Gjatë gjithë qeverisjes së Kurtit, mesazhet nga aleati ynë kryesor SHBA, por edhe nga partnerët tjerë si BE dhe MB, kanë qenë konstruktive dhe gjithmonë kanë ruajtur interesat e Kosovës si shtet, duke kërkuar që të mos ndërmerret asnjë veprim që e cenon ato dhe kushtetutën. Koordinimi me partnerët ndërkombëtarë, me theks në SHBA, është i domosdoshëm.
Orientimi properëndimor, integrimet euroatlantike dhe aleanca përhershëm me SHBA, janë përcaktimet dhe orientimi ynë kombëtar. SHBA nuk kërkojnë diçka që e cenon pavarësinë e Kosovës, sepse janë vetë sponzorizues i shtetit dhe i sovranitetit të vendit tonë. Nuk duhet të kemi dilema në orientimin tonë pro amerikan, as të udhëhiqemi nga veprime e deklarime populiste, sepse ato shkojnë në dëm të interesave të vendit. Një Serbi e tillë autoritare, totalitare dhe destruktive, me ambicie ekspansioniste në rajon, i duhet vetëm Rusisë.
Prandaj, bashkë me Republikën Serbe, e cila udhëhiqet nga një kriminel si Milorad Dodik, liderët prorus në institucionet e Malit të Zi, dhe diplomati serb në SHBA që bashkërendon politikat me kriminel në listën e zezë të SHBA (pa asnjë notë diplomatike nga qeveria amerikane), përbëjnë një rrezik permanent për konflikte në rajon. Zhvillimet politike dhe jo vetëm, po tregojnë se pa u vendosur drejtësi politike dhe historike nuk mund të ketë paqe. Prandaj, vlerësoj se mekanizmi i vetëm parandalues i këtyre konflikteve është integrimi i vendeve të Ballkanit të rajonit në BE dhe NATO. Muri i NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke integruar Bosnjën edhe Kosovën, është strategji e studiuar që nga Perandoria Austriake.
Roli i SHBA-s duhet të intensifikohet në mbrojtjen e demokracive të reja, e cila ka edhe parim kushtetues, gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Pra, fuqizimi ekonomik, ushtarak dhe integrimi i gjithëpërfshirës, mund ta shpëtojnë situatën. Patjetër që ata që u identifikuan si pengues të zhvillimit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor, duhet të penalizohen jo vetëm deklarativisht, por edhe të ekzekutohen masat ligjore ndaj tyre. Duhen vu në pah ambiciet e liderëve ballkanik, ambiciet e Serbisë në veçanti dhe fakti se udhëhiqen nga liderë prorus, me vese kriminale të dëshmuara në luftërat ballkanike 1990-99, jo vetëm në Serbi dhe Republikën Serbe, por edhe te liderët prorus në institucionet e Malit të Zi, padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve dhe ambiciet gjeostrategjike ruse në rajon për daljen në Adriatik, si burim i konflikteve të pa reshtura në rajon.