Në këmbë ishin ngritur SHBA, EU, NATO, Borrell, Lajqak, Rama, këshilltari i Ramës Baton Haxhiu, si dhe i tërë perëndimi. Kërkojmë marrëveshje Kosovë – Serbi, thanë.
Kurtin dhe Vuçiqin i kishin sjellur para aktit të kryer: marrëveshje ose konsekuenca. Si duket konsekuencat ishin të fuqishme, përndryshe armiqtë kryesor të Ballkanit, për pak gjë, nuk do të arrinin ti përafronin qëndrimet e tyre.
Vuçiqit si duket i ishin kërcënuar me Gjykatën e Hagës duke ia cekur krimet e luftës kundër njerëzimit, kurse Kurtit i ishin kërcënuar me kthimin e Kosovës nën sundimin e Serbisë.
Të dy popujt, shqiptarët dhe serbët ishin befasuar se si udhëheqësit e tyre, pa një rezistencë të fuqishme dhe pa luftë, u pajtuan që ta pranonin marrëveshjen e propozuar.
Që të dy popujt po ashtu deklaruan se udhëheqësit e tyre i ishin nënshtruar një presionit të paparë, përndryshe nuk do të pajtoheshin për kurrfarë marrëveshje, ashtu siç nuk ishin pajtuar për 20 vite të tëra.
Është e njohur se Rama e Vuçiqi me disa taktizime ishin munduar që ti bindnin Kosovarët me Ballkanin e Hapur, po Ramës nuk i besonte dhe nuk e merrte askush seriozisht, duke e quajtur edhe tradhtar të popullit.
Ndodhi si ndodhi, Kurti dhe Vuçiq ishin ftuan në Ohër që ta diskutonin përfundimisht marrëveshjen dhe ishte paraparë edhe ceremonia e nënshkrimit dhe ngritja e dollive.
Pas një bisede maratonike e cila zgjati më tepër se 13 orë organizatorët Borell dhe Lajçak, dolën me deklaratë të përgjithshme: Kurti dhe Vuçiq e pranuan dhe u pajtuan për marrëveshjen.
Çështja është se do të bisedohen vetëm anët formale, afatet dhe zbatimi i përgjithshëm i saj.
Kurti ishte i gatshëm që ta firmoste marrëveshjen, po meqë Vuçiq kishte dhimbje në dorën e djathtë, marrëveshja nuk u firmos nga asnjëra palë.
Gazetarët shpërthyen me pyetje: si është e mundur të quhet i vlefshëm një dokument, kur ai nuk është i firmosur nga përfaqësuesit e popullit. Nëse një dokument nuk firmoset, sa do të jetë i vlefshëm dhe obligues etj.
Nga pyetjet e tilla të shumta askush nuk donte ta merrte përgjegjësinë dhe fjalën për arsyetimin ia dhanë vetë Vuçiqit. Ai duke qeshur, u mundua ta arsyetonte veprimin e tij.
Unë e di se ju më gjykoni se unë këtë e bëj qëllimisht duke taktizuar, akuzë të cilën ma mveshni gjithnjë.
Ju më akuzoni, unë e di këtë, gjoja se po pres se si do të zhvillohet dhe si do të përfundoi lufta Rusi - Ukrainë. Ju më gjykoni se jam në kontrollin e Rusisë dhe të Putinit. Ju më gjykoni po ashtu se nëse e firmosi marrëveshjen, e rrezikoi postin tim. Ju më akuzoni se nëse e firmosi marrëveshjen jam një person i vdekur, sikurse Gjingjiqi. Ju më akuzoni se po e firmosa marrëveshjen, opozita do të më akuzoi se e firmosa kapitullimin e Serbisë. Ju më akuzoni se po e firmosa marrëveshjen, po e legjitimoi edhe kantonizimin e Serbisë. Ju më akuzoni se, po e firmosa marrëveshjen, e kam pranuar pavarësinë e Kosovës.
Unë po ju them se nuk qëndrojnë asnjëra nga këto. Unë jam i sëmurë, por jo i çmendur, siç më quajnë disa në Serbi. Për këtë po ju garantoi. Nuk ka dorëzim.
Nëse është dikush fajtor, ai është Kurti, i cili vazhdimisht po e refuzon Asociacionin. Atij drejtohuni, e jo mua./Mars – Rover (Satirë)