Veriu i Kosovës i ngjan një pjese të makinës së prishur në ofiçinat e eksperimenteve gjeopolitike, e cila qëllimisht nuk riparohet, ose nëse riparohet kjo nuk zgjatë shumë, sepse eksperimenti duhet në vazhdimësi të ushqejë ambicie që lidhje s’kanë me problemet reale të serbëve lokalë.
Absurditeti që përcolli ndarjen e Mitrovicës, nuk kërkon ndonjë shpjegim të detajuar për të kuptuar se qysh në qershor të 1999-tës ekzistonte një plan konkret se si duhet të duket një Kosovë de funksionale si shtet, që filloi me dëbimin e shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës dhe vendosjen në të, të serbëve nga të gjitha viset e Kosovës.
Bejrutizimi i Kosovës kishte ndodhur pa pëlqimin e shqiptarëve, kurse ajo që vazhdon të ngelë enigmë është se si ka mundësi të ndodhte ky gjenocid mbi shqiptarët në kohën kur Kosova de jure mbrohej nga KFOR dhe administrohej nga UNMIK.
Në librin e tij “Luftëtarët e paqes” (botuar në vitin 2004) Bernard Kushner më mirë se kushdo tjetër i shpjegon shkaqet dhe pasojat e asaj që ndodhi në veri të Kosovës prej qershorit të vitit 1999 e deri sot dhe rolin e KFOR-it francez në deformimin e realitetit në terren, ku për pasojë erdhi edhe ndarja e Mitrovicës në dy pjesë.
Megjithatë, përpjekjet e fundit të Qeverisë së Kosovës shkojnë në rikthimin e sovranitetit edhe në këtë pjesë të vendit. Veriu i Kosovës deri para dy viteve ka qenë në hartat elektorale të Serbisë dhe regjimi i Beogradit papengueshëm ka mbajtur zgjedhje atje sikur të ishte ai territor i Serbisë. Mirëpo kjo hartë për Qeverinë e Kurtit u shpall e pavlefshme.
Në veriun e Kosovës, simbolet shtetërore të Serbisë, duke filluar nga flamujt, targat, dokumentet e identifikimit dhe të udhëtimit, kanë shprehur fuqishëm prezencën jo vetëm fizike, por edhe juridike, kushtetuese e shtetërore të Serbisë në atë pjesë të Kosovës.
Ka dy vjet që kjo prezencë fizike e shtetërore e Beogradit po has në kundërshtim nga kryeministri Kurti dhe këtu fillon trajtimi i Kosovës jo si problem i brendshëm i Serbisë, por si problem i qytetarëve të saj, pa dallim etninë, fenë, gjuhën etj.
Këtu fillon trajtimi i Kosovës në frymën e një realiteti të ri të krijuar pas vitit 1999, realitet ky që u deformua dhunshëm nga Serbia e ndihmuar indirekt edhe nga ish qeveritarët shqiptarë në Prishtinë.
Përpjekja tjetër më e guximshme për mbrojtjen e sovranitetit në çdo cep të Kosovës ishte zmbrapsja e një grupi terroristësh serbë nga ana e policisë së Kosovës, akt ky që dëshmoi se Kosova ka kapacitete institucionale e ligj zbatuese për shtrirjen e sovranitetit të saj edhe atje ku politika destruktive e Vuçiçit e kishte shpallur “terra inkognito”. Ndoshta këtu e ka burimin edhe formulimi dashakeq "tokë e askujt" i Edi Ramës.Pamfleti