Biznesmeni italian Francesko Beketi, me vendim përfundimtar të gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit, do të marrë nga taksapaguesit mjeranë apo "afrikanë" shqiptarë një "dorë para të qelbura", rreth 108- 110 milionë euro. Kjo, për periudhën kohore mbi 78 vjeçare, nuk është as e re, as për t'u çuditur e as për të ulëritur, sa ulërimat të ngjiten deri në majë të maleve e të arrijnë deri në Bruksel, Uashington, Tiranë( SPAK)...! Për tekat dhe vendimet e çmendura të Edi Ramës, për të cilin rreth 110 milionë euro janë si 110 milionë kokrriza rëre në Gjirin e Lalëzit, në komplekset turistike të Sarandës, Himarës, Vlorës, Spillesë, Qerretit, Shengjinit, Velioëpojës..., "populli i majtë" është i gatshëm të paguaj edhe 2 fish, 3 fish, 5 fish... më shumë! Vetëm Edi Rama të mbetet dopiokryetar, si sulltan, perandor, car... dhe të rrijë në pushtet edhe më shumë se Enveri, pa shumica e shqiptarëve mund të hajnë edhe...bar të njomë e të thatë...! Borxhet për trill e kapriçio të Edi Ramës ata do t'i paguajnë deri në euron e fundit, sikur t'i kenë "peshqesh dhe amanet" prej babës e nanës!
Por, me sa kuptohet, kemi kryeministrin zemërpambuk dhe bujar të madh me "armiqtë" dhe miqt ndërkombëtarë, me Beketin dhe McGinigal e tejet zemërgur e të kursyer me qytetarë shqiptarë!!!??? Përpara, për "fitorje" të reja, Edi Rama, se si Enveri dhe si ty, nuk ban të dytë nana! Ama, nuk është "për t'u përjetuar si tragjedi"! Sa të kemi SPAK, nuk duhet të shqetësohemi aspak, sepse ai do të marrë, kur të jetë Edi Rama në botën tjetër, hak!
Ndryshe nga ç'mendonte e priste Edi Rama, nga ca shqiptarë që "nuk e kuptojnë se çfarë ka ngjarë dhe nuk dinë të llogarisin, as me gishtrinj" po bëhet nami në media e rrjete sociale të pablera akoma nga qeveria. Këta "nuk e kuptojnë apo nuk e dinë" se 110 milionët e Becchettit janë si ca "thërime" për thesarin e shtetit!!!??? Qysh nga dje, sapo u përhap në hava lajmi për penalizimin e shtetit shqiptar nga arbitrazhi ndërkombëtar për trill, kapriçio, vendim arbitrar të "mbretit", më falni, domethënë të Edit, po bëhet zhurmë e madhe, sikur ka ngjarë hataja apo, sikur ranë në oqean dy satelitët e Edi Ramës!
Hëni, more shqiptarë të të gjithë ngjyrave politike dhe flamurëve partiakë, sidomos ju "nihilistë dhe mosmirënjohës histerikë" ndaj Edi Ramës, "mos e bëni kaq të madhe, si tragjedi kombëtare"!!! Fundja, nuk janë 110 miliardë euro, por vetëm 110 milionë apo ca thërime për thesarin dhe buxhetin e shtetit! Aq më tepër, që, siç thonë, Shqipëria edramjane ka tunelë me florinj të mbushur nga fundi deri në majë, më shumë se tunelet e Ali Babës me 40 hajdutë! Pastaj, "mos e përjetoni" me kaq shqetësim dhe dramë!!! Edi Rama personalisht dhe familjarisht nuk do të paguaj asnjë cent nga xhepi. Kuptohet, as nga depozitat e veta bankare apo nëpër "dyshekë, jastekë, valixhe, rafte, komodina, sirtare, xhepa kostumesh dhe brekushesh, tavane, tuba ajrimi..."!Të gjitha, deri në euron e fundit, do t'i paguajnë populli dhe mileti nga buxheti...i këtij shteti!
Kaq pak gjë dhe një sakrificë kaq të vockël "ia kanë borxh" të gjithë, të djathtë, të majtë, të pavarur; të gjallë e të vdekur; Edi Ramës? Vetëkuptohet, enveristo- edramistët, oligarkët, ppp- istët, "investitorët strategjikë", patronazhistët... shumë më tepër se të tjerët...!"Në këta afro 10 vjet e ka lulëzuar Shqipërinë me kanabiz, kulla, inceneratorë, zyrtarë, patronazhistë, policë, varre...! Bile, nuk teprohet apo hiperbolizohet nëse thuhet se "e ka bërë Shqipërinë PARAJSË" sa shumica, nga bollëku, velja, obeziteti prej të mirave, këtu as disa orë më shumë nuk duan të rrinë!