Rusia me iniciativën e Serbisë këmbënguli në themelimin e Gjykatës Speciale. Vuçiqi paraqitej luftarak dhe jo vetëm që i kërcënonte Kosovën dhe shqiptarët, po u diktonte kushte edhe perëndimit, se çfarë lejon e çfarë jo.
Sot kur Putini ndodhet para kolapsit të përgjithshëm, Vuçiqi ende po tenton ta lozë rolin e personalitet të rëndësishëm me ndikim në rajon.
Kërcënimet ndaj Kosovës dhe shqiptarëve i përsëritë sa herë që llogaritë se kjo i sjell përfitim. Me vendimin e largimit të serbëve nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe bojkotimin e zgjedhjeve e ka irrituar perëndimin, sepse kësaj here nuk vallëzuan sipas melodisë së tij.
Zgjedhjet u mbajtën edhe pa Listën Serbe ( të cilët ndodhen nën komandën e Vuçiqit) dhe për këtë Vuçiqi nuk arriti që serbët t´i paraqiste në rolin e viktimës.
Ai nga një dështim i tillë u egërsua, duke i kërcënuar të gjithë. Shfryu mllefin ndaj Kosovës e shqiptarëve, ndaj Kurtit e ndaj perëndimit.
Po prisni që t´ua dhuroi Kosovën në pjatë, po kjo nuk do të ndodh, fshau nga mllefi Vuçiq. Nuk do të ketë pavarësi të Kosovës ?! E përsëriti kërcënimin.
Na keni bombarduar, na keni shkatërruar fabrika dhe keni vrarë civil, por dhe shqiptar.
Çfarë përkujdesje e Vuçiq për shqiptarët?! E akuzoi NATON se keni vrarë edhe civil shqiptar.
Sipas tij, serbët i kishin vrarë, masakruar, përdhunuar, djegur, shkatërruar dhe përzënë shqiptarët nga dashuria që kishin për ta, kurse NATO si armiku numër një, i kishte vrarë ata.
Deri ku shkon mendja e Vuçiqit dhe e Serbisë?! Po mos t´i njihnin shqiptarët, me patetikën e tyre, do të kërkonin që t´i qash dhe ndjesh dhimbje për ta.
Qe njëzet vite janë duke bërë përpjekje që ta marrin rolin e viktimës, kurse shqiptarët tentojnë t´i fajësojnë gjoja se ata, e kishin sulmuar Serbinë. Ata ishin terroristë, sepse duke e mbrojtur pragun e derës e luftonin milicinë, paramilitarët dhe ushtrinë serbe.
Me informacione dhe propagandë të trilluar kishin arritur që Dick Marty ta bindnin se shqiptarët serbëve në shtëpinë e verdhë me metoda çnjerëzore, ua kishin nxjerrë organet. (Metodologji e çmendur serbe)
Një paralele të njëjtë sot e kemi kur Rusia po ashtu e merr rolin e viktimës, në agresionin ndaj Ukrainës.
Ne po e çlirojmë Ukrainën nga nazizmi, thonë. Perëndimi dhe SHBA na detyruan që të intervenonim në Ukrainë. Nuk kishim tjetër zgjidhje. Ata e duan shpërbërjen dhe zhdukjen e Rusisë.
Ne vetëm po mbrohemi dhe po luftojmë për të drejtën tonë dhe për të drejta të barabarta në mbarë botën. Kjo është propaganda e tyre e cila nuk dallon aspak me Serbinë dhe Vuçiqin, i cili thotë se vetëm po e mbron Serbinë dhe serbët e Kosovës.
Një formulë të tillë e njohin shqiptarët me shekuj, po ndoshta edhe perëndimi më në fund po bindet, se sa të ngjashme janë në veprime Rusia dhe Serbia.
Shpresohet se e njëjta aktakuzë me të cilën është ngarkuar Putini, do të ngarkohet edhe Vuçiqi.
Faktet për lidhjen me krimin dhe bandat kriminale ia zbuloi këto ditë New York Times. Edhe e kaluara e tij derisa ishte dora e djathtë e kriminelit Milosevic është e njohur. Pra vetëm të kompletohen dhe dokumentohen të gjitha faktet gjatë katër luftërave në ish Jugosllavi duke përfshirë edhe Kosovën, si dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar.
Ish kampioni i shahut dhe një nga liderët e opozitës Garry Kasparow këto ditë deklaroi se shpërbërja e Rusisë po afrohet.
Kjo shpërbërje duhet ta përfshijë edhe Serbinë, e cila e tëra shtrihet në territoret shqiptare dhe është një shtet artificial.