Një ngjarje e rëndë ndodhi në vendin tonë, ku si pasojë u vra në mënyrë mizore, Liridona Murseli.
Vëmendje më të madhe kjo vrasje mori për shkak se e ndjera ishte bashkëshortja e ish këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli.
Fillimisht, u raportua se ngjarja kishte ndodhur si pasojë e një grabitjeje në tentativë, mirëpo mënyra si ndodhi vrasje qysh në fillim hodhi dyshime.
Largimi i fëmijëve dhe bashkëshortit nga vetura, e me gruan që mbeti e vetme ku edhe ndërroi jetë nga vrasja, ishte dyshimi më i fortë për organet e rendit.
Vetëm pas 48 orëve, policia arrestoi të dyshuarin kryesor për vrasjen e Liridona Murselit. Thuhet se i dyshuari në fjalë është Granit Plava, i cili para organeve të rendit ka deklaruar se është paguar nga bashkëshorti i të ndjerës, derisa policia tashmë e ka arrestuar Naim Murselin.
Si dëshmi tjetër ekzistojnë xhirime të kamerave që dëshmojnë se Naim Murseli është takuar me autorin e vrasjes së Liridonës. Këto janë vetëm detajet e para që janë zbuluar pas arrestimit të dy të dyshuarve dhe pritet të konfirmohen nga organet e rendit pasi të sigurohen provat e nevojshme.
Duhet falënderuar policinë e Kosovës për punën e shkëlqyer për arrestimin e të dyshuarve kryesorë, e të cilët me shumë gjasë janë: porositësi dhe vrasësi.
Gjithashtu, thuhet se Naim Murseli ka paguar vrasësin 30 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes së tij, e cila mbeti viktimë natën e 29 nëntorit në Prishtinë. Pritet që shumë shpejt të dalë e vërteta. Policia duhet përgëzuar, derisa vrasësi dhe porositësi i saj duhet të marrin dënimin e merituar.