SHBA nuk na ka lënë as në “baltë”, as në...“mjaltë"!

Opinione

SHBA nuk na ka lënë as në “baltë”, as në...“mjaltë"!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 22 maj 2023 Në ora: 09:05
Xhevat Mustafa

Nga plot shqiptarë të dy krahëve, sidomos gjatë këtyre 10 viteve të fundit, debatohet edhe për qëndrimin e SHBA- ve ndaj Shqipërisë! Bie në sy lehtësisht tifozllëku i zjarrtë nga antiamerikanët “e mykur” për rreth 60 vjet, të grimuar pas vitit 2010 si “amerikanë të zjarrtë” dhe me doza zhgënjimi nga filamerikanët e viteve 1945-1990, të përplasur edhe burgjeve dhe qendrave të internimit si “agjentë të imperializmit amerikan”, edhe prej jo pak këtyre “filoamerikanëve” të sotëm, mbetur në thellësitë e zemrave enveristë dhe antiamerikanë!!!??? Qoftë edhe një vështrim i përshpejtuar shpreh apo tregon se "dashuria" apo "harresa" amerikane për Shqipërinë nuk ka qenë në të njëjtin nivel në këta 110 vjet, por me ulje- ngritje apo ftohje - ngrohje të shpeshta e të shumta.

Është e logjikshme dhe e drejtë që ne shqiptarët, në pjesën më të madhe të ekzistencës dhe historisë, pa ALEATË të mëdhenj e të vërtetë e të mbetur për faj të 47 viteve të diktaturës enveriano-ramiziane nga fundi i listës së gjatë të miqve dhe aleatëve të SHBA-së, të mos ia shikojmë me qejfmbetje dhe të mos ia keqkuptojmë AMERIKËS, me shumë miq dhe aleatë të vjetër, këto luhatje në dashuri dhe harresë, në zjarrmëni e ftohtësi ndaj Shqipërisë. Megjithatë, po kaq e natyrshme dhe demokratike është që të gjenden si filoamerikanë të zjarrtë, që ia falin edhe “qëndrimet e njëanshme”, ashtu edhe të zhgënjyer prej disa presidentëve, ambasadorëve, misionarëve diplomatikë amerikanë. Të dy palët e shikojnë AMERIKËN si ZOTI e presin prej saj vetëm dashuri të sinqertë dhe mbështetje gjithnjë e më konkrete e të fuqishme. Njeri nga kontigjenti masiv i filoamerikanëve të flaktë u shpreh, jo pa të drejtë, më 5 maj në faqen e tij në facebook se "Amerika nuk e ka lënë asnjëherë në baltë Shqipërinë"! Më shumë me humor dhe për debat miqësor,i ktheva këtë përgjigje, referuar tek historia dhe fakte konkrete: -"Amerika, vërtetë nuk na ka lënë në baltë! Por, ama na ka lënë 47 vjet nën Enverin dhe Ramizin; 19 vjet nën Fatosin dhe Edin...!!! Sikur bëhen 66 vjet nën "të majtën allaenveriste"??? Këto 66 vjet, nëse analizohen me objektivitet,shprehin "dashuri apo "harresë?" Lënie de facto apo në të vërtetë, të përjetueshme, në "baltë apo në...mjaltë"? Por këtyre dy pyetjeve, logjikshëm, u duhet shtuar edhe një e tretë: cilët na e kanë më shumë fajin për izolimin absurd, rrënues, pengmbajtës, “vetëngrënës dhe vetëvrasës”, presidentët amerikanë në Uashington apo Enveri dhe Ramizi me çetë e “stan”, në Tiranë???

Gjithsesi, duke e vazhduar debatin, këtij komenti mund t'i shtohen edhe fakte historikë e të freskët! Amerika "na la në baltë" apo mes kufomave, gjakut, gërmadhave, plumbave..., më 1997, në çmendurinë vetëvrasëse allashqiptare të atij viti të marrë e të kombshëm! Po të na donte sa e duam, Amerika mund të ndërhynte për të mos na lejuar t'i bënim vetes, shtetit, vendit, kombit...,ato gjëma të tmerrshme dhe me rrjedhoja shumë gjatë të pambyllshme! Janë shprehëse dhe ndikuese për të qenë më të qartë e më të bindur se AMERIKA “na ka lënë në baltë” apo “na ka përmbytur në mjaltë “edhe disa shifra për volumin në fatura financiare të investimeve nga SHBA në Shqipëri e në Serbi. Pa e çuar as ndërmend të mos vlerësohet maksimalisht ndihma politike dhe ushtarake e SHBA-së për Shqipërinë më 1912-1914 nëpërmjet ish presidentit Woodrow Wilson e në këta 32 vjet, pas vitit 1990, me kulm rolin vendimtar amerikan, personalisht të ish presidentëve Bill Klinton dhe Xh.W.Bush, për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, më 1999 dhe 2008 si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është fakt publik se shifrat financiare të investimeve amerikane në Shqipëri, janë shumë më pak të ndjeshme.

Duke folur për investimet amerikane në Shqipëri, më 24 prill 2023, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço theksoi se, “për vite, investimet(amerikane) ngecën në rreth 80 milionë dollarë, por gjatë dy viteve të fundit, investimet janë rritur në 220 milionë dollarë – një rritje e jashtëzakonshme prej 250%”. Por, nëqoftëse i krahasojmë me investimet amerikane në Serbi, raporti është deri në më shumë se 10 herë në favor të Serbisë. Sipas ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, më 2 janar 2023, kur pasi shprehu keqardhje për bombardimin nga avionë amerikanë të qyteteve serbe në mars-qershor 1999, i lumturoi Vuçiçin dhe serbët e tij se “investimet amerikane në këtë vend do të kenë rritje të ndjeshme, për të shkuar deri tek 4 miliardë dollarë”, ose rreth 18-20 herë më të larta se sa në Shqipëri. Shumëkush mund ta justifikojë këtë bum të madh investimesh amerikane në Serbi me strategjinë dhe synimin për ta shkëputur këtë vend nga kraharori i Rusisë.

Por, duke i njohur shumë mirë, sidomos figurat më madhore serbe të shek..20-të, Titon, Milosheviçin, pra edhe Vuçiçin..., historia dhe përvoja jetësore përcjellin mesazhin se nuk mund të ketë siguri as në 24% tek Beogradi politik dhe qeverisës. Edhe nëse i referohemi mbështetjes shumëformëshe nga BE-ja dhe vendet kryesore më të mëdha të saj ndaj Shqipërisë, ndihmat dhe financimet nga Evropa, domethënë nga “kurva plakë”, siç e kanë etiketuar disa paraardhës tanë, politikanë, poetë , shkrimtarë , gazetarë..., janë shumëfish më të larta se ato nga SHBA.

Kështu, sipas statistikave, Shqipëria është vendi më përfitues në botë nga ndihma gjermane në raport me numrin e popullsisë, ku fondet e akorduara direkt nga Gjermania, ose në kuadër të BE-se, kanë kaluar kuotën e 1 miliard dollarëve. Afërsisht në këtë nivel janë edhe ndihmat nga Italia. Një fakt tjetër e gjejmë tek Konferenca e Donatorëve organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, më 17 shkurt 2020. kjo konferencë u mblodhën 1.15 miliardë euro grante, hua, e fonde për projekte zhvillimi për të shprehur solidaritetin ndaj Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Nga institucionet e rëndësishme bankare të komitetit ndërkombëtar, pjesë të BE-së, u premtuan apo u dhanë rreth 400 milionë euro kontribute, nga të cilat vetëm 115 milionë euro, grante. Si shtete, Franca dha 100 milionë euro; Italia 65 milionë euro; Emiratet e Bashkuara Arabe 70 milionë euro; Turqia, 42.3 milionë euro; Gjermania 11 milionë euro, në formë grantesh, Zvicra 9 milionë euro...Ndërsa SHBA premtuan apo ofruan rreth 5 milionë dollarë...!

Njëanshmëria apo animi majtas i presidencës aktuale amerikane, sidomos i DASH lidhur me politikën shqiptare, kuptohet lehtë apo "zbulohet pa duar", edhe nga një fakt tjetër, shumë më i vonshëm apo i freskët. Fjala është duke për "non gratën" për liderin e PD- së, Sali Berisha! Kur, qysh nga fundi i vitit 2017 e deri në këto ditë maji të vitit 2023, zhvilloheshin e zhvillohen hetime ndaj zyrtarit të rëndësishëm të FBI- së, Charles McGonigal, me një nga dyshimet "lidhje korruptive edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama", nga DASH, nënkuptueshëm me diktat nga Xhorxh Soros dhe kërkesë nga Tirana( Edi Rama- Erion Veliaj- Delina Fico...), përcjellë tek Blinken nga Yuri Kim, ndodh "çudia", shpallet "non grata" për korrupsion...Sali Berisha, prej 8 vitesh jashtë e larg qeverisjes e i dorëhequr, pas “humbjes së merituar” në zgjedhjet parlamentare të 23 prillit 2013, edhe nga drejtimi i Partisë Demokratike...!!!??

Këto ditë pas zgjedhjeve allashqiptare, allarama-rilindase të 14 majit 2023, nga disa “analistë të pavarur”,, një pjesë sorosianë-edramistë si dhe “borxhlinj të mëdhenj” ndaj Berishës, për shumçka kanë arritur në karrierën politike, akademike e në jetë, “zbulojnë” se një nga arësyet e humbjes së rëndë të opozitës, na qenka “konfliktimi i Berishës me Amerikën”!? Kam qenë e jam i bindur se Sali Berisha ka një thes me gabime, faje, përgjegjësi, dështime.... Këto ia kam shprehur në sy, publikisht në rreth 200 analiza, komente, opinione, përgjithësisht me tituj në faqet 1 të gazetave kryesore të përditshme në Shqipëri e Kosovë, me përjashtim të ZP-së. Por, për objektivitet dhe drejtësi, nuk mund ta interpretoj këmbënguljen e tij në adresë të DASH për t’i publikuar faktet e nongratizimit të tij selektiv, jo bindës, pa pasur përpara apo prapa Edi Ramën, Erion Veliajn, Arben Ahmetajn,...,si një “kundërvënie” apo si “konfliktim” me AMERIKËN. Në të vërtetë, Berisha e ka të keqen nga Xhorxh dhe Alex Soros dhe njerëzit e tij në DASH si dhe nga McGonigal dhe miqtë e mikeshat e tij në Tiranë! Me humor: Berisha, ashtu si Xhevat Mustafa, e kanë të keqen më të madhe nga koka e tyre. Berisha ka pasur raste të takohet me Xhorxh Sorosin dhe me “ambasadorët e Fondacionit të tij në Tiranë”. Siç e kishin dhe e kanë “ves apo shprehje dashamirësie dhe bujarie” duhet t’i ketë ofruar edhe atij “favore”, “ndere”,”dhurata”...Me mua veproi kështu, më 1993, “një kushëriri i im” me origjinë nga Kosova, që më quajti “kushëri”, vetëm përse na lidhte mbiemri i njëjtë. Natyrisht nuk ia pranova “kushërirllëkun”.

Por, “i humburi i madh” isha po unë. Nuk vola asnjë kokërr prej “pemës gjigande” të Sorësve! “Prej kësaj koke” sot nuk kam vilë as në Tiranë, as në Golem, as në Qerret, as Gjirin e Lalëzit....dhe shkoj familjarisht për pushime vere në plazhe me apartamente me qera. Pa u zgjatur më tepër me këtë: përse Berisha dhe unë nuk pranuam të bëheshim “vëllezër për shpirt” apo “bij për shpirt” të Xhorxh Sorosit, siç u bënë me dhjetëra edhe në Shqipëri dhe që kanë marrë e parë vetëm të mira nga kjo lidhje me “tentakulat” e fondacionit Soros?! Pra, mesazhi i lehtëkuptueshëm për veten dhe për Saliun, në shqip e englisht është: “koka bon, koka pson!” Shumëkush nuk mund të mos mendojë edhe se non grata e Berishës, realizuar pas krijimit dhe forcimit të miqësisë Charls McGonigal_Edi Rama, nuk ka asnjë lidhje me vitin 2005, kur Sali Berisha e shpalli Xhorxh Sorosin “non grata” në Shqipëri dhe me kërkesën e tij drejtuar Senatit Amerikan si dhe Komisionit dhe Parlamentit Europian, për të hetuar veprimtarinë e Fondacionit Soros dhe për të ndaluar veprimtaritë e tij.

Argumenti kryesor ishte qenia e tij burim krizash të rënda politike, ekonomike, financiare...dhe konfliktesh civile. Edhe pse Amerika është AMERIKË, falë 45 presidencave të mëparshme e nuk i jep llogari dhe shpjegime shteteve të mëdha e jo më një Sali Berishe “të vockël” e nga një vend i vogël, përsëri për transparencë e korrektesë, për të shmangur dyshimin për njëanashmëri, nuk do cënoheshin interesat kombëtare dhe gjeostrategjike globale të SHBA-së, nëqoftëse jepej një sqarim me fakte e jo me formulime shabllone diplomatike. Idealja do të ishte edhe nëse i jepej përgjigje SHQIP edhe pyetjes se përse është shpallur non grata vetëm Sali Berisha e janë “harruar”, janë lënë “për në kalendat greke” ose “pas vdekjes së Xhorxh Sorosit”, Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj...,të cilët për korrupsion, jo vetëm me inceneratorët, më me shumë gjasa, ia kanë kaluar prej kohësh Sali Berishës? Këto pyetje kërkojnë përgjigje, por që nuk vijnë dot në veshët tanë, sot për sot e nuk dihet as pas kushedi se sa mot...!!!

Se nuk thuhet kot! AMERIKA e kap lepurin jo me raketa e avionë, por me...qerre...! Apo, se i zbulon shumicën e planeve, të vërtetave të mëdha të veta e botërore pas dekadash e një shekulli! Deri atëherë, kanë ikur nga kjo botë, në parajsë ose në ferr, si hartuesit e planeve e të skenarëve, ashtu edhe përfituesit dhe viktimat e tyre...!Ndërsa Amerika mbetet aty ku ka qenë e ajo që ka qenë, AMERIKË...përherë, fatkeqësisht akoma e paaftë të parandalojë dhe të bëjë krejt të pandjeshëm e të padëmshëm vetëm torrnadot...! Duke u shprehur në mënyrë figurative dhe diplomatike, BE dhe AMERIKA për ne shqiptarët, si “jetimë” prej rreth mijëra vjetësh, janë ngjashëm me prindërit! Nuk mund të mos i duash e nuk mund t’i urresh nënën dhe babain, edhe kur të zemërohen, të tërheqin veshin, të skuqin faqet me një shuplakë të mirë e këmbët me okllai, apo kur të mbyllin e "të harrojnë ca gjatë" në një dhomë, apo më keq, në...wc!

P.S: Të shprehësh publikisht vërejtje e kritika për presidentët dhe ambasadorët e SHBA- së në vende të ndryshme të botës, nuk duhet “të përkthehet” apo kuptohet aspak si antiamerikanizëm! Kjo nuk mund e nuk duhet të çohet ndërmend sidomos këtu në Shqipëri e për ne shqiptarët, që mund të mburremi dhe mund të jemi si popull me të vërtetë kampionë për dashuri të sinqertë ndaj AMERIKËS! Në të kundërtën, shpreh dëshirë e kurajo për ta mbrojtur AMERIKËN nga plot armiq të saj të hapur, të egër e të përjetshëm! Por, edhe nga disa “zyrtarë dhe përfaqësues diplomatikë amerikanë”, që, pa apo me dashje, duke shfrytëzuar emrin, fuqinë, autoritetin e SHBA-së dhe respektin për këtë vend, mund të injektojnë e provokojnë zhgënjim e pakënaqësi ndaj saj, çka çon ujë, së pari në mullinjtë e Rusisë...! As vetë një president i SHBA nuk ka menduar e nuk mendon, nuk flet e nuk vepron sikur është AMERIKA dhe mbi AMERIKËN! As nuk i keqkupton dhe interpreton për antiamerikanizëm vërejtjet dhe kritikat e shprehura me sinqeritet, publikisht dhe përditë nga dhjetëra milionë qytetarë amerikanë, republikanë apo demokratë nëpër takime partiake, elektorale apo nga mediat!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat