Kujdes, në vend të vemë vetulla, mund të nxjerrim sytë!

Opinione

Kujdes, në vend të vemë vetulla, mund të nxjerrim sytë!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 23 tetor 2023 Në ora: 09:58
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Po lexoj jo pa shqetësim një lëvizje që paska nisur në Deçan për ndryshimin e fesë. Po shkruajnë se janë rreth 70 persona, të cilët në tubim kanë shprehur gatishmërin për të lëshuar fenë e besimin islam dhe për tiu bashkuar besimit e fesë kristiane.

Një sqarim: - Unë nuk shoh asgjë të keqe të ndodhë ky konvertim. Por në këtë rast më lejohet të tërheq vëmendjen në disa aspekte:

1. Konvertimet duhet të jenë të natyrshme. Pa organizime dhe shoqata, pa format e presionit masiv ose mashtrimit masiv. Çdo përpjekje për të themeluar organizata konvertimi mund të shndërrohet në bumerang. Të thellojnë nxitjen e ekstremizmit fetar.

2. Organizatorët thonë se po e beëjnë këtë për shkak të ekstremizmit islam dhe atij ortodoks. Mund të them se kjo është ahistorike dhe e pavërtetë. Kurrë , por ama kurrë, nuk mund të vihet shenja e barazimit midis ekstremizmit islam në Kosovëe e kudo te shqiptarët me ekstremizmin ortodoks serb e më gjerë se serb! Nëse dikush arsyetohet me këtë logjikë, atëherë justifikon propagandën serbe se “Shqiptarët janë ekstremistë dhe terroristë islamikë”! Ndërkohë që terrorizmi ka qenë dhe vazhdon të jetë vepër e ekstremizmit ortodoks!

3. Veçanërisht në kushtet e sotme, kur kemi një përçarje politike të nxitur nga Edi Rama dhe gjithë ata shqiptarë tjerë që e mbështesin atë, është shumë, tepër shumë, të kemi dhe një lëvizje që ka shumë gjasa të përçajë më tej shqiptarët. Momenti i zgjedhur për një lëvizje të tillë është pak të thuhet se është krejt i gabuar!

4. Shqiptarët, sidomos ata në Kosovë, kanë nevojë sot për bashkim në mbrojtje të territorit dhe të shtetësisë. Unë pyes: - A e ndihëmon bashkimin e tyre një lëvizje si kjo? Besoj se jo! Uroj të jetë e kundërta!

5. Si e tillë një lëvizje për konvertimin fetar në Kosovë, e organizuar si kjo që po shohim sot, duket se është pjesë e ndonjë projekti të caktuar. Dua të jem i gabuar, por më le shije shumë të keqe, fakti se kjo lëvitje filloi tri ditë pas takimit Rama-Haradinaj. Dhe duhet ditur se në Deçan asgjë nuk ndodh jo pa dijeninë, por pa nxitjen, mbështetjen dhe rekomandimin e Ramushit!

Mendoj se shqiptarët, pavarësisht besimit fetar, duhet të bashkohen! Uroj që të mos i shtohet konfliktit politik edhe një konflikt tjetër, ai fetar! Shpresoj se organizatorët do të kuptojnë se iniciativa dhe organizime të tilla janë anti-demokratike, si ajo “iniciativa” e vitit 1967 në Shqipëri për prishjen e kishave e të xhamive!

Zot na ruaj nga vetëvetja! Mos na lejo që në përpjekje për të vënë vetulla të na dalin edhe sytë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat