Asociacioni është bërë si temë numër në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në Ballkan. Serbia po e kërkon me ngulm. Kjo po i shërben për të përfituar në kohë. Ndoshta edhe EU, SHBA, Kosova dhe shumë faktor të tjerë, po lozin në këtë kartë, por po bëhen sikur nuk po marrin vesh nga kjo punë.
Angazhimi i përgjithshëm siç duket është që të ruhet balanca e përgjithshme, mes aktorëve. Pritjen më të madhe, duke shpresuar në ndonjë kthesë dhe të papritur, e ka Vuçiq dhe Serbia.
Të gjithë janë në pritje të furtunës. Ajo do të vij, por sa do të zgjasë dhe si do të përfundoi, askush se ka të qartë.
Secila palë shpreson për veten, por sidomos agresorët. Në fund pritet që do të ketë një fitues dhe një humbës. Sapo të dihet fituesi dhe humbësi edhe për EU e sidomos për SHBA, do të sqarohen gjërat.
Shpresohet që pastaj më lehtë do të ishte që të merren vendime, sidomos për Asociacionin. Më lehtë do të ishte që të hartohet drafti për te, por edhe më lehtë do të ishte që Asociacioni nëse shpallet i demoduar, të përfundoi në shportë të plehrave. Në këtë rast Kosova do të trimërohej që të merrte vendime, të cilat e forcojnë shtetësinë dhe më me ngulm do të insistonte për të drejtat e shqiptarëve në Luginë.
Se kur do të vjen ai moment, varen nga Ukraina dhe ofensiva e pritur e saj, nëse nuk ka filluar në këto momente, sepse shenjat e para po shihen.
Dikush do të dridhet, dikush do të lutej, dikush do të mallkoi, dikush do të shpresoi dhe dikush do të zhgënjehet.
Dikush do t´i korrigjoi deklaratat. Dikush do ta ndryshoi qëndrimin. Dikush do t´i thelloi dhe ashpërsoi kërcënimet.
Serbia pret që kjo të ndodhë ndaj Kosovës, për këtë punon fuqishëm dhe me të gjitha forcat, pa zgjedhur mjetet. Çdo detaj sado i vogël që të jetë do të mundohej që ta shfrytëzoi si skandal, në mënyrë që ta dëmtoi dhe përlyej Kosovën dhe udhëheqësit e saj.
Sot në mediat vizuale dhe të shkruara botërore, u raportua se rezidenca e Putinit në Kremlin u sulmua nga një dronë ukrainase. Qëllimi ishte që të bëhej atentat ndaj Putinit, tha Moska.
Ukraina menjëherë e demantoi lajmin, si të trilluar. Shtrohet pyetja se ku qëndron prapavija?
Rusia shumë lehtë mund ta ketë inskenuar një sulm të tillë, në mënyrë që t´i arrij dy qëllime. Së pari ta bind popullin se Ukraina është agresori e jo Rusia dhe së dyti t´i intensifikoi sulmet, duke kërkuar këtë si shkas.
Pra të njëjta taktikë po e përdor dhe do ta përdor Vuçiq, në Veriun e Kosovës. Ai rregullisht paralajmëron për tensione, rezistencë dhe ndërhyrje ushtarake.
Kosova jo vetëm që duhet të jetë vigjilente, po duhet ta shfrytëzoi deri në maksimum të drejtën ndërkombëtare, duke e adresuar agresorin dhe viktimën.
Serbisë duhet t´i merret nga dora arma, duke e demaskuar, për tentimin që t´i viktimizoi serbët e Veriut.
Koha është për kthesën historike. Rusia nuk do të jetë në gjendje, që fuqishëm të vihet në anën e Serbisë.
Në mungesën e saj, Serbia do të orientohet në ndihmën e Kinës si dhe në lidhjet e reja dhe të vjetra.
Koha është që të punohet me vigjilencë dhe mençuri.