Nesër (e premte 19 maj) Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje do ta bëjë betimin si kryetar i ri i Mitrovicës së veriut.
Ai u zgjodh në postin e kryetarit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.
Komuna e Mitrovicës së veriut tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për seancën solemne të betimit të kryetarit të ri. Seanca do të fillojë në orën 11.
Përfaqësuesit e kësaj komune kanë deklaruar se do të punojnë vetëm në interes të qytetarëve, kjo edhe nëse kryetarët e rinj do të kenë më shumë rol teknik, siç ka deklaruar ambasadori i SHBA-së në Kosovë z. Jeffrey Hovenier.
Ky i fundit pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, tha se Amerika nuk mendon se është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave.
“I kam bërë disa komente edhe gjatë ditës së djeshme, të njëjtat i diskutova edhe sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se kjo gjë duhet të ndodhë në një mënyrë që shmang konfliktet dhe përplaset që mund të qojnë në rritjen e tensioneve në veri”.
“Ne jemi për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë të mirë, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, u shpreh Hovenier
Gjersa ka mbetur më pak se një ditë deri tek betimi i z. Atiq, ka pasur edhe paralajmërime të ndryshme për destabilizim të situatës në komunat veriore.
E këtyre paralajmërimeve i priu edhe deklarata e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili në një deklaratë aspak diplomatike nuk hezitoi ta përmendte konfliktin si opsion nëse nuk ka normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vet z. Lajçak kundërshtoi edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër, të cilën vet e kaloi në këmbë pa asnjë problem, derisa qytetarët e Mitrovicës që nga paslufta vazhdojnë të jenë të privuar nga lëvizja e lirë në pjesën veriore, ku një pjesë e tyre i kanë edhe shtëpitë.
Është mjaft ironike të mendohet se ura nënkupton bashkim e lidhje ndërmjet njerëzve, ndërsa në Kosovë ura i ndanë qytetarët.
Mbase z. Lajçak në vend të kundërshtimit do të duhej ta përshëndeste iniciative e asambleistëve të Mitrovicës për hapjen e kësaj ure. Por duke qenë Serbia në mes, BE-ja zor se mund të mbaj qëndrime të paanshme.
Nga ana tjetër, mbetet të shihet nëse Serbia do të qëndrojë e qetë apo do të guxojë të krijojë trazira gjatë seancës solemne të e betimit të kryetarit të Mitrovicës së veriut.
Dita e nesërme është edhe një lloj testi ndërkombëtarë për ta dëshmuar se sa destruktive mund të jetë Serbia, e cila në vazhdimësi ka qenë mos-respektuese e marrëveshjeve.