Paralajmërimi i presidentit të Ukrainës z. Zelensky nuk është i rastësishëm. Deklarata e tij tekstualisht: “Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, duhet të jetë kambanë alarmi për të gjithë.
E të njëjtës thirrje ishte edhe deputetja britanike Alicia Kearns, e cila ka thënë se paralajmërimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se Rusia po tenton të nisë një luftë në Ballkan, i ka bërë edhe ajo vetë muaj më parë. Të gjithë janë të mendimit se këtë gjë Rusia e bën për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
Edhe SHBA shprehu shqetësim për mundësinë e destabilitetit në Ballkan, ashtu si edhe BE përmes zëdhënësit të saj Peter Stano theksoi "se e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik", çka shton nevojën që Kosova sa më shumë të jetë e përgatitur për çdo mundësi provokimi të luftës nga ana e Serbisë.
Kjo e fundit ka shtuar prezencën në kufi, armatimin dhe forcën ushtarake. Andaj është shumë me rëndësi që faktori politik në vend të jetë unik, të jepet edhe centi i fundit i shtetit për armatim, me Serbinë nuk ka besë. Vuçiqi i dëshpëruar, Serbia e etur për gjak, Rusia e tërbuar për humbjet në Ukrainë me tentativat e saja që përmes shpërndarjes së konfliktit të përfitojë.
Lufta është më afër se kurrë, të përgatitemi për më të keqen, edhe pse KFOR-i është këtu nuk duhet me qëndruar lirshëm, mbi të gjitha Kosova është vendi ynë dhe të parët duhet të jemi ne që të përgatitemi për t'i dal zot atdheut.