Është për t’u habitur, se si politikanë opozitarë dhe analistë politik në Prishtinë, vazhdojnë të flasin dhe komentojnë rreth Planit 11 pikësh të BE-së (franko-gjerman), duke dhënë, kryesisht vlerësime paushallë dhe të pasakta lidhur me këtë Plan, siç duket të nxitur kryekëput nga egot e tyre karrieriste, ose nga injoranca politike, se gjoja ky Plan na qenka i dëmshëm për Kosovën !
Por, mbase edhe adoleshentët politik e kanë kuptuar se Plani i BE-së prej 11 pikave, i publikuar dje në Webfaqen e BE-së pas mbarimit të takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, për Kosovën del të jetë një kompromis i dhimbshëm, por i pranueshëm, kur kihet parasysh fakti se me nënshkrimin eventual të këtij Plani nga ana e presidentit serb, Vuçiq, Serbia “de-facto” e pranon pavarësinë e Kosovës, kuptohet nën presionin e madh euro-amerikan, përndryshe ajo kurrë nuk do ta nënshkruante një Plan të tillë, por të cilin pritet që ta bën në muajt e ardhëm.
Në kontekst të kësaj që shkruam më lartë, ja se ç’shkruan në Nenin 2 të këtij Plani:
“Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet të vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht ato për barazinë sovrane te të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mos-diskriminim”, ku në mënyrë të qartë thuhet se palët duhet ta respektojnë barazinë sovrane dhe pavarësinë e të gjitha shteteve, integritetin territorial si dhe të drejtën për vetëvendosje. Pra, është ky një pranim real i faktit, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur.
Shtrohet pyetja, a më mirë është për Kosovën që ta pranon këtë Plan me të cilin shteti më armik i shqiptarëve, siç ka qenë dhe vazhdon të jetë Serbia fashiste e pranon de-facto pavarësinë e Kosovës, apo të vazhdohet edhe për 20 vite tjera që Kosova të mbahet peng e politikës gllabëruese dhe hegjemoniste të Serbisë, siç ka ndodhur qe 24 vite, e cila e ka shantazhuar dhe kërcënuar Kosovën me lloj-lloj provokimesh, me qëllim të vetëm për ta mbajtur Kosovën sa më gjatë nën diktatin e saj kriminal, herë përmes Listës Serbe, herë përmes barrikadave në veri, krimit të organizuar si dhe bandave kriminale, duke e paralizuar në masë të madhe funksionimin normal të shtetit të Kosovës në veri, dhe jo vetëm. Në asnjë çast nuk duhet harruar as veprimet tinëzare antishqiptare të kishave ortodokse serbe në Kosovë, të cilat e kanë okupuar një përqindje të madhe të territorit të Kosovës, duke shërbyer si qendra të propagandës antishqiptare..!?
Prandaj, del se pranimi i Pikës 7 dhe 10 i këtij Plani nga ana e Kosovës, është një kompromis i dhimbshëm, por i pranueshëm, siç është formimi i AKS, natyrisht pa kompetenca ekzekutive, por si implementim i marrëveshjes së nënshkruar me 2015 në Bruksel, pra një obligim i marrë nga qeveria Thaçi-Mustafa.
Por nuk duhet harruar faktin, se formimi i këtij asociacioni pas nënshkrimit të këtij Plani nga pala serbe, dmth. nga A. Vuçiqi, nuk do të ketë më asnjë peshë politike, dhe as që mund të jetë më mjet shantazhues brenda shtetit të Kosovës, ngase kur një marrëveshje nënshkruhet mes dy shteteve, ajo automatikisht merr karakter obligues dhe garanca ndërkombëtare. Prandaj, këtu qëndron arsyeja, se pse presidenti serb nuk e nënshkroi dje këtë Plan në Bruksel, meqë e dinte mirë se me nënshkrimin e këtij Plani, për Serbinë do merrte fund njëherë e mirë konflikti i ngrirë me Kosovën, për vazhdimin e të cilit Serbia do ndërmarrë çdo gjë që të blejë sa më gjatë kohë në pritje të epilogut të luftës në Ukrainë. Por edhe për qëllime të saja hegjemoniste që sa më shumë ta mbajë peng dhe pengojë shtet-ndërtimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur..!?
Mjerisht, nga ku qëndrim djallëzor dhe antishqiptar, regjimi fashist i Beogradit në krye me A. Vuçiqin, por edhe përqindja më e madhe e serbëve në Serbi dhe Kosovë, po sikur të kanë mundësi, kurrë nuk do heqin dorë nga ky qëndrim bizarë, derisa, gjithnjë sipas tyre, ta realizojnë ëndrrën e tyre mitologjike për Kosovën si pjesë të Serbisë..!?