Meritë e kujt është liberalizimi i vizave?!

Opinione

Meritë e kujt është liberalizimi i vizave?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 18 prill 2023 Në ora: 18:29
Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Albin Kurti, Isa Mustaa

Ashtu siç edhe pritej, Parlamenti Evropian ka votuar sot pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me shumicë votash, evropianët i kanë dhënë dritën e gjelbër shtetasve të Kosovës, për të udhëtuar në zonën Shengen, kështu që nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza. Realisht, që në vitin 2010 është premtuar për liberalizim të vizave, ndonëse një gjë e tillë ende s`ka ndodhur, por është afër të ndodhë.

Deri tani nga shumë politikanë ishte premtuar liberalizimi i vizave duke e kthyer këtë në çështje votash. Hashimi kishte premtuar që në 2010 për të vazhduar në çdo palë zgjedhje. Ramushi me fudullëkun e tij deklaronte se liberalizimi ka ndodhur, Isa gënjente se shumë shpejt do të ndodhë. E të gjithë këta nuk bënin asgjë për të ndodhur liberalizimi, përkundrazi me kapjen e shtetit dhe nivelin e lartë të korrupsionit e bënin më të vështirë.

Vet presidenti francez Macron, që ishte edhe përfaqësuesi i fundit i shtetit që ishte kundër për shkak të mungesës në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Qeveria aktuale ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, gjë që e konfirmoi edhe ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard, vendi i së cilës udhëheq presidencën e BE. “Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së" theksoi ndër të tjera zonja Stenergard.

Pra, është dashur të luftohet krimi dhe korrupsioni, të krijohet besim te vendet e BE-së për të ndodhur liberalizimi. Natyrisht se ka pasur edhe arsye politike, megjithatë edhe niveli i brendshëm i korrupsionit e ka penguar këtë proces shumë. Andaj, është meritë e qytetarëve të Kosovës dhe e kësaj qeverie, sa për Hashimin, Ramushin dhe Isën, jo vetëm pa viza, por edhe pa atdhe do kishim mbetur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat