Kush është kokëfortë e maksimalist? Kurti që mbron vendin e tij, apo Rama që nuk heq dorë nga mbrojtja e interesave serbe në Kosovë?!

Opinione

Kush është kokëfortë e maksimalist? Kurti që mbron vendin e tij, apo Rama që nuk heq dorë nga mbrojtja e interesave serbe në Kosovë?!

Prof.Dr.Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Enver Bytyçi Më 12 gusht 2023 Në ora: 18:05
Albin Kurti Edi Rama

“Albin Kurti është kokëfortë dhe maksimalist”! Kjo ishte përmbyllja e një publikimi në Twiter nga ana e kryeministrit të Shqipërisë të enjten e kaluar. Më 5 maj 2022, d.m.th 27 muaj më parë, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i deklaronte diplomatit Miroslav Lajçak, se “Albin Kurti është shumë i vështirë”! Në vjeshtën e vitit 2021 kreu i shtetit serb pas takimit të dytë me zotin Kurti i quajti bisedimet “të tmerrshme”. Ndërsa më 4 prill të këtij viti ai akuzoi hapur qeverinë e Kosovës që sipas tij ajo “shpik konflikte të reja dhe provokon serbët çdo ditë, me inkursione të pafundme në Veri”.

Përmenda vetëm disa deklarata në hapësirën kohore të dy viteve të fundit të presidentit të Serbisë për të kuptuar se si dhe sa ato deklarime janë përpunuar dhe sintetizuar në fjalinë e së enjtes të kryeminstrit të Shqipërisë, sipas të cilit “Albin Kurti është kokëfortë dhe maksimalist”! Vuçiç nuk e përmend fjalën kokëfortë, por artikulon termin “I vështirë” dhe “i tmerrshëm”! Prej këtej më pas akuzon kryeministrin e Kosovës për provokimin e serbëve në këtë vend. Të njëjtën gjë artikuloi të enjten e kaluar edhe zoti Rama, kur tha se deeskalimi në veri të Kosovës është përgjegjësi e Albin Kurtit! Në gjuhën diplomatike gjithnjë përgjegjësia i kërkohet shkaktarit të një situate konflikti. Në këtë rast, sipas Ramës, del se Albin Kurti ishte shkaktari i dhunës në veri të vendit!

Dikush, një ditë do t’i marrë në dorë dhe do të ballafaqojë të gjitha deklarimet në sinkron për Kosovën të Aleksandër Vuçiç dhe të Edi Ramës. Është e sigurt se nga studimi në fjalë do të zbulojë faktin që idetë, pikëpamjet, qëndrimet politike, retorikat e tyre janë më shumë se të ngjashme, sidomos për Kosovën. Pra se kryeministri Rama dhe presidenti Vuçiç shprehin të njëjtin qëndrim sa i përket Kosovës! Se ata duan të njëjtën zgjidhje pro-Serbisë të konfliktit midis dy vendeve, madje punojnë së bashku për të arritur në një të tillë zgjidhje.

Por të kthehemi te thelbi i akuzës së zotit Rama kundër Albin Kurti. A është kryeministri i Kosovës kokëfortë dhe maksimalist? Në sytë e Edi Ramës dhe të Aleksandër Vuçiç ai është i tillë. Se për kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Serbisë “Kosova në dialog me Serbinë nuk mund t’i fitojë të gjitha dhe Serbia nuk mund të humbë gjithçka”! Kjo formulë është ngjizë gjithashtu te shumë diplomatë perëndimorë. Për më keq akoma, nevojën e detyrimin që Kosova t’i japë diçka Serbisë e artikulojnë shumica e analistëve dhe opinionistëve shqiptarë në publik. Kjo do të thotë që Beogradi ia ka arritur qëllimit. Ka mundur të krijojë një opinion pro kërkesave të Serbisë në Kosovë.

Fillimisht teoria e “kompromisit reciprok”, ku njëra palë të mos fitojë gjithçka e tjetra po ashtu të humbë gjithçka, ishte reklamuar që në bisedimet për statusin e Kosovës nga ana e kryeministrit serb të kohës, Vojisllav Koshtunica. Më pas ideja e tillë serbe u transmetua te pasardhësit e tij. Ndërsa Aleksandë Vuçiç, me ndihmën e Edi Ramës, Hashim Thaçit e politikanëve të tjerë në hapësirën shqiptare, mundi ta përçojë në opinionin shqiptar.

Albin Kurti është kundër kësaj kërkese. Dhe të jesh kundër asaj që Serbisë t’i jepet diçka e Kosovës nga Kosova nuk do të thotë se je maksimalist, as se je kokëfortë. Në pikëpamjen e Albinit Kosova ka dhënë shumë në këmbim të pavarësisë dhe lirisë së saj. Ka dhënë mijëra viktima të pafajshme. Ka dhënë pasojat tragjike të shpopullimit dhe asgjësimit fizik të shqiptarëve. Ka dhënë pasuritë e saj të grabitura dhe të shkatërruara kryesisht me zjarr nga ana e qeverisë serbe. Ka dhënë më pas të drejta ekskluzive për një pakicë prej 5 përqind të popullsisë së vendit, pra për serbët e Kosovës! Çfarë duhet të japë më shumë? Territore?! Duhet t’i japë Serbisë pushtet në Kosovë?! Por kjo është e padrejtë e madje e paprecedentë në historinë e shteteve e të kombeve. Të mbrosh të drejtën sovrane të shtetit nuk do të thotë se je kokëfortë dhe maksimalist! Të mbrosh territorin dhe të mbrohesh nga një fqinj agresor si Serbia, nuk do të thotë se je jashtë kohës! Asnjë kohë nuk ka qenë e nuk do të jetë kohë e kompromiseve me territorin e shtetësinë!

Ndaj dhe akuza më e fundit e Edi Ramës kundër Albin Kurtit është akuzë politike me prapavijë të qartë pro-serbe. Ajo synon që “ta zbusë” qëndrimin e kryeministrit të Kosovës e ta sjellë atë në kuadratin e propozimeve serbe për marrëveshjen e paqes me Serbinë! Sikur kryeministri i Shqipërisë të vihej në krah të Kosovës në këto dhjetë vite në pushtet, siç është vënë në krah të Serbisë, dialogu do ta kishte përfunduar epilogun e tij. Fatkeqësisht kokëfortësia dhe mbrojtja e kërkesave maksimaliste të presidentit të Serbisë nga ana e kryeministrit të Shqipërisë e kanë çuar situatën në veri të Kosovës gjithnjë në prag shpërthimi dhe kanë zvarritur deri më sot zgjidhjen përfundimtare!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat