Trumpit ia vodhën zgjedhjet, po nuk heshti. Berishën e shpallën non grata, po ashtu nuk heshti. Trumpin po e kërcënojnë me aktakuza, Berishën po ashtu. Trumpi po e udhëheq kampanjën që të promovohet si kandidat për president të SHBA. Berisha me revolucionin e tij po ashtu e pushtoi kështjellën e partisë së vet, PD, duke ia hapur rrugën veti për pushtet.
Trump pasi kundër kandidatët e vetë po i nokauton, po përgatitet për duelin përfundimtar me Bidenin. Berisha pasi ia mori frenat Bashës, po ashtu po i kërkon duel piktorit.
Trump në zgjedhje po takohet me elektoratin e tij që ta elektrizoi për fitore, kurse po ashtu Berisha elektoratin e tij po e takon poshtë dritares së shtëpisë, pasi SPAK po e mban në arrest shtëpiak.
Trumpin vetëm proceset gjyqësore mund ta frenojnë, po në rast të burgosjes edhe nga burgu do ta ushtroj funksionin e presidentit, ndërsa Berisha po ashtu po i hedhë hapat për të formuar qeverinë nën hije, për shpëtimin e Shqipërisë.
Pra kjo ngjashmëri është e rastësishme, por kemi të bëjmë me dy figura ë martirizuara të cilat për pushtet po e japin maksimumin nga vetja.
Trump niset nga thënia : Amerika e Para, por edhe Berisha po deklaron: Shqipëria mbi të gjitha.
E gjithë kjo flet se ne dy popujt, amerikanët dhe shqiptarët, janë me fat që i kanë këto dy personalitete. Ndoshta fati më i madh është se po e morën njëherë pushtetin deri në vdekje nuk do ta dorëzojnë më.
Që të dy janë afër tetëdhjetave, po aftësitë e tyre janë të përsosura për udhëheqje. Fati është që gjatë ecjes asnjëri nga ta ende nuk e kanë puthur tokën, edhe pse në të ardhmen kjo nuk përjashtohet.
Aftësitë e tyre fizike dhe psikike japin shpresë se ata disponojnë aftësi mbinatyrore, duke i krahasuar me moshatarët e tyre. Kjo është një dhunti për popujt tanë.
Trump ka premtuar se luftën Ukrainë – Rusi do ta zgjidh brenda 24 orëve. Do të kryej vizita shtetërore në Iran, Kore Veriore, Kinë, Bjellorosi dhe gjithkund që do të jetë e nevojshme për paqe, ka deklaruar.
Berisha po ashtu ka premtuar se në Ballkan do të angazhohet që Serbinë ta disiplinoi duke lidh aleanca me Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë, Luginën, Sanxhakun, Vojvodinën, Kroacinë etj.
Kjo nismë e tij do ti jep perspektivë rajonit si në aspektin politik edhe ekonomik, është i mendimit Berisha.
Po ashtu ka premtuar se me Kurtin do të koordinohen në planin e interesit kombëtar dhe do të mbajnë takime të rregullta qeveritare.
Problem në vete do të jetë, ç´ndodh nëse Berisha akuzohet dhe burgoset nga SPAK: a do të ketë të drejtë kushtetuese që si Trump, ta udhëheqë vendin edhe nga burgu.
Nga burgu dihet që bosët e drogës i udhëheqin operacionet e tyre, po ajo është e njohur si nëntokë kriminale e tyre, kurse për shtetet legale kjo nuk ka ndodhur ende në histori.
Ndoshta ne do ta kemi këtë privilegj si dy vendet e para në botë, që e aplikojnë këtë lloj pushteti./Mars – Rover (Satirë)