Në pragun e 7 Marsit, a duhet të dëgjohen edhe disa fenomene të rënda dhune nëpër shkolla?

Opinione

Në pragun e 7 Marsit, a duhet të dëgjohen edhe disa fenomene të rënda dhune nëpër shkolla?

Nga: Hamdi Rafuna Më: 6 mars 2024 Në ora: 18:51
Foto ilustrim

Mësuesit edhe mund të vazhdojnë të qëndrojnë në klasë, të mbajnë mësimin, të këshillojnë nxënësit për sjellje të mira, për gjuhë të bukur, paqe dhe harmoni në botë, por kur nxënësit ndeshen me të kundërtën e tyre në çdo minutë të kohës, kjo është shqetësuese dhe nuk nderon fare prindët dhe profesionin e mësuesit.

Sot kemi dëshmi evidente për  nxënësit dhe të rinjtë shkollarë, të cilët ngatërrohen thuaja se për çdo ditë nëpër internet me lojëra të dhunës, terrorit, hajnisë dhe shumë të tjera veprime amorale të cilat edhe dirigjojnë me trurin e tyre!

Pyetja është, pse nxënsit duhet të përballen me dhunën ndaj mësuesve, por edhe ndaj njëri tjetrit në grupe të ndryshme huligane?

Njeriu mund të lexojë për episode të tilla të dhunës edhe nëpër shkollat e shteteve me emër siç është  Norvegjia, dhe pastaj të habitet se shumë mësues që kanë punuar për dekada të tëra në arësim, detyrohen të largohen nga profesioni i tyre, sepse ndonjërit i janë thyer dhëmbët e përparmë!

Flitet por edhe shkruhet gjithashtu se asnjëherë më parë, mësuesit nuk kanë përjetuar kaq shumë dhunë dhe vështirësi në jetën e tyre të përditshme edukative, fenomen ky që është kah “lulëzon”në formën e një sëmundje ngjitëse nëpër shkolla.

Është e vërtetë se të gjithë prindërit e vëmenshëm shqetësohen për këto dukuri të shëmtuara, por brenga e përgjithshme është; pse dukemi si një shoqëri perfekte por që nuk kuptojmë se si të mënjanohen këto dukuri të dëmshme nëpër shkollat tona. Po citoj një medium norvegjez për një ngjarje të këtij formati;

“Në një raport të një polici i cili kishte qenë në një ngjarje të dhunës në një shkollë të mesme, ndër të tjera kishte shkruar ai në kronikën e tij; (njëri mësues i kishte thënë atij tjetrit mësues që kishte përjetua dhunë nga nxënësi), po kush dreqin të tha me thirrë policinë, tani do bëhet edhe më keq për ty, si duket, fjala ishte për hakmarrje”!

Raste të ngjajshme kemi edhe në Kosovën tonë, të cilat nuk lajmërohen fare nga shkaku i hakmarrjes…)

T’i thuash papritur një të rrituri, “është bërë edhe më keq, pse shteti e merr vesh këtë rast për “djalin e X politikanit” është e barabartë me advokaturën e të keqes në fjalë!

Ne të rriturit, besoj të jemi më të sigurt në vetëveten dhe për të ardhmen kur punojnë s’bashku për të mirën e vendit dhe për ardhmërinë e brezave tanë.

Nëse mbyllim sytë përpara këtyre sjelljeve të turpshme, ritmi i këtyre vetëm sa do të rritet.

Nëse dikush nga ne të rriturit përzgjedh heshtjen nga frika e hakmarrjes, atëherë nuk e di, kah do shkojmë n’kohë si shoqëri?

Po sikur edhe policia e shtetit, të ngurrojë për të ndjek rastet që thejnë normat dhe ligjet nga frika e hakmarrjes për vetëveten dhe për viktimën që ka marrë guximin të  lajmëron rastin, atëherë, dhuna do të bëhet normë e kësaj kategorie kërcënuese.

Dhuna nëpër shkolla nuk arsyetohet duke fajësue udhëheqjen e shkollës dhe mësuesin!

A duhet që herë pas here, vit pas viti, policia shtetërore të organizojnë takime me fëmijë dhe prindër, për t’u  shpjegua prindërve, se si duhet të ndjekin ata nga afër fëmijët e tyre, por edhe në prezencë të fëmijëve të njoftohen për pasojat të cilat e përcjellin gjithë cilin fëmijë mbas moshës së pjekurisë!

Pra, është e domosdoshme që prindërit të ndërhyjnë në jetën e fëmijëve kur ata janë nën moshën madhore, të kuptojnë se çfarë shkruajnë në rrjetet sociale, çfarë blokojnë dhe çfarë gjuhe përdorin. Shumicës së prindërve, besoj se u vlonë gjaku dhe u turbullohet mendja kur lexojnë gjëra të shëmtuara për të tjerë fëmijë nëpër mediume dhe rrjetët sociale të mbyllura në grupe!

Një duhet t’a kujtojmë të gjithë që jemi prindër se, i vetmi model për fëmijët tanë jemi ne, dhe jo kryetari i bashkisë lokale,  kryetari i partisë politike, ministri apo mësuesi i shkollës! Fëmijët tanë ndoshta  nuk bëjnë siç u themi ne, por ata janë hije e veprimeve tona konkrete, gjegjësisht edukata që ua kemi mbjellë me kohë!

Kur udhëheqësia e shkollës gjatë mbledhjeve të prindërve përsëritë ato që ndodhin në shkollë dhe në oborrin e shkollës, është më se e vërtetë se ndonjëri nga prindërit kthen kokën anash dhe mendon, ndoshta kjo nuk ka të bëjë me fëmijën tim.

Nuk është e mundëshme që shkolla (mësuesi) të ngarkohet edhe me këtë  përgjegjësi për të na treguar neve prindërve se si duhet të sillemi dhe si duhet të jemi model për fëmijët tanë. 

Ne vetëvetiu duhet të turpërohemi nëse nuk mund t'i mohojmë fëmijës tonë përdorimin e pafund të  Snapchat-t, Tiktok-ut dhe shumë programe të tjera me elemente të dëmshme për rritën e tyre të shëndoshë.

Nuk është shkolla ajo që sot duhet të kujdeset për fëmijët tanë, edhe kur  ata janë në shtëpi para ekranit dhe internetit, jemi ne prindërit që duhet të kujdesemi.

Secili prind duhe të pyet vetëveten; jam unë një model i mirë, nëse bëhem kokëfortë dhe vendos kufij të qartë për fëmiun tim?

Shoqëria e jonë ka nevojë për trajnime prindërore dhe për të gjithë të rriturit që të vendosim standarde të larta njerëzore për të rinjtë por edhe për fëmijët. Të gjejmë kohë pranë fëmijëve tanë, në vend që të kalojmë pranë tyre dhe të tundim kokën, kur ata thjesht janë të kërrusut përmbi celularët e tyre.

Nuk është asnjëherë vonë për t'u rritur edhe ne si prindër!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat