Më në fund erdhëm deri te momenti që të flasim për temën e preferuar, politikën. Kuptohet që do të jetë temë e nxehtë, po edhe ne do të dëshmojmë se e përcjellim situatën dhe gjendjen politike aktuale si gjithë të tjerët.
Këto ditë ishim dëshmitarë se kryetari i PD zoti Krasniqi deklaroi se e kishte shitur banesën që ti paguante borxhet. Që mos ti ndodhte kjo ai do të duhej që ta ndiçtë rrugën e babait të tij, të mishërohej me myslimanizmin, për t´i përjetuar vlerat kozmopolite.
Në realitet ne hoxhallarët po ngrihemi. Në media të gjithë me entuziazëm e lexuan lajmin se besimtarët e xhamisë, hoxhës së tyre ia kishin blerë dhe dhuruar mercedesin.
Derisa hoxhës së thjeshtë ia blejnë mercedesin, çka do tu blejnë krerëve të fesë islame, porshe, lamborgjini, ferrari, Land rover, BMW, volvo apo çka jo tjetër. Askush nuk duhet të befasohet, Ne kemi punuar dhe po punojmë për këtë ditë.
Detyrat dhe misionin e kemi kryer me besnikëri. Një duhet të jetë e çartë. Ne nuk kemi punuar sipas urdhrave të Rankoviqit apo Titos. Ne nuk i ftonim shqiptarët që të shpërnguleshin në Turqi. Ne nuk i detyronim e as nuk i nxitnim shqiptarët, që në Maqedoni të regjistroheshin si turq.
Ne po ashtu nuk i nxitnim që mos t´i dërgonin fëmijët në shkollë. Ata me vetiniciativë kërkonin që fëmijët t´i mbanin larg shkollës, që mos të bëheshin shkie.
Ne po ashtu nuk bashkëpunonim me sigurimin shtetëror për ndjekjet dhe dhunën ndaj popullit tonë. Ne nuk e përkrahnim aksionin e armëve, ku shqiptarët terrorizoheshin, burgoseshin dhe vriteshin nga organet shtetërore. Ne ishim neutral dhe i luteshim zotit që të përfundonte kjo zezonë dhe katrahurë sa më parë që ishte e mundur. Ne vuanim së bashku me popullin.
Sot kur ne hoxhallarët jetojmë në liri për të cilën kemi merita të jashtëzakonshme, kërkojmë dhe punojmë për të mirën e këtij populli.
Ne çdo ditë nga ora pesë e mëngjesit çirremi deri në qiell që shqiptarët të zgjohen nga gjumi, t´i luten zotit dhe ta fillojnë ditën e mbarë të punës. Po ashtu në ora 13, çdo xhami dhe çdo pjesëtar i yni e qanë gurmazin deri në qiell që të dëgjohet zëri i zotit.
Sapo e përfundon thirrjen njëri, e fillon tjetri. Kori i tillë zgjat pothuajse një orë derisa të përfundoi thirrja e fundit. Qytetarët na përgëzojnë për këtë.
Të premteve xhamitë i kemi përplot. Mësues, nxënës, student, qytetar, fshatar etj. të gjithë i kemi aty. Kjo s´ka ndodhur kurrë më parë. Populli është vetëdijesuar dhe ne aq sa po mundemi po ndërtojmë xhami, që të ketë vend për të gjithë.
Populli është mrekulluar nga ne dhe po na shpërblejnë edhe me mercedesë, siç ndodhi këto ditë. Më parë kemi qenë të dehur nga shkenca dhe pseudoshkencëtarët, që të punonim për komb e flamur.
Çka na duhen ne ato gjëra dhe lecka. Ne e kemi myslimanizmin, e kemi Turqinë, Rusinë dhe Arabinë. Atje është e ardhmja e jonë. Sa më keq që të jetojmë në këtë botë, aq më tepër do na pres dhe përqafoj parajsa në botën tjetër.
Prandaj shqiptarët nuk duhet të vrapojnë pas figurave të cilat i mbajnë si heronj. Nuk duhet të përkulen para përmendoreve të cilat s´kanë të bëjnë, apo janë në kundërshtim me fenë myslimane.
Ne po shpërthejmë nga ekspansioni. Në Prishtinë po e ndërtojmë xhaminë më të madhe në Ballkan. E tërë Kosova aty të premteve mund të tubohet. Këtë se kemi pasur kurrë më parë.
Kjo është mrekullia e botës sonë myslimane, të tjerat janë vetëm gënjeshtra të kësaj bote. Politika dhe politikanët duhet të punojnë në harmoni me ne, për ta përparuar këtë vend.