Emisari Eskobar i pa kënaqur me takimin e tij me Kurtin, i parashtroi kushtet shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KE. Kjo deklaratë e tij, sikur e ngriti në këmbë opozitën e Kosovës për rrëzimin e Kurtit. Lutfi Haziri i trimëruar indirekt bëri thirrje, që me të gjitha mjetet të rrëzohet Kurti. Kryetari i PD zoti Krasniqi i entuziazmuar po ashtu deklaroi se, PD e Kosovës e sheh veten si fituese të zgjedhjeve.
Sipas asaj që po shihet ekziston një koalicion i gjerë për rrëzimin e Kurtit, kurse përkrahja e vetme ndërkombëtare atij po i vjen, nga disa deputet mjaft të fuqishëm të Bundestagut Gjerman.
Këta deputet qartazi ia bënë me dije zotit Escobar se kushtet për pranimin e Kosovës në KE, do të shqyrtohen nga vetë KE e jo nga SHBA.
Shtrohet pyetja, pse tash po ndodh kjo kur dihet që shqiptarët besimin më të madh e kishin në SHBA sesa në EU, kurse tash derisa SHBA po tregojnë inferioritet ndaj Kosovës, duke ia zvogëluar çmimin e pavarësisë me themelimin e Asociacionin, ku qëndrojnë arsyet? (sipas opozitës, te Albin Kurti)
Në këto momente aspak të favorshme për Kosovën, një përkrahje ndaj qëndrimeve të sa po tregojnë vetëm një pjesë e deputetëve të fuqishëm të Bundestagut Gjerman.
Kjo përkrahje e këtyre deputetëve edhe pse e çmuar, sepse vjen nga një shtet i fuqishëm i EU, nuk luan rol për opozitën kur ata llogarisin vetëm në fuqinë e emisarëve të SHBA. Për ta qenësore është se, kush nuk qëndron në një linjë me SHBA, i ka ditët e numëruara.
Pyetja tjetër e dhimbshme është se, si SHBA po e ndërrojnë kursin ndaj Kosovës dhe më tepër po preokupohen që t´ia plotësojnë dëshirat Serbisë hegjemoniste.
Për këtë mendohet se qëllimi kryesor është që ta largojnë Serbinë nga Rusia, po siç është e njohur edhe gjatë historisë, Serbia vret e pret shqiptar dhe e loz rolin e viktimës, por edhe ulja e saj në dy e më shumë karrige : dërgesat e armatimeve për Ukrainën dhe Izraelin, po luajnë me ndjenjat e perëndimit në favor të saj.
Çështja tash mbetet, si do të arrijnë emisarët e SHBA rrëzimin e Kurtit? Në vijim presioni do të shtohet edhe më shumë ndaj tij. Do ta pengojnë pranimin e Kosovës në KE. Do të përpiqen që Kosova të izolohet sa më shumë. Do t´i shtojnë sanksionet, në mënyrë që ta rrisin pakënaqësinë e popullit ndaj Kurtit, për një rotacion të pushtetit.
Për të ndodhur të gjitha këto duhet kohë, por rrjedha e ngjarjeve mund të merr krejtësisht kahje tjetër, me rastin e zgjedhjeve presidentiale në SHBA.
Si do qoftë nëse opozita vjen në pushtet, do të insistohet në përmirësimin e marrëdhënieve, tashmë të luhatura, me EU dhe SHBA.
Opozita në krye me LDK, PDK, AAK etj. në të kaluarën janë treguar mjaft transparente, sa u përket nënshkrimit të marrëveshjeve siç ishin Çakorri, Gjykata Speciale, Bashkitë serbe me nga 200 – 300 veta, Dinari, Asociacioni etj. prandaj nuk parashihet asnjë pengesë në këtë drejtim.
Me arritjen e një marrëveshje të paraparë, me kushtet në të cilat po ngulin këmbë emisarët e EU dhe të SHBA, do të përfundonte një proces i gjatë dhe i vështirë, ku të gjithë do të dilnin fitues: Serbia se e fitoi Asociacionin, ( për ta pa marr parasysh se si formulohet, do të jetë me kompetenca ekzekutive), bashkësia ndërkombëtare se e zgjidhi problemin Kosovë – Serbi dhe opozita e Kosovës se e arriti marrëveshjen dhe i përmirësoi marrëdhëniet, në një nivel të lartë, me SHBA dhe EU.
Pra me përfundimin e këtij procesi, opozita me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, ngase ishte transparente, do ta vazhdoi misionin e saj aty ku e kishte shkëputur me humbjen e pushtetit. Asociacioni do ta zgjedh kryetarin, sipas shijes së Beogradit. Këtë do ta përcaktoi Vuçiqi, kuptohet me biografinë dhe cilësitë e njëjta të Dodikut, Radojçiqit etj.
Pra të gjithë do të dalin fitues, megjithatë dikush do të del si humbës. Do të dëshironim që kjo mos të ishte Kosova.