Si duket dhe si është marrëveshja e (pa) pranuar në Ohër!

Opinione

Si duket dhe si është marrëveshja e (pa) pranuar në Ohër!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 20 mars 2023 Në ora: 11:47
Ohër, 18 mars 2023.

Dymbëdhjetë orë bisedime. Gjysma prej tyre dyshe, Serbi-BE dhe Kosovë-BE. Gjysma tjetër e kohës bisedime në grup ose treshe, me një tutor (Escobar) nga mbrapa! Thonë se Albin Kurti ishte në avantazh, ishte më aktivi, më argumentuesi, më i “afti” në ato bisedime. Por njerëzia nuk e panë, nuk e dinë tamam të vërtetën. Nëse ka ndodh kjo, atëherë duhet besuar se vjen nga fakti se Kurti e pranoi marrëveshjen e imponuar nga euro-amerikanët, ndërkohë që rivali i tij nga Serbia e kundërshtoi atë.

Pra, presidenti i Serbisë nuk e pranoi atë. Jo se nuk e nënshkroi. Kjo është njëra anë, është ana e dukshme e mospranimit. Por se ai edhe nëse do ta nënshkruante, nuk do ta pranonte këtë marrëveshje. Vuçiç nuk e pranoi marrëveshjen gjoja se nuk do që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. E quan këtë vijë e kuqe në qëndrimet e tij. Por në fakt ai e di se pranimi i Kosovë snë OKB nuk varet nga firma e Vuçiç Varet nga firma e Vladimir Putin dhe e Xi Jinping. Në këtë kuptim duhet qëmtuar fakti se Viçiç po tallet. Parasëgjithash me Bashkimin Europian. Ndërsa amerikanëve u ka thënë se “Nuk kam gjë me ju, ju jeni miqtë tanë. Por janë këta europianët që ma kanë sjellë në majë të hundës”! Në fakt ai nuk e pranon se pranimi i marrëveshjes shkon kundër interesave të Rusisë. Ndaj dhe mund ta quajmë një marrëveshje në favor të Serbisë e në dizfavor të Rusisë. Prandaj Vuçiç nuk e nënshkroi atë. Kishte frikë nga Kremlini!

Ping pongu vazhdon. Në avamtazh me pikë është Beogradi. Prishtina, edhe pse ka rritur numrin e pikëve, është në dizavantash. Edhe për faktin se arbirtri tashmë nuk është me Kosovën. Është me Beogradin. I duhet ta tërheqë Serbinë nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s. Ndaj dhe presidenti Vuçiç, duke e ditur këtë, bën xhonglerin. Thotë se vjen në drejtim të perendimit e në fakt shkon ende drejt lindjes. Drejt Moskës e Rusisë e çojnë erërat e forta dhe stuhitë e aleancës së përhershme midis dy shteteve. Megjithatë SHBA dhe BE nuk duan që në Europë të ketë një Siri, një Iran apo një Bjellorusi tjetër. Sepse kjo është e rrezikshme.

Aleksandër Vuçiç bën sikur është i dashuruar me këtë joshje me donacione, konferenca donatorësh, integrime europiane etj. Ndërkohë kalin e ka lidhur në grazhdin e Rusisë. Edhe është me Perendimin, edhe është me Rusinë. Edhe e dënon luftën në Ukrainë, edhe flet për sovranitetin e Serbisë në Kosovë. Edhe voton kundër Rusisë, edhe refuzon t’i vendosë sanksione asaj. Një bythë në dy karrige. Klasike është kjo. Dhe nuk ka si ai të bëjë ndryshe, edhe pse Christopher Hill dëshiron ta shpërblejë Serbinë me asosacion e territore të Kosovës! Vuçiç nuk e nënshkroi marrëveshjen, edhe pse i bënë presion të dy palët, Brukseli dhe Uashingtoni. Presion! Aq sa mund të quhet presion. Se në fakt ata vazhdojnë ta ledhatojnë e t’i thonë “Mos bën kështu, na dhe një lugë tjetër, haje dhe këtë”! E ushqejnë Vuçiçin perendimorët si nëna beben!

Dhe ne kujtojmë se në këtë dialog të Ohrit fitoi Kosova! Asgjë Kosova nuk fitoi. Por ama as nuk humbi në raport me atë që kishte humbur. Kosova është aty jo për faj të Albin Kurtit. Por Albin Kurti është aty ku është, për ta rikthyer plotësisht në pozicionin e një zgjidhjeje të drejtë. Është heret të flasim se çfarë epilogu do të ketë zbatimi i marrëveshjes. Nuk mund ta dimë se si do jetë ai “vetëmenaxhimi” i famshëm. Teorikisht për mua vetëmenaxhimi është koncept i funksionimit të disa strukturave në zbatim të kushtetutës dhe ligjit, sepse nuk ka të bëje me vetëqeverisjen, e cila do të ishte kompetente të bënte ligje e të lunate funksione ekzekutive. Por duhet parë në praktikë se si do të konceptohet e si do të funksionojë kjo lloj autonomie për serbët.

Praktika është ajo që do na bindë se për çfarë bëhet fjalë. Aty do t’i shohim edhe aftësitë dhe zotësinë e Albin Kurtit. Eshtë herët të thuhet nëse Kosova fiton apo humbet me politikat e zotit Kurti. Për mua ai ka bërë një hap para në sensin pozitiv. Gjithnjë krahasuar me paraardhësit e tij, sidomos ish-presidentin Thaçi. Gjithçka sillet rreth asaj që quhet autonomi e serbëve në Kosovë. Nëse me autonominë e vetëmanixhimit të çeshtjeve arsimore e kulturore serbët integrohen në jetën politike e institucionale të Kosovës, atëherë do të kishim një sukses. Nëse kjo lloj autonomie e forcon pozitën e Serbisë në Kosovë, atëherë do të kemi një Kalë Troje brenda Kosovës dhe do të shkohet drejt ndarjes së saj. Këtë llogari duhet ta bëjë politika. Jo vetëm Albin Kurti, por edhe opozita.

Në Ohër është hapur Kutia e Pandorës, nuk është mbyllur ajo. Të jesh optimist euforik është e gabueshme. Të jesh dyshues dhe skeptik është më mirë sesa të jesh euforik. Të jesh realist është akoma më mirë sesa të dyja të parat!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat