Dhelpra opozitë në pritje të Bo **ve të dashit! Donikë Gërvalla unike në dinjitet dhe parimësi

Opinione

Dhelpra opozitë në pritje të Bo **ve të dashit! Donikë Gërvalla unike në dinjitet dhe parimësi

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 19 korrik 2023 Në ora: 20:38
Donika Gërvalla

Me Jusuf Gërvallën, babain e Donikës ishim shkollarë në Gjimnazin e Pejës, në vitet `60-a. Në familjen e nënës Shkurte Berisha, ku unë banoja, Jusufi kishte shokë djemtë e familjes, Nazmiu dhe Daut Berishën, ky i fundit piktor dhe personalitet me famë, i cili ishte ndër 12 intelektualët që përfaqësonin Francën në botë dhe presidentët e Francës i konsultonin për çështje të vendit, deri sa u amshua disa muaj më parë. Në këtë shtëpi Jusufi organizonte argëtime muzikore dhe mbrëmje letrare, me të rinjtë dhe të rejat gjimnaziste.

Në Gjimnazin e Pejës Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla shquheshin për art dhe letërsi. Ishin shumë aktiv në klubin letrar të qytetit.

Familjet Rugova dhe Gërvalla kishin të përbashkët atdhetarizmin, të përcjellë ndër breza. Si pjesë e luftës për ekzistencën shqiptare, u përgjakën, të paktën, në tre shekujt e fundit.

Vijimësia e përndjekjes politike, imponoi mërgimin politik të Jusuf Gërvallës. Njeriu i artit, i letrave, artist i kompletuar, ndonëse i larguar fizikisht nga Adheu-Kosovë, me mendje dhe zemër, ishte fort i lidhur dhe skajshëm i përkushtuar, ta vazhdonte detyrën në shërbim të kombit.

Në Gjermani ishin organizuar disa celula veprimtarësh vullnetmirë, për të bërë diçka për Kosovën e tyre. Por UDB-a ishte përkujdesur të infiltronte brenda grupimeve të tyre agjentët e saj. Sigurimi Shqiptar, përmes "diplomatëve", në koordinim të përhershëm me UDB-në, "këshillonte" e kontrollonte, për ta përçuar stalinizmin e Enverit, jo vetëm në Mërgatë, por edhe në Kosovë.

Justifikimi bajat, "ose me Titon, ose me Enverin", nuk ka logjikë. Kombëtarët nacionalistë nuk u bënë kurrë as me Titon dhe as me Enverin, sepse të dy i përkisnin ideologjisë sllaviste-ruse. Ishte utopi, më saktë, marrëzi, të pretendosh ta çlirosh Kosovën me ndihmën e Rusisë!

Jusuf Gërvlla, i mërzitur me broçkullat propagandistike lehaqene të PPSH-së staliniste, i bëri një letër Enver Hoxhës, me të vetmen pyetje:

"-Si e mendoni zgjidhjen e çështjes të Kosovës?"

-Përgjigja e Hoxhës ishte: "Çështja e Kosovës do të zgjidhet me fitoren e Revolucionit në shkallë botërore!"

Jusuf Gërvalla reagon me pyetjen e dytë: "Po sikur ky Revolucion të mos bëhet kurrë?!"

Kjo pyetje mbeti pa përgjigje dhe letërkëmbimi Gërvalla-Hoxha u ndërpre, fundoi. Por, kjo mjaftoi që Jusuf Gërvalla të futet në listën e zezë të Partisë së Punës të Shqipërisë, (PPSH) dhe të Sigurimit Shqiptar.

Doza e përgjimit, provokimit, shpifjeve, përmes agjentëve të dyfishtë: kosovarë dhe shqiptarë u shtua. Sa kontribuoi Shqipëria në vrasjen e Gërvallës, janë faktet e dosuara. Por, e vërteta është se vrasja u aprovua, ngaqë Jusuf Gërvalla denoncoi bashkëpunimin e Sigurimit Shqiptar - UDB-a dhe hipokrizinë e politikës satanike staliniste të Enver Hoxhës, me byroistët e tij kukulla.

Jusuf Gërvalla e kuptoi se po përgjohej, të paktën, nga tre agjentë të shqipfolës të UDB-së, njëherësh, edhe të Sigurimit Shqiptar. Ai kërkoi mbrojtjen fizike nga organet kompetente gjermane, atëbotë, zoti Kinkel, ministër i Brendshëm. Përgjigja ishte dëshpëruese: "Shteti ynë nuk siguron mbrojtjen e emigracionit politik, vetëm heton e ndëshkon, pas sulmit që mund t`u bëhet!" Thënë troç: "Lë të vrasin ty dhe ne i dënojmë pastaj ata!" Jusuf Gërvalla pranoi edhe vrasjen, madje shumë të afërt, por jo edhe tërheqjen nga veprimtaria, për të bërë diçka për Atdheun e tij të pushtuar - Kosovë. Dhe, Gërvalla u vra, hetimi u bë, por dënimi kurrë!"

Ishte i dyshuari i parë ai që e ftoi Kadri Zekën nga Zvicra në Gjermani. Pasi e mbajti dy-tre ditë, duke e dërguar në klubët shqiptare, nga Nordheim Westfallen, në Baden Würtemberg, në koordinim me UDB-në, e përgatitën, ngeshëm, atentatimin e Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka. Ky i dyshuar gënjen, kur thotë se "në mbremjen fatale, gjegjësisht, më 17 janar 1982, u themelua LPK-ja!" Këtë gënjeshtër, paradoksalisht, vazhdon ta përhapë një analist serioz, i burgosur politik dhe profesor universitar, cili ka një konsideratë absurde, për një agjent dhe kriminel të dëshmuar!

Realisht, Jusuf Gërvalla u ekzekutua, për përpjekjen e tij fisnike dhe atdhetare, në bashkimin politik të Mërgatës, pa ngarkesën ideologjike komuniste-sllaviste. Ky bashkim u pengua nga UDB-a, në koordinim me Sigurimin Shqiptar dhe LPK-ja askurrë nuk u themelua, njëmendësisht. Më 1997, Hashim Thaçi bëri puç, shkarkoi Kryesinë e vjetër të LPK-së, duke e akuzuar atë për tradhti kombëtare.

Kjo përçarje u pasua edhe në krijimin e dy Shtabeve ushtarake, të FARK-ut dhe LPK-së. Ky i fundit sabotoi luftës në Kosovë. LPK-ja, në pajtim me krye-zyrtarët e Tiranës neo-komuniste, me mikun e Hashimit, agjent francez, Damjean Arnaud dhe Serbinë, nuk lejoi angazhimin e "UÇK-së" të LPK-së, në luftë. Për këtë lexoni Jakup Krasniqin dhe disa themelues të kësaj "UÇK-je!"

Treshja e agjentëve të dyfishtë, pas hetimit formal dhe lirimit "në mungesë provash", me akuzat e ndërsjellta, sikur e pranonin implikimin në krim. Edhe sot dy të parët të dyshuar, akuzojnë njëri-tjerin për vrasje. I treti akuzon të parin se "ti më fute në këtë lojë të pistë dhe jam gadi të ballafaqohem me ty, para organeve të drejtësisë!" Edhe pas këtyre deklarimeve, askush nuk merret me këta kriminelë bastardë.

I dyshuari i parë, pavarësisht zenkave mospajtuese me klanin e Hashim Thaçit, i dominuar nga Drenica, ai u pajtua me atë dhe shokët e tij kriminelë, në hartimin e listave vrastare të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarëve të LDK-së; të gazetarëve të vijës insitucionale; kuadrove të hershëm të LPK-së, të mundshëm për rivalitet politik. Ndërkohë, angazhoi edhe vëllanë e tij, duke bërë ndërlidhjen e bandave kriminale të Dukagjinit, të Drenicës, të Llapit, në atentatet e ndërsjellta numerike, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë, në tri zonat e Kosovës.

Po ky, i dyshuari i parë, me LPK-në e tij në Mërgatë, u angazhua në përkalljen e Shqipërisë në vitin 1997, me fletushkën "Zëri i Kosovës", dikur, krijesë e grupit tonë ilegal, të prirë nga burgaxhiu i mirënjohur, Kadri Osmani (Mani), në një bodrum të Kosovës, të ripërtrirë nga Jusuf Gërvalla, në Gjermani, më vonë LPK-ja, abuzoi me fletushkën, tashmë, të bërë paçavure dhe praninë fizike, në instruktimin e bandave, përkrah SHISH-it të Klosit. LPK-istët e Kosovës ishin aktiv, përkrah zyrtarëve social-komunistë të Tiranës zyrtare, të prirë nga presidenti Rexhep Mejdani, në ekzekutimin e oficerëve FARK-istë, në territorin e Shqipërisë.

Krejt ndryshe është vepruar nga organet e drejtësisë gjermane, për krime tjera. Organizatori i një vrasjeje, të një emigranti politik kroat, shteti gjerman ka kërkuar dorëzimin dhe është ekstraduar nga Kroacia. Fajtori është dënuar me burg të përjetshëm, për një viktimë. Ndërsa në rastin e Gërvallës me vëlla e shok, pra, vrasje e trefishtë, vazhdon të heshtët! Vetëvetiu lind pyetja: "Me çfarë kuti matë Dauti?!"

Donikë Gërvalla, besnike e idealeve të babait

Bëra këtë parantezë për heroin emblematik Jusuf Gërvalla, për të ardhur tek bija e tij krenare, Donikë Gërvalla. Kam punuar për një çerek-shekulli radhazi, në kryesinë e LDK-së, Dega në Gjermani, me Donikën. Në karakterin e saj, ajo është kopje e babait, unike në dinjitet dhe parimësi. Dhe, në dëm të këtyre dy cilësive, ajo nuk bënë kurrë kompromise. Këtë e ka dëshmuar përgjatë gjithë jetës të saj aktive.

Si studente në Universitetin e Tiranës, Donika hyri në grevën e urisë, kundër diktaturës dhe pro demokracisë. Në Gjermani, krahas studimeve për një fakultet të dytë, zhvillonte veprimtari si nënkryetare e Degës të LDK-së, duke u angazhuar në Fondet për mbijetesën e Kosovës, njëherësh, edhe luftën kundër pushtuesit serbo-sllav.

Përgjatë luftës, u ballafaqua në debatet televizive prestigjioze, me eksponentë qendrorë të shtetit serb, duke e mbizotëruar debatin në favor të Kosovës.

Pas luftës, si nënkryetare e Degës të LDK-së, në Gjermani dhe delegate në LDK-në Qendër, Donikë Gërvalla, në përpjekje për të kthyer LDK-në të epokës rugoviane, kundër klanizimit, aklamacionit, vasalitetit ndaj PDK-së, është provokuar, bojkotuar dhe refuzuar vrazhdësisht! Në Kuvendin e 8-të të LDK-së, asaj me delegatët e saj, përfshi edhe autorin e këtij shkrimi, iu mbyllë dera! Në Konventën e LDK-së, edhe pse i ishte dhënë materiali përkatës, u nxor nga salla dhunshëm, nga tre burrecë të klanit të kryetarit Isa Mustafa, duke e tërhequr zvarrë dhe zhveshur deri në brekë!

Për ta shpëtuar LDK-në nga fundosja e radhës, Donikë Gërvalla, së bashku me simotrën e saj, Vjosë Osmanin, vendosën - për ndryshimin -, me qëllim të largimit të klanit rrënues, nga drejtmi i mëtejmë të partisë së Rugovës, LDK-së, dikur e zëshme dhe krenare. Në zgjedhjet e radhës, për -Listën Guxo-, pa fare fushatë, Donika mori tej 74 mijë vota zgjedhore.

Kur një medie prestigjioze gjermane, e pyeti Donikë Gërvallën, nëse X komandanti është hero?

Donika u gjegjë: "Nëse ju i quani heronj kriminelët ordinerë, atëherë "dakord!"

Donikë Gërvalla, ka qenë e qartë, e hapur, e prerë, për ta denoncuar krimin dhe korrupsionin, në veçanti, ka dënuar krimin politik, gjatë dhe pas luftës, duke qenë krejt e saktë në emërtimin e tij.

Kjo e vërtetë ka ngjallë mërinë e kuadrove të partive-banda të PAN-it. Dhe sulmet kundër ministrës së Jashtme, Donikë Gërvalla, kanë qenë në vijimësi. Kështu ndodhi edhe me kryetarin e Akademisë, Mehmet Kraja, i cili ishte i pari, që në emër të Akademisë, dënoi krimin vrastar të shqiptarëve, vjedhjen zyrtare dhe rrënimin e Kosovës, përtej dy dekadave radhazi. Dhe, pse e tha një të vërtetë, në shkallën sipërore, klyshëria PAN-iste kërkuan shkarkimin e tij nga posti i kryetarit! Rrjedhimisht, partitë-banda të PAN-it janë në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve.

Pushtetarë e partiakë, përtej një dekade, çirrën rrejshëm e qortueshëm ndaj Evropës, se "Kosova ka përmbushur dhe tejkaluar të gjitha kushtet, për liberalizimin e vizave!" Gënjeshtra korale e zyrtarëve të Kosovës, kinse, për plotësimin e kushteve të udhëtimit në "Shengen" pa viza, turpëron, madje me fund. Sepse për vrasjet e listuara, gjatë dhe pas luftës, të shumë qindra kundërshtarëve politikë, nga disa komandantë të LPK-së, përkatësisht, të PAN-it të sotëm, ka qindra të dyshuar dhe të hetuar, por, jo edhe të dënuar. Gjithashtu, janë, të paktën 23 raste të makro-korruptive, hajni zyrtare, të cilat janë hetuar dhe faktuar, por hajnat kurrë nuk janë ndëshkuar.

Ishte e vetme, unike, Donikë Gërvalla, e cila, në cilësinë e ministrës së Jashtme të Kosovës, në një forum evropian, do të demantonte të gjithë rrenacakët, të brendshëm dhe të jashtëm, për hipokrizinë dhe gënjeshtrat ndër vite, sikur Kosova, tashmë, është meritore, për lëvizjen e lirë, pa viza në Evropë, duke shtuar se "Kosova duhet t`i bëjë detyrat e shtëpisë!" Opozita u tërbua se "ministrja Gërvalla na bëri përrallë para botës dhe duhet shkarkua nga posti i ministrës!" Megjithatë, ajo mbrojti deklarimin e saj dhe qendroi stoike, përballë lukunisë lehaqene korale.

Edhe tani, kur pritet janari i 2024-ës, për rrugëtimin në Evropë pa viza, mos vazhdoni të mashtroni, të rreni, pa doganë fare, se vizat i merituam me punë. Rrenë qoftë! Ashtu siç na fali lirinë NATO-pakti, poashtu Evropa na i dhuroi vizat, pa i plotësua dy kushtet bazike: luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin, thënë troç, hajninë zyrtare!

Donikë Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut, deklaroi se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë. "Arsyet e qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda BE-së janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit".

Këtë deklarim, sa të saktë, aq edhe të guximshëm, duke qenë ministre e Jashtshme e Kosovës, mund ta bënte vetëm vajza krenare e Jusuf Gërvallës, Donika. Ishte tepëria, sa e njëanshme, aq edhe e marrëzishme e ndërmjetësuesëve në dialogun Kosovë-Serbi, të cilët shpërblyen persekutoren Serbi dhe ndëshkuan me sanksione Kosovën viktimë. Ministrja Gërvalla i "zuri mat" dostat e Serbisë dhe ajo nuk falë, kur Atdheu-Kosovë vihet në rrezik, sepse është unike në dinjitet, parimësi dhe atdhedashuri.

Faktet janë të bollshme. Thonë se BE-ja në Kosovë është organizatë ekonomike dhe jo politike!? Broçkulla! Kur kryeminstri Kurti reagoi karshi qasjes të njëanshme të Borrellit ndaj Kosovës, në një takim-dialogu në Bruksel, ai i reagoi kërcënueshëm Kurtit, se "do t`i njoftoi partnerët evropianë, për mospërfillje karshi BE-së!" Dhe, vërtet, e bëri asaj mbremje, duke ua kujtua EULEX-it dhe KFOR-it, në Kosovë, Rezolutën 1244. Dhe ato, të nesërmen e botuan porosinë e shefit të BE-së në -Faqen e tyre zyrtare-, me miratimin OK-ej, porosi që trimëroi bandat serbe në veriun e Kosovës.

Gurët, stupcat, plumbat të 29 majit 2023 dhe të ditëve në vazhdim, plagosja e tej 30 ushtarakëve të KFOR-it, të Policisë të Kosovës, të gazetarëve dhe të qytetarëve tjerë; kallja e veturave zyrtare dhe e pasurive të serbëve opozitarë vendorë, deri tek amputimi i këmbës të ushtarit hungarez, për të cilin populli shqiptar e shprehu dhimbjen me lot e vajë, pjesë e fajit janë edhe ndërmjetësuesit në dialog. Në të gjitha rastet e eskalimeve banditeske, ata patën mirëkuptim, duke nxitur kundërshtinë edhe më të vrazhdë të bandave serbe, në veriun e Kosovës, gjithnjë me qëllime politike, për të përfituar në dialogun aktual.

Hungaria, e bashkuar në Perandorinë Austro-Hungareze, ishte shumë aktive në ruajtjen dhe shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë, madje deri e gatshme të hynte në luftë me bllokun armiqësor, të prirë nga Rusia armike. Për çudë, nëse shqiptarët kanë shprehur mirënjohje të vazhdueshme, për kontributin e Austrisë, ndërkohë, Hungaria është anashkaluar, harruar. Dyshoj se edhe votimi kundër Kosovës, i Hungarisë, në Këshillin Evropës, mos vjen nga shpalosja e historisë të tej një shekulli më parë.

Gurët e hedhur, mbi kokat e ushtarakëve të KFOR-it, të Policisë të Kosovës, gazetarëve, nga "milicia fashiste e Beogradit", të ardhur enkas nga Serbia, më kujtonin rrëfimet e bashkëvuajtësve të mi politikë, në vitët `70-a dhe `80-a ",në burgun e vdekjes",siç quhet Burgu i Burrelit,kur rrëfenin për skuadrat speciale të -milicisë fashiste italiane-,të cilët hidhnin breshëri gurësh mbi trupat e shqiptarëve, kundërshtues të pushtimit, në kamionat e zbuluar, që i transp​ortonin për internim.

Kuvendi komunal i 4 (katër) komunave të veriut të Mitrovicës, në mbledhjen e tij të rregulltë, mori vendim për -hapjen e Urës të Ibrit-, hapja e së cilës ishte premtuar menjëherë pas përfundimit të ndërtimit. Megjithatë, kanë kaluar vite e dekada dhe ajo, paradoksalisht, vazhdon të jetë e bllokuar, e mbyllur për mjetet motorike! BE-ja jo vetëm që nuk e përmbushi premtimin e hapjes, por edhe tani kur këshilltarët e katër komunave veriore të Kosovës, dolën me vendimin e hapjes të menjëhershme të Urës së Ibrit, përfaqësuesi i BE-së, në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, reagoi prerazi se "Ura nuk mund të hapet pa lejen e BE-së!" Mos, vallë, BE-ja na qenka vetëm në rolin ekonomik në Kosovë!?

Këtë shkrim po e përmbyll me opinionin e mikut tim, shqiptaro-amerikan, Aurel Dasareti, ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake, për protagonistën Donikë Gërvalla:

"Kritikuesit e Donikës janë xhelozë, të sëmurë psikik, servilë të të huajve, ose të zhytur në konflikt të interesit.

Donika është shqiptarja e madhe e babait të madh - heroit Jusuf Gërvallës.

Mos e ngacmoni Donikën, djaj të mallkuar!"

Zelli i sforcuar i -Opozitës-, për rrëzimin e një qeverie të ligjshme, duke mos zgjedhur mënyrat dhe mjetet e veprimit, deri në sulmet banditeske të PAN-it, na kujton fabulën e dhelprës, e cila i shkonte pas dhe priste rënien e -boleve të dashit-, e gatshme për kafshimin e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat