Çka tash?

Opinione

Çka tash?

Nga: Dr. Murteza Osdautaj Më: 2 mars 2023 Në ora: 14:55
Autori Murteza Osdautaj

Këto ditë mbaroi, fatmirësisht, tendosja e madhe në politikën kosovare që kishte të bënte me ‘marrëveshjen’. Askush nga ne nuk u nda i ekzaltuar dhe askush nga ne nuk doli i kënaqur nga ajo që solli teksti I marrëveshjes. Megjithatë, në një formë, ndoshta dekorative,  Kosova arriti që në marrëdhëniet me BE-në dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me Serbinë të konsiderohet ‘e barabartë’. Kjo është pjesa, ta quajmë, dekorative. Pjesa tjetër e marrëveshjes është shumë substanciale dhe prekë në thelb shtetësinë e Kosovës. Përmbajtja e pikave të marrëveshjes fshehin brenda tyre plot djaj që mund ta dreqosin fare sistemin unitar dhe shtetësinë e Kosovës dhe ky fakt kërkon një angazhim kombëtar në mbrojtjen e asaj që kemi ndërtuar deri tash. Në këtë kuadër, mendoj se, pas përfundimit të procesit të nënshkrimit të marrëveshjes, duhet të pushojë përfundimisht lufta ndërpartiake dhe fushatat e luftës politike që zhvillohen edhe nga studiot televizive.

Marrëveshja është, siç ishin të tjerat, edhe kjo, një ‘lak në fyt’ për Kosovën dhe e vë Kosovën në kushtëzime të rëndësishme ndërkombëtare.  P.sh. kushdo që e ka lexuar marrëveshjen dhe kushdo që i ka parë deklarimet palëve ‘lehtësuese’  (ShBA dhe BE) e ka kuptuar se anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës është i kushtëzuar nga kjo marrëveshje. Gjithashtu, ai që ka lexuar mes rrashtash mund ta ketë kuptuar se ‘kërcënimi’ evropian përfshinë edhe ‘sanksionet’ që do t’i vihen Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, në ‘investimet’ evropiane dhe, thuaja, në të gjitha proceset të tjera integruese në të cilat Kosova dëshiron të merr pjesë.

Në këtë përudhë të ndryshimeve të mëdha gjeostrategjike të cilat kanë bërë që disa nga aleancat e ‘përgjithmonshme’ të zbehen apo edhe të bëhen mosekzistente fare, lufta e të gjithë neve duhet të fokusohet në mbrojtjen e shtetit i cili, në këtë fazë që është sot, mund të themi se është në një nga momentet më të vështira të ekzistencës dhe funksionalitetit të tij. Në këtë luftë duhet të angazhohen të gjithë  ata që kanë ekspertizë në të drejtën ndërkombëtare, në marrëdhëniet politike ndërkombëtare, në marrëdhëniet bilaterale mes shteteve dhe, sidomos, në marrëdhëniet e shteteve me bashkësitë fetare, ata që mund të kenë njohuri  dhe ekspertizë specifike në draftimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në saktësimin kuptimor e gjuhësor si dhe dhe në interpretimin e tyre.

Mendoj se kujdesi duhet të fokusohet në:

1. Gjetjen e ekspertëve, vendorë ose ndërkombëtarë, që kanë pervojë, ekspertizë dhe specializime profesionale në interpretimin dhe në aplikimin e konventave evropiane për

a. Të drejtat e njeriut,

b. Të drejtat e minoriteteve dhe

c. Qeverisjen lokale.

2. Gjetjen dhe angazhimin e ekspertëve eminentë që njohin, interpretojnë dhe analizojnë të gjitha konventat, traktatet ndërkombëtare dhe evropiane dhe zgjidhjet politike që kanë bërë shtetet e veçanta dhe të cilat  do të ndihmonin dhe hapnin rrugë për realizmin e pikave të marrëveshjes, gjithmonë në funksion të gjetjes së zgjidhjeve për ‘vet-menaxhimin’ e komunave (apo të serbëve si individë dhe komunitet) që kanë shumicë banorët serbë.

3. Të rishikohet, bazuar në dokumentet evropiane, të OKB-së dhe të zgjidhjeve kushtetuese të vendeve më të zhvilluara dhe demokratike, e drejta e vendeve të rezervuara për minoritetet dhe e drejta e shumicës së dyfishtë që iu është dhënë minoriteteve dhe sidomos pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës. Fokusi duhet të jetë në atë që e drejta për vetmenaxhim ta përjashtojë edhe të drejtën e vetos në Kuvendin e Kosovës apo privilegjet tjera të cilat i kapërcejnë të drejtat e minoriteteve dhe i tejkalojnë konventat ndërkombëtare duke mbërritur në nivelin e shkeljes së të drejtave të njeriut (në këtë rast për joserbët), gjithmonë sipas zgjidhjeve më të mira evropiane.

4. Që marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe të ketë zgjidhje që nuk do ta prekte autonominë fetare dhe aspektet e sigurisë së përgjithshme që duhet ta ketë kjo bashkësi por që nuk do t’i prekte elementet e shtetësisë së Kosovës dhe të pronësisë shtetërore mbi trashëgiminë kulturore të kishave dhe manastireve.

a. Në këtë mes duhet të kihet parasysh që trashëgimia materiale që sot konsiderohet ‘serbe’ të trajtohet historikisht. P.sh. nuk duhet të mohohet pronësia shpirtërore por dhe historike e shqiptarëve mbi, sidomos, Manastirin e Graçanicës, atë të Deçanit dhe Patrikanën e Pejës. (kur dihet se i pari eshët ndërtuar në kohën e Bizantit (pra kur nuk ekzistonte entiteti mesjetar shtetëror serb) dhe, të dytat, në kohën e shtetit mesjetar i cili, sipas dokumenteve historike, ishte shtet i serbëve,  i shqiptarëve (arabanasëve) dhe i bullgarëve).

b. Marrëveshja të përfshijë heqjen e të gjitha zgjidhjeve të deritashme që ndikojnë në shkeljen e të drejtave të njeriut sipas konventës evropiane për të drejta e njeriut, (p.sh. një zgjidhje, për t’i larguar dilemat, mund ishte një aktgjykim i gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në lidhje me zgjidhjet e deritashme dhe për zgjidhjet e ardhshme që ka bërë shteti ynë ndaj kishës ortodokse serbe.) Zonat e mbrojtura duhet të kenë një kujdes të posaçëm sidomos në aspektin e shkeljes së të të drejtave të njeriut në lidhje me shfrytëzimin e lirë të pronave private dhe lëvizjen e lirë që iu është mohuar popullsisë dhe pronarëve privatë të tokave dhe pasurive të tjera ç’prej se ‘zonat e mbrojtura’ u bënë pjesë e marrëveshjeve të mëhershme të dëmshme. Po kështu duhet pasur kujdes që institucionet fetare të mos kenë ‘forcën’ që të ndikojnë apo ta pengojnë zhvillimin urbanistik, turistik dhe ekonomik të qyteteve dhe rajoneve ku gjinden ato sikur është rasti i Deçanit.

c. Në asnjë mënyrë mos të lejohet që objektet e kishës ortodokse serbe të marrin statusin ‘exterritorial’ dhe, në asnjë mënyrë, mos të lejohet që, në emër të sigurisë të këtyre objekteve, të lejohet prania e çfarëdo lloji të sigurisë nga Serbia. Kjo nënkupton garanci të sigurta dhe të gjithanshme që duhet të ofrojë shteti jonë për sigurinë fizike të këtyre objekteve të kultit.

Ky është një moment kyç për Kosovën. Është kyç dhe i rëndësishëm ngase, siç mund ta vërejë gjithsecili nga ne, aleanca me BE-në dhe me ShBA-në është dobësuar në mënyrë të vërejtshme dhe të rrezikshme. Lufta në Ukrainë, rreziku i përhapjes së konfliktit edhe në rajone të tjera, e sidomos në Ballkanin perëndimor, e ka larguar Kosovën nga orbita e aleancave me BE-në dhe SHBA-në dhe e ka vënë Serbinë në qendër të interesimeve të tyre. Qasja agresive dhe ultimative e aleteve tanë, presioni i madh që i bëhet Kosovës, sidomos nga SHBA-të, moskujdesi dhe përçmimi, deri në racizëm, i BE-së ndaj shtetit të Kosovës që u manifestua këto vite, më së miri, sidomos me procesin e heqjes së vizave duke na lënë të getoizuar sikur të ishim alienë nga ndonjë planet i largët, mos interesimi për të bërë investime, njësoj si në vendet tjera (p.sh., menjëherë pas marrëveshjes, BE-ja ia akordon Serbisë një ‘dhuratë’ prej disa qindra miliona eurosh), duhet të jenë indikatorë se qasja jonë ndaj shtetit duhet të bëhet gjithëpërfshirëse dhe e detyrueshme për secilin që mundet dhe, sidomos, për ata që kanë përgjegjësi për të kaluarën dhe për të ardhmen. Ndalja e çdo lufte të brendshme politike do t’i ndihmojë Kosovës të dalë nga kjo vorbull dhe do të mundësojë që të tregojmë se sa jemi në gjendje ta ruajmë funksionalitetin e vendit dhe të shtetësisë së Kosovës.

Duhet ta kemi parasysh se, bazuar nga ngjarjet dhe proceset gjeopolitike, shumë lehtë, mund të na ndodhë sikur Qipros (pjesës turke) e cila, kur po flitej për anëtarësimin e këtij vendi në BE, edhe pse e pranoi propozimin e BE-së, prap se prap, për shkaqe të qëndrimeve joparimore të BE-së dhe qëndrimeve mos-pranuese të grekëve qipriotë, mbeti jashtë proceseve integruese evropiane duke u shndërruar, prej atëherë, në një konflikt të ngrirë dhe në një geto të izoluar.

Duhet ta dimë se momenti i tashëm është shumë kyç dhe shumë i rrezikshëm. Ky moment ka vlerë historike, politike dhe e përcakton të ardhmen tonë, ndoshta, për disa dekada. Angazhimi i të gjithë neve për ta mbrojtur shtetin duke qene pjesë e krejt procesit të realizimit të marrëveshjes, është e rëndësisë së njëjtë sikur angazhimi ynë në luftën çlirimtare në vitet 1998-99.

Kësaj radhe lufta zhvillohet me dije, me njohje, me ekspertizë dhe duke i përdorur të gjitha mekanizmat e lirisë që Evropa ka ndërtuar për afro 80 vjet. 

Pa dashur të paragjykoj nëse është e vërtetë se bashkësia e komunave me shumicë serbe ka qenë propozim i politikanëve tanë (nëse ka qenë kështu, ky akt është tradhti e pastër kombëtare) për t’i shuar institucionet ilegale të Serbisë në veri, ne jemi në situatën që lakun në fyt që na lanë paraardhësit tanë politikë, ta zgjidhim njëherë e mirë.

Kjo është lufta tash jonë kësaj radhe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat