Sot, (e premte 24 shkurt) u bë një vit nga fillimi i luftës dhe agresionit rus ndaj shtetit të Ukrainës.
Shifrat e njerëzve të pafajshëm që u vranë, u masakruan, e u dëbuan nga shtëpitë e tyre, si pasojë e brutalitetit të ushtrisë së tmerrshme të Putinit janë alarmante.
Por, përkundër kësaj, Ukraina nuk u dorëzua asnjëherë, ndërsa edhe sot vazhdon të qëndrojë në mënyrë stoike duke luftuar për të drejtat e popullit të saj.
Me përjashtim të një numri minimal të shteteve, përgjatë këtij viti Ukraina mori përkrahje të pakontestueshme të fuqive të mëdha botërore.
Shteti i presidentit Volydymir Selenskyj u përkrah moralisht në vazhdimësi dhe ç’ është më e rëndësishmja u përkrah financiarisht e me armatim të rëndë nga SHBA, Gjermania, Britania e Madhe e shumë vende të tjera të botës.
Nga kjo situatë mësuam se gjëja më e rëndësishme që i duhet një vendi është mbështetja e pakursyer e miqve ndërkombëtarë.
Gjithë kjo mbështetje ndërkombëtare për Ukrainën kulmoi me vizitën e papritur të Presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikën (SHBA) Joe Biden në Kiev në prag të përvjetorit të agresionit rus.
Presidenti i SHBA-së u takua me presidentin e Ukrainës Volydymir Selenskyj.
Pavarësisht alarmit për sulme nga ajri të dy presidentët shëtitën bashkë nëpër qytet. Presdienti Biden vlerësoi vullnetin e njerëzve për mbrojtje në Ukrainë, që është sulmuar që nga 24 shkurti 2022 prej Rusisë. "Një vit më pas Kievi po reziston. Dhe Ukraina po reziston. Demokracia po reziston", theksoi Biden. Sipas të dhënave të gazetarëve nga SHBA që ndjekin këtë vizitë, Biden, shtoi: "Amerikanët janë me ju, bota është me ju." Selenskyj u shpreh se kjo është "një shenjë ekstremisht e rëndësishme për të gjithë ukrainasit". Ai gjithashtu tha: "Kjo bisedë na sjell ne më afër fitores."
Presidentin Biden nuk pati frikë nga agresioni rus. Në mes të Kievit të pushtuar ai premtoi mbështetje të fuqishme për popullin e Ukrainës.
Ne si Kosovë e dimë më së miri vlerën dhe rëndësinë e përkrahjes nga shtetet e fuqishme të botës.
Pikërisht 24 vite më parë, ne përjetuam terrorin e njëjtë nga ushtria kriminele e Sllobodan Milosheviçit.
Vrasje, masakrime, përdhunime, dëbim nga shtëpitë e çka nuk përjetoi populli i pafajshëm i Kosovës nga serbët pushtues.
E ishin pikërisht ambasadorët dhe emisarët ndërkombëtarë që ia hapën sytë botës e NATO-s për atë që po përjetonte Kosova.
Ishte SHBA ajo që shtyu Kosovën drejt pavarësisë dhe është SHBA ajo që do ta ndihmojë edhe në proceset aktuale politike.
Më shumë se kurrë, kemi nevojë për përkrahje nga Amerika dhe besimi në shtetin më të madh mik të Kosovës duhet të na prijë drejt proceseve sfiduese.
Më shumë se sa për zhvillime të konsumit ditor e politikës me inate, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë nevojë për punësim, mirëqenie e jetë më të dinjitetshme. Këto nuk duhet t’i kërkojnë jashtë vendit, por brenda tek ata që ia besuan votën.
Si përfundim, fakti që Kosova është e pavarur dhe territori i saj i paprekshëm janë të pamohueshme dhe të pranuara ndërkombëtarisht, të tjerat janë “ushqim ditor” i egos së naivëve!