Sot në Republikën e Turqisë zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Në garë është presienti në detyrë, Rexhep Tayp Erdogan dhe kandidati i opozitës, Kilicdaroglut. Duket se Erdogan është favorit i zgjedhjes dhe kjo vjen për shumë arsye. Së pari, sepse Partia e tij ka fituar shumicën absolute në parlamentin e Turqisë dhe në një vend normal do të duhet që pushtetet të harmonizohen në kohën e dhënë për të zhvilluar reformat. Së dyti, sepse Erdogan shihet si kandidati më i fuqishëm, që mund të përballojë sfidat e kohës. Mos harrojmë se Turqia është në rajonin më strategjik të Euro-Azisë. Së treti, sepse presidenti aktual ka ditur të ruajë ekuilibrat në krizat e sotme e sidomos gjatë konfliktit e luftës në Ukrainë, çka e bën Turqinë një vend me peshë ndërkombëtare. I vetmi dizavantazh i Erdogan është kriza ekonomike dhe financiare e vendit.
Megjithatë duket se ai sot do ta marrë mandatin e Presidentit të Republikës së Turqisë dhe në nëntor do të jetë personazhi kryesor i kremtimit të 100 vjetorit të kësaj Republike. Çfarë do të thotë kjo për shqiptarët dhe pozitën e tyre në rajon? Le të shpjegohemi: - Turqia e drejtuar nga Erdogan në këto 20 vitet e fundit ka flirtuar me Rusinë, por ka mbështetur Ukrainën. Mos harrojmë se dronët turq Bajraktar ishin arsyeja kryesore pse ushtria ukrainase e përballoi me sukses në momentet e fillimit agresionin rus. Turqia flirton dhe investon në Serbi, por njëkohësisht është një mbrojtëse unike në llojin e vet për Republikën e Kosovës.
Ka jo pak shqiptarë që Erdogan nuk e duan me arsyetimin se “ai është diktator”, ose më së paku “udhëheqës autoritar”! E ndërkohë mbrojnë autoritarizmin kleptokratik të regjimeve në vendet tona, sidomos në Shqipëri e madje edhe në Serbi. Zgjedhjet me balotazh, si dhe fitorja e Stambollit, Ankarasë, Izmirit nga ana e opozitës në zgjedhjet lokale turke, dëshmojnë se në Turqi së paku institucioni i zgjedhjeve funksionon. Në Shqipëri e në Serbi nuk funksionon as ky institucion, për të mos përmendur më pas institucionet e tjera qeverisëse.
Miqësia e Rexhep Tayp Erdogan me kleptokratin Edi Rama nuk më pëlqen. Jo se Ramën e shoh si kundërshtar politik, por se kryeministri i Shqipërisë është aleat e Serbisë kundër Kosovës! Ndërkohë që Erdogan nuk heq dorë nga përpjekjet e tij në ndihmë të Kosovës, edhe pse ruan marrëdhënie të mira me Serbinë. Më pëlqen që presidenti i Turqisë mban një lidhje specifike miqësore me kryeministrin e vendit tim, por nuk më pëlqen kur ai e ndihëmon Edi Ramën në fushata elektorale kundër opozitës shqiptare. Sepse kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tim dhe ndikon në shprehjen e vullnetit të qytetarëve. Nuk më pëlqen që Erdogan bllokon përurimin e xhamisë së Nahmasgjasë në Tiranë për shkak të afrimitetit të Komitetit Musliman Shqiptar me kundërshtarin e tij politik. Pra, ka gjëra që nuk shkojnë me shijet e bindjet e mia në raportet e Erdogan më Shqipërinë dhe shqiptarët.
Por unë i gëzohem zgjedhjes së Erdogan në krye të shtetit turk, sepse ai është i përkushtuar për ta ndihëmuar Kosovën dhe pavarësinë e saj. Eshtë kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës e Serbisë dhe në rajon. Eshtë katalizator i vendosjes së ekuilibrave të paqes dhe harmonisë rajonale në Ballkan. Kjo është fondamentale për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët dhe rajonin që Turqia të kontribuojë për stabilitetin e rajonit. Ndërkohë që nuk jam i sigurt nëse kandidati opozitar do t’i ruante këto ekuilibra, që përmendëm më lart. Jo se ai nuk ka kapacitetet për këtë. Por se ai është më shumë I manipulueshëm. Ruajnë zot nëse ndonjë fuqi e madhe të kërcënojë Kosovën me tërheqjen e njohes së saj. Dhe nëse qeveria e institucionet e Kosovës i mbrojnë me vendosmëri kufijtë dhe territorin, nuk është çudi që një ditë të ndodhë që dikuh nga Fuqitë e mëdha të thotë se “Kosova nuk ekziston si shtet”! Kandidati opozitar do ta mbështeste një akt të tillë. Dhe kësisoj Kosovës do t’i duhej një gjakderdhje e re për ta fituar lirinë e pavarësinë e saj. Erdogan do të bëhej mburojë dhe do të shfrytëzonte të gjitha mekanizmat në NATO e kudo, për të imponuar zgjidhje të drejtë për Kosovën.
Mund të mos ndodh asgjë nga këto që përmenda më lart. Megjithatë reagimet ndaj atyre që ndodhën para dy ditësh në komunat e veriut të Kosovës më bëjnë të jem skeptik për të ardhmen e afërt e të mesme. Së paku ka një përpjekje imponuese të tmerrshme ndaj qeverisë së Kosovës. Dhe këto përpjekje mbështeten e përkrahen edhe nga kryeministri i Shqipërisë dhe pjesa më e madhe e opozitës në Kosovë. Amerika e Clinton dhe dy presidentëve Bush është zevendësuar nga Amerika e Barak Obamës, e cila vazhdon edhe sot si Amerikë që anëson nga Serbia. Zgjedhja e Erdogan në krye të shtetit të Turqisë le hapur një dritare plot dritë për të ekulibruar faktorin ndërkombëtar në qëndrimet ndaj Kosovës!