Dje në veri të vendit u shfaq shteti i Kosovës. Shteti nis te zyrat e komunave të Mitrovicës së veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Aty filluan punën të katër kryetarët e zgjedhur më 23 prill të komunave, pasi ata bënë betimin.
Por kundër prezencës së shtetit dhe kundër të zgjedhurve reaguan serbët. Ata ushtruan dhunë, hodhën mjete të forta, dogjën një makinë të policisë, plagosën së paku pesë prej tyre dhe thyen xhamat e veturave e të objekteve. Vdendosën edhe ndonjë barrikadë. Në këto kushte shteti i Kosovës veproi në mbrojtje të institucioneve dhe jetës së policëve e të qytetarëve. Përveçse hodhi gaz lotsjëllës, siç ndodh kudo në vendet demokratike të Europës e në SHBA, policia nuk përdori asnjë lloj dhune. Pra gjithçka ishte jo proporcionale në favour të bandave kriminale të Aleksandër Vuçiç, i cili përdor bandat për ta destabilizuar dhe kontrolluar territorin e Kosovës.
Por pavarësisht kësaj, pavarësisht korrektësisë në sjelljen e policisë, pavarësisht të drejtës ligjore të të zgjedhurve për të ushtruar detyrat, ambasadori amerikan në Prishtinë, Hovenier, akuzoi policinë e Kosovës, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të saj. Po kështu edhe senatori Cris Murphi u shfaq i befasuar dhe i kërkoi kryeministrit Kurti tërheqjen nga komunat e veriut. Ata e quajtën ndërhyrjen policore në veri si “provokim”! D.m.th nxitën serbët dhe Beogradin të përshkallëzojnë rezistencën e tyre kundër autoriteteve të shtetit të Kosovës. Nuk thanë asnjë fjalë për dhunën e serbëve, madje as për mitingun e llojit të Milosheviçit të 28 qershorit 1989 në Fushë-Kosovë, që sot po e zhvillon Aleksandër Vuçiç në Beograd.
Ndoshta kanë frikë nga një luftë në veri të Kosovës e në rajon. Ndoshta i trembi urdhëri i presidentit serb për të lëvizur ushtrinë në drejtim të kufijve të Kosovës. Ndoshta kanë ndonjë projekt, fundi i të cilit do të jetë ndarja e Kosovës! Asgjë nuk është e qartë dhe e ditur derisa ta shohim në praktikë se çfarë do të ndodhë. Por me siguri që autoritetet e Kosovës, presidentja Osmani, kryeministri Kurti, ata që drejtojnë çeshtjet e sigurisë kombëtare, e dinë më mirë se cila është perspektiva dhe e vërteta!
Kam qeshur me të madhe me reagimin e zotit Hoti e të disa politikanëve opozitarë. Ata edhe kërkonin prezencën e shtetit në veri, edhe këshillonin që kjo të bëhej në bashkëveprim me aleatët. Madje pasi dëgjuan deklaratën e ambasadorit. Edhe pse aleatët kërkuan tërheqjen e shtetit nga katër komunat e veriut dhe legjitimimin e prezencës së Beogradit në këto komuna. Sepse territor vakum nuk ka. Aty ose duhet e do të jetë shteti i Kosovës, ose ai i Serbisë, i cili e pretendon si pjesë të saj. Dy deklaratat amerikane kërkuan që ligjin në veri të vazhdojë ta bëjë Vuçiç dhe bandat e tij atje. Hoti dhe ndonjë politikan tjetër opozitar kërkojnë që shteti i Kosovës të jetë prezent e njëkohësisht të dëgjojë këshillën amerikane që të tërhiqet prej aty!
Paradoks i pashembullt. Një lloj kërkese që kundërshton opsionet brenda një fjalie. Sesi mund të kërkosh të zbatosh ligjin në gjithë territorin dhe brenda kësaj kërkese të thuash se këtë ta bësh në koordinim me SHBA, kjo në rastin e sotëm është e pakuptimtë. Në fakt këta opozitarë po kërkojnë heqjen dorë të prezencës së shtetit të Kosovës në veri të vendit. Dhe gjithçka po ndodh se këta opozitarë kanë në projekt marrjen e pushtetit sipas modelit të Grenellit. Jo sipas vullnetit të qytetarëve.
Qytetarët e Kosovës mbajnë shënim. Do ta ndëshkojnë çdo politikan që mban një karrike me dy b.thë. Nuk mund të kërkosh diçka në fjalinë e parë dhe ta kundërshtosh në fjalinë e dytë. Këtë e bëjnë ata që nuk kanë parime. Që nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë se çdo të thotë sovranitet e integritet territorial. Ata që mbi interesat e shtetit e të vendit vendosin interesin e pushtetit. Ata që zvarriten pas idhujve. Ose edhe ata që kanë frikë nga përballja.
Kosovës i duhen politikanë që përballen. Ata që nuk kanë guxim të përballen, së paku derisa Kosova të bëhet anëtare e OKB-së duhet të largohen, të ikin, të zhduken, të fshihen, të mos dalin aty ku i shohin! Aq më pak të flasin e të nervozojnë qytetarët e vendit të tyre. Koha është e guximtarëve dhe jo e frikacakëve! Edhe nëse do duhet përballje e fortë, sfida duhet përballuar. Dhe ajo përballohet kur të gjithë bëhen bashkë, të vendosur e pa dilema në fitore! Bëhuni bashkë dhe do të fitoni! Do ta fitoni Kosovën të plotë, edhe pse ndoshta jo simpatinë e përkohshme të aleatit tonë më të madh e më të mirë! Në fund kjo simpati e Amerikës do të shkojë për ata që rezistojnë dhe jo për zvarranikët!