Me shpërthimin e konfliktit Rusi – Ukrainë Evropa gjendet në një depresion të thellë, ndërsa me shpërthimin e kundërofensivës ukrainase, në perëndim po mbretëron një pasiguri e heshtur.
Në gjithë këtë rrëmujë Vuçiqi po përballet me protesta të fuqishme në Serbi, por vëmendjen si gjithherë ka arritur ta përqendroj rreth Kosovës, Asociacionit dhe Veriut të Kosovës.
Në këtë rast Vuçiqi po e kopjon Putinin, gjoja se punët i ka për bukuri dhe nën kontroll, kurse në realitet përbrenda po zien.
Vuçiqi me deklaratat e tij, duke e shfrytëzuar gjendjen kaotike në Evropë, po mundohet ta loz rolin e liderit në Serbi dhe rajon. Po shpërndan ide, po jep urdhëra dhe po jep prognoza, sikurse bota do të sillet rreth tij.
Deri kur kungulli do i shkoj mbi ujë nuk dihet, por dikush duhet t´ia ndal hovin derisa s’është bërë vonë. Është pritur nga SHBA që do ta stoponin dhe t´ia tregonin vendin, por kjo për çudi nuk ka ndodhur, përkundrazi e kanë trimëruar dhe i kanë dhënë hapësirë për manovrime.
Qëndrimi amerikan i ka habitur edhe qarqet e ndryshme ndërkombëtare, përpos EU, prandaj është vështirë të supozohet se si do të zhvillohen ngjarjet në një paqartësi të tillë.
Protestat e njëpasnjëshme në Serbi e kanë luhatur ekuilibrin e Vuçiqit. Në mediat e shquara amerikane janë bërë publike lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe jetën kriminale të tij, kurse nën dirigjimin e tij u ndez Veriu i Kosovës, ku mbi 30 ushtarë të KFOR it mbetën të plagosur, nga bandat kriminale të ardhur nga Serbia. Dhe për çudinë e të gjithëve u fajësua Kurti dhe qeveria e Kosovës.
Përkundër të gjitha këtyre ngjarjeve ende askush nuk e ka marr guximin që ta drejtoi gishtin drejt tij, përkundrazi, po lavdërohet si konstruktiv dhe pragmatik, edhe pse e bëri mobilizimin ushtarak dhe e dërgoi në kufirin e Kosovës.
Miku dhe vëllai i tij nga Tirana zoti Rama, po ashtu u angazhua në përpilimin e draftit për Asociacionin ku ua dërgoi qendrave dhe personaliteteve për shqyrtim, me shpresë se edhe ai po jepte ndihmesën e tij duke e ndihmuar rajonin (Botën Serbe).
Nuk vonoi dhe pas pak orëve erdhi edhe përgjigja e Vuçiqit. Draftin për Asociacionin e përpilojnë dhe e paraqesin vetë serbët, tha ai. Pra sipas tij Serbia dhe serbët e japin vulën për Asociacionin. Kjo flet se Vuçiqi ka fituar fuqi të deklaroi se, ai vendos dhe merr vendime mbi rajonin.
Kjo paraqet një disproporcion të lartë mes Serbisë, Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Dikush duhet ta merr komandën, kurse në këtë rast Vuçiqi po komandon. Ai, po e harton dhe prezenton planin e marrëveshjes, ai po e harton draftin e Asociacionit, ai do t´i udhëheqë bisedimet, ai merr vendim mbi marrëveshjen përfundimtare dhe ai vendos se si do të dukej kjo marrëveshje. Pra Vuçiqi, nëse i lejohet, do të vendosë për gjithçka. Kundërvënia e Kurtit dhe Kosovës ndaj tij është kundërshtuar deri më tash fuqishëm nga ambasadori Hill dhe ndërmjetësuesi Escobar.
A mund të pritet ndërrimi i kursit amerikan dhe kur ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, është vështirë të parashikohet, sepse tërësisht do të varet nga ngjarjet në Ukrainë dhe kundërofensivës tashmë në vazhdim e sipër.
Ndërrimi i kursit amerikan patjetër do të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 2024, në mos ndodhtë më herët. Për momentin të gjithë janë në pritje, se çfarë do sjell e nesërmja.
Ishte vetëm Anglia ajo e cila haptas u vu në anën e Kosovës dhe Kurtit, me përjashtim të disa senatorëve amerikan, personalitete të politikës gjermane e austriake.
Serbia po e loz rolin sikurse në kohën e Konferencës së Parisit më 1919 kur vendosej mbi fatin e trojeve shqiptare, ku Kosova u la nën Serbinë: jam me ju nëse ma jepni Veriun e Kosovës, po u thotë sot.