Ka njerëz në këto botë, të cilët janë agresorë e bëjnë viktimën. Ka të tjerë që zgjedhin viktimizimin si mënyrë për të tërhequr vëmendjen, edhe kur i kanë mundësitë të bëjnë qëndresë. Ka viktimizues pa qenë viktimë fare!
Viktimizimi është sëmundje e njerëzve të dobët, hileqarë, intrigantë e djallëzorë. Kjo mënyrë reagimi përdoret zakonisht kur këta njerëz të ligtë nuk janë të fuqishëm dhe nuk ushtrojnë të drejtën e tyre. Hilacakët janë kontigjenti kryesor i të viktimizuarve!
Por ka njerëz që goditen, keqtrajtohen, burgosen, izolohen, gjuhen me granata, me plumba e me grushte, ruhen në shtëpinë e tyre me policë te dera dhe sërishmi nuk bëjnë viktimën. Ku e gjejnë forcën këta njerëz të zgjedhin rezistencën në vend të viktimizimit? Te besimi e gjejnë atë forcë! Te integriteti dhe dinjiteti i tyre njerëzor! Te drejtësia hyjnore, sepse drejtësia njerëzore rrallë troket në dyert e të pafajshmve e të të pambrojturve!
Kjo është arsyeja, pse hileqarët viktimizues kanë frikë nga rezistenca dhe qëndresa e burrave dhe grave të pamposhtura!