Në Evropë dominojnë temat mbi klimën, derivatet e naftës pas sulmit rus mbi Ukrainën, inflacioni, rënia e standardit dhe grevat për rritjen e të ardhurave.
Në Kosovë ishte aktuale pranimi i marrëveshjes franko – gjermane nga Kurti dhe refuzimi i firmosjes së saj nga Vuçiqi.
Në Shqipëri pritej me interesim interpelanca parlamentare për aferën e kryeministrit Rama me McGonegal, i cili si gjithherë shqiptarëve u shiti dushk për gogla.
Tash u harrua kryeministri. U harrua McGonegal. U harrua Rilindja. U harrua korrupsioni. U harrua krimi i organizuar. U harruan plantacionet e drogës. U harruan bandat e krimit. U harrua shpopullimi. U harrua varfëria. U harrua bashkimi kombëtar. U harrua Dardania. U harrua Lugina. U harrua Kurbani. U harrua Maqedonia. U harrua Sanxhaku. U harrua Çamëria. U harrua Zara. U harrua Plava e Gucia. U harrua Kalabria. U harruan shqiptarët e Turqisë. U harrua Diaspora etj.
Sot temë numër një në vend është vula. Kjo vulë e vendos fatin e opozitës. E vendos fatin e të gjitha vendeve të cilat u përmendën më lartë. Kjo vulë është alfa dhe omega, shpirti dhe e ardhmja e Shqipërisë.
Për këtë vulë kishte filluar revolucioni. Për këtë vulë ishte pushtuar kështjella e PD. Për këtë vulë revolucioni kishte marr krah dhe po përgatitet ta pushtoi kështjellën e Ramës. Kjo vulë pritet t´i vendosë fatet e Shqipërisë. Kjo vulë pritet që Shqipërinë ta inkuadroi në EU. Kjo vulë pritet që shqiptarëve tua kthej shpresën e krenarinë.
Sot, nesër, pasnesër dhe pas çdo të nesërme tjetër, do të bisedohet vetëm për këtë vulë.
Shqiptarët nuk mund ta paramendojnë që ajo mos t´i dorëzohet pronarit të saj.
Shqiptarët nuk mund të pajtohen që doktori mos të vulos të ardhmen e Shqipërisë me atë vulë.
Një vulë të tillë e kishte pasur vetëm Gjergj Kastrioti, Aleksandri i Madh, Mbreti Konstandin, Zogu Leka, Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Nëna Terezë, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Ismail Qemali, Abdyl Frashëri, Azem e Shote Galica, Ukshin Hoti etj.
Tash shtrohet pyetja në dorë të kujt do të mbetet kjo vulë e kombit. Kush është ky Alibeaj. A din ta përdor ai këtë vulë. A ia din rëndësinë dhe a din ta çmoi si duhet. Pastaj a do të pajtohen ndërkombëtarët, që kjo vulë t´i besohet atij.
Rëndësinë dhe vlerën e saj më së miri e njihte doktori, sepse me te kishte vulosur vitin 1997. Pastaj periudha e firmave piramidale ishte vulosur po nga kjo vulë e doktorit. Me këtë vulë e kishte vulosur pranimin e Shqipërisë në NATO po edhe pranimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike.
Si të pajtohen shqiptarët që tash e tutje ajo vulë të bie në një dorë të panjohur.
A i mendon dikush pasojat që mund të lindin, nëse kjo vulë nuk i kthehet sërish doktorit.
Kjo temë do të dominoi tash e tutje në trojet shqiptare. Ndoshta do të ishte më së miri që të organizohet referendum, se kujt t´i takoi vula, përndryshe shqiptarët nuk do të gjejmë qetësi.
Mars – Rover (Satirë)