Kuvendi i Lezhës,simbol i besës dhe bashkimit arbëror

Opinione

Kuvendi i Lezhës,simbol i besës dhe bashkimit arbëror

Nga: Gjon Keka Më: 1 mars 2023 Në ora: 14:22
Gjon Keka

Historia e epokës së kryeheroit tonë arbëror Gjergj Kastriotit është e mbushur me frymën e lirisë dhe të fitoreve,pastaj të dritës së urtësisë ,vizionit,strategjisë, udhëheqjes dhe bashkimit.Ai jo vetëm u bë figurë madhështore historike që drejtonte një shtet e ushtri ,por edhe figurë universale ,përbashkuese dhe mbi të gjitha figurë europiane më me ndikim në kohën në të cilën jetoi dhe veproi.

Kështu ,duke ditur se ai si i vogël u morë peng nga sulltani dhe u edukua në oborrin e tij,ai në zemrën e mendjen e tij e gjakun atëror nuk e kishte harruar atdheun e tij prej nga ai u morë peng pa dëshirën e tij dhe të prindërve të tij. Një mosharresë e atdheut sikur e shohim tek Gjergj Kastrioti ,është diçka e rralllë në historinë e njerëzimit,mos ta them një rast ndoshta homerik i tij dhe vetëdijes së brendshme të tij të lartë e ndjenjës për atdheun e tij të paharruar duke e ruajtur imazhin e atdheut arbëror në zemrën e tij të vogël.

Por që edhe pse i rrethuar nga armiqtë ne oborrin e sulltanit, ai imazh i ruajtur u bë imazh i cili do të bëhej realitet në zemrën e tij të madhe ,e cila i thoshte të rikthehet në atdhe dhe ta mbushë atë me frymën e lirisë dhe të lavdisë.Rikthimi i lavdishëm i tij në atdhe dihet dhe është përshkruar me rastin e përvejtorëve të 28 nëntorit 1443 ,datë të cilën ai e shenjtëroj dhe e vulosi përgjithmonë në historinë e kombit tonë arbëror europian.

Sikur mësojmë nga kronikat ,sulltani pas vdekjes së babait të Gjergj Kastriotit ,nuk ia kishte lënë pasardhësve të tij të drejtën që i takonte natyrshëm, por në vend të tij ai e kishte emërua guvernator Hasan Begun. Kjo e përforcojë në zemrën e Gjergjit të Madh se vetëm rikthimi i tij mund ta vendos në vend të drejtën e tij dhe të Arbërisë ,e mbi të gjitha vetëm rikthimi i tij ia rikthen vendit nderin, fytyrën dhe frymën e munguar të lirisë dhe të pavarësisë.

Ndërkaq,Gjergj Kastrioti dërgoi Korrierët e tij në të gjitha anët e vendit me lajmet për atë që kishte ndodhur dhe me urdhër që të merrnin armët pa vonesë. Ndërkohë zëri tashmë kishte dalë përpara lajmëtarëve të tij; kudo që shkonin ata gjetën tashmë gjithçka në gatishmëri të plotë për të bërë vendin e tyre të lirë e të pavarur; kështu të gjithë armiqtë pushtues dhe renegatët u sulmuan nga të gjitha anët dhe u dëbuan nga Arbëria.

Poashtu në fjalimin e rikthimit të tij shihet se malli për atdhe e kishte marrë aq shumë Gjergj Kastriotin,prandaj edhe rikthimi i tij ishte i bekuar dhe me një gëzim të madhë të zemrës së tij dhe arbërorëve që e përjetuan aktin e ngritjes së flamurit arbëror dhe të shpalljesë së Arbërisë të lirë e të pavarur.

Ky ishte akti i parë misionar i lavdisë së tij ,rikthimi në atdhe dhe ngjallja e frymës së lirisë dhe ngritjes së vendit në nderin e natyrshëm dhe të pavarësisë.Kjo tanimë ishte vulosur dhe vendi gëzonte imazhin e tij të natyrshëm arbëror;jetonte,udhëhiqej,mbrohej,nga një personalitet i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm sikur ishte Gjergj Kastrioti.

Akti dytë misionar i madhë e i bekuar ishte kuvendi i Lezhës i datës 2 mars të vitit 1444,i cili u mbajtë në Katedralen e Shën Nikollës,ku në të cilin ai i bashkoi arbërorët rreth vetes së tij në një Besë të përbashkët e cila ishte vula e lavdisë dhe fitoreve të kombit tonë. Gjergj Kastrioti ishte një arbëror i urtë e vizionar e dinte mjaftë mirë se i vetëm nuk ishte në gjendje ta përballonte një detyrë të tillë kaq të shenjtë kombëtar e cila kërkonte unitet dhe bashkim forcash, ndaj e mendoi menjëherë të përgatiste një Kuvend të të gjithë princave të Arbërisë dhe me vëzhgues të pranishëm si përfaqësues ndërkombëtar të asaj kohe nga Venediku,Raguza etj.

Në këtë Kuvend u dekretua Besa dhe u themelua Kuvendi pëbashkues ,ku në krye të saj u votua në mënyrë unanime për Gjergj Kastriotin si kryetar i saj dhe si gjeneral i përgjithshëm i Ushtrisë arbërore.Posa përfundoi punën Kuvendi,Gjergji i Madh menjëherë i përvjeli krahët e palodhur të tij ,dhe mendjen plotë dritë e syrin me shikimin e shqiponjës drejtë fitoreve të reja që e prisnin në fushën e betejës së Arbërisë për ekzistencën e saj ,lirinë dhe pavarësinë.

Kështu, tre muaj pas themelimit të Kuvendit më 29 qershor 1444 ai me Ushtrinë e tij i shkaktoi otomanëve pushtues një disfatë të madhe në Torviollë, e cila u kurorëzua me fitore historike, në fakt ky ishte vetëm fillimi në serinë e fitoreve të reja që do të ndodhnin në vitet më pas,kjo fitore e madhe dhe historike i dha atij reputacionin e të pamposhturit dhe jehona e kësaj fitore u dëgjua edhe në tryezat e mbretërve e princave europian.

Sikur dihet në kuvndin e Lezhës u betuan të gjithë princat arbëror në Besë se më shumë duan një vdekje të lavdishme në mbrojte të atdheut, se sa të jetojnë në robëri.Besa e dalë nga Kuvendi i Lezhës luajti rol jetik e të pazëvendësueshëm,dhe u bë simbol e shtyllë e bashkimit politik e ushtarak dhe fuqisë drejt fitoreve e lavdisë në krye me Gjergj Kastriotin.

Edhe sot kur po shkruaj, Kuvendi i Lezhës duhet të jetë gurthemeli i Besës dhe Bashkimit ndërshqiptar duke patur në zemër e mendje udhëheqësin tonë të pavdekshëm Gjergj Kastriotin ,si një shembull për të gjitha kohërat dhe epokat. Ai e vendosi vulën e Besës dhe përbashkësisë,vulë kjo jo vetëm për arbërorët, por me këtë shëmbull ai i ftoi edhe kombet e Europës së asaj kohe se si duhet bashkuar,ku vetëm një Europë e bashkuar mund të jetë e fuqishme dhe t'i mposhtë armiqtë e saj si dhe të arrihen fitoret historike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat