhe Donjeskut, tentime që nuk dhanë rezultate, ndaj na detyruan të mbrohemi ushtarakisht, tha ndër të tjera V. Putini në fillim të fjalimit të tij.

Ndërsa, ajo që përbënte boshtin e paraqitjes së tij, ishin pa dyshim, kritikat e ashpra drejtuar Perëndimit për degjenerim të moralit, shkatërrimit të familjes, degradimi i vlerave morale dhe gjinore, dukuria e pedofilisë, tentimi i anglezëve për ta ndryshuar librin e shenjtë Biblën, etj., të cilat, siç tha, për popullin dhe kulturën ruse janë të papranueshme, duke lënë të kuptohet, se përveç luftës dhe konkurrencës ushtarake me Perëndimin, regjimi despotik i Moskës në të njëjtën kohë, gjoja në Ukrainë po i mbron edhe vlerat e kulturës dhe moralit të pastër rus..!?

Po ashtu, Putini në fjalimin e tij preku çështje që kanë të bëjnë me shkaqet të cilat e kanë detyruar që të ndërmerr “operacion special ushtarak” në Ukrainë, për gjoja shkakun e rrezikimit të qenies së popullit, gjuhës dhe kulturës ruse në Ukrainë, e cila sipas tij, që nga pavarësia e saj, gusht 1991, është shndërruar në marionetë të botës kapitaliste perëndimore, si kërcënim serioz për Rusinë dhe të ardhmen e saj.

Mirëpo, ajo që u vërejt mjaftë qartë në fund të fjalimit të tij, ishte thirrja drejtuar popullit rus, që të gjithë si një trup të mobilizohen për t’i dalë në ndihmë ushtrisë, veteranëve të luftës, familjeve të ushtarëve të vrarë, prodhimit ushqimor, etj., duke i ftuar po ashtu të gjitha firmat prodhuese dhe organizatat humanitare që ta ndihmojnë luftën për rikthimin e Ukrainës nën federatën ruse, si pararojë për mbrojtjen e Rusisë nga agresioni perëndimor, por edhe nga sulmet që po i bëhen kishës ortodokse ruse, dhe kështu me radhë.

Kjo thirrje e Putinit drejtuar popullit rus, nëse analizohet në detaje, flet katërçipërisht për humbjet e mëdha të cilat regjimi i Putinit i ka pësuar për shkak të agresionit ushtarak në Ukrainë, në ekonomi, financa, por edhe humbjet e mëdha në armatim, duke thënë se Rusia do vazhdon me prodhimin e armëve të reja dhe moderne, madje duke iu ofruar benifite gjithë atyre të cilët do angazhohen maksimalisht për ta ndihmuar ushtrinë dhe shtetin e tyre në luftë kundër djallit perëndimor, siç është marrja e kredive të buta, blerja e banesave me çmime të lira, etj.

Me një fjalë, fjalimi i presidentit rus, V. Putinit, sipas analistëve evropian, nuk kishte asnjë risi ose diç të re për opinionin, siç mund të pritej paralajmërimi për fundin e luftës në Ukrainë, gjë të cilën nuk e ceku fare. Përkundrazi, Putini paralajmëroi vazhdimin e luftës në Ukrainë si dhe kundër Perëndimit deri në fitore të plotë të Rusisë në luftën e saj kundër skenarëve dhe puçeve të kurdisura nga Perëndimi.

Mbase, në vazhdën e kësaj retorike antiperëndimore, menjëherë pas mbarimit të fjalimit të tij, kumtoi vendimin e Moskës zyrtare për pezullimin e marrëveshjes “New Start” (2010) me SHBA-të për kufizim të armatimit atomik, dhe ky ishte kërcënim i tij i drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit, duke lënë të hapur mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore..!?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat