Po shkoj në Manastir!
1. 'Unë e di se prapë do t'vjen pranvera;
dhe do të çelin lulet përsëri;
po për mua fushat janë me ferra;
jeta ime është ky manastir'
- Manastirit i kanë kënduar shqiptarët me afsh e me zemër t'plastë, ama manastiri në muzikën shqipe paraqitet si një qosh vetmitarësh, si streha e fundit e dashnorëve të braktisur, ku i braktisuri vishesh me të zeza dhe shkon atje e qan përgjithmonë për fatin e tij!
- Për Zotin nuk bëhet fjalë.
Shqiptari e gjen Zotin tek pasi që e humb dashnorin!
2. Shqiptarët e kanë edhe një fjalë të 'urtë' që thotë se:
- 'Sa më afër fshatit të jetë manastiri, aq më të varfër janë fshatarët'.
Prandaj, qe sa mirë u bë tash, më larg manastirit, do të pasurohen fshatarët e Deçanit.
3. Manastiri i Deçanit është i Kosovës.
Nuk është Kosova e Manastirit.
Manastiri nuk është shtet që ia mori tokën Kosovës.
Por, historianët e Deçanit e shohin Manastirin e Deçanit si Manastir të Serbisë. Ata në fakt nuk janë historianë, janë meraklinjë të historisë, se historinë e shqiptarëve nuk e kanë shkruar shqiptarët. - Historinë e Kosovës e ka shkruar një amerikan.
4. E Ju, a e keni lexuar ju Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit?
Jam e sigurt që Jo.
Gjykata Kushetuese e Kosovës ka vendosur ta bëj valid vendimin e Millosheviçit për tokën e Manastirit të Deçanit!
Pasi që Gjykata Kushtetuese është me Metohinë kundër Kosovës, pse ekziston shteti i Kosovës...
- A ekziston shteti i Kosovës?
Derisa të sqarohet edhe ndonjë ditë se a është Kosova shtet...
- Çka tash?
Kush ka faj?
A ka faj Serbia që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e çon në vend amantin e Millosheviçit...!
- Përveç njërit gjyqtar që nuk ka votuar (Bekim Sejdiu e kish emrin...duhet t'ia bëj folllow).
5. Shumë jeni mërzitur.
E di!
Shkoi Manastiri.
Por fotografia e vjetër me burra shqiptarë të ulur në oborrin e Manastirit mbetet kujtim i paharruar.
- A thua more Zot, pse ata burra rrinin ulur në oborrin e Manastirit...ditë'm drekë?
- Nuk mërzitet kush pse 'shkoi' toka derisa nuk e prek në megjën e tij shqiptarin....
Pasi që nuk janë mërzitur për Manastirin, janë gëzuar që Albin Kurti nuk e mbajti fjalën.
- Punë e madhe që Albin Kurti nuk e mbajti fjalën, si krejt shqiptarët para tij,...
Besa-besë e Albin Kurtit është punë për të...
Por, pyetja është:
- Pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës u bë me Millosheviçin!
- Për t'u dukur 'e mirë', Gjykata Kushtetuese nganjëherë merr ndonjë vendim social në favor të shqiptarëve..të varfër, të ulur në bar...
6. 'Gjenerata Z', as që e di për çka bëhet fjalë
(dhe ky është problemi më i madh që gjeneratës së Re nuk i intereson Liria, Shteti, Pavarësia...
përveç feja që ka depërtuar në 'Gjeneratën Z', asnjë dije tjetër.
7. Ndërkohë që Millosheviçi për së vdekuri e mori Tokën e Manastirit, hoxha Shefqet Krasniqi në ato çaste e shpjegonte në detaje se a e prishë Ramazanin nëse merr ilaçe nga prapa...
- Ky është muaj i shenjtë por njerëzit janë dhe mbesit mëkatarë, kështu që...
Im Westen nichts Neues!
8. Me Ligjet e Millosheviçit shteti i Kosovës i ka lënë pa pensione shqiptarët!
Se, shqiptarët që nuk ia kanë paguar tatimin Millosheviçit, shteti i Kosovës i ndëshkon, nuk ua jep pensionin e plotë.
- E, kush ka faj tash?
Kush po i detyron shqiptarët t'i zbatojnë ligjet e Millosheviçit kundër shqiptarëve!
9. Ky Eskobari.
Doli si kauboj nga western-spaghetti, erdhi në Kosovë me hu në krahë dhe ia tharbi hundën Albin Kurtit:
- Nëse n'dakik nuk ia jep tokën Manastirit të Deçanit, Kosova nuk hyn në KE,
që domethënë se Kosova nuk do të lejohet të marrë pjesë në Eurovizion.
- Kryeministri Kurti u frikësua për herë të parë publikisht, shpirtërisht i dhimbset karriera, prandaj e pranoi Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se Vendimi për të është i papranueshëm.
- Albini e pranoi Vendimin, ama vetja e tij nuk e pranoi Vendiimin.
E quajti 'Vendim të çuditshëm'!
- Nuk është as i çuditshëm, është fyes, është Vendim tamam për një popull primitiv.
- Mbrëmë në orën katër të mëngjesit ma nxori gjumin ky Vendim...
shprehjet që përdor Gjykata, si pjesëzen përforcuese: 'bile'...
- Në një Vendim që figuron pjesëza 'bile'!
Bile-bile, ka mundur të jetë edhe më keq...
- Dhe, konstatimin se 'Gjykata nuk është e nevojshme të ekzaminojë nëse ka pasur shkelje të ca neneve të Kushtetutës dhe ca neneve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut'.
- Jo moj, s'ka nevojë të verifiikohen nenet, se po të besojmë...
10. Escobari e di serbishten, prandaj e di se ku iu dhemb serbëve.
Se edhe unë besoj se nuk mund të dashurohesh në dikë që nuk di t'ia përkthesh idiomat.
- Serbët janë të palumtur, dhe fajtor është Albin Kurti, tha Eskobar.
Dhe e porositi kryeministrin që menjëherë t'i bëj serbët të lumtur.
- E rrahu kryeministrin me fjalë, sa mundi, por edhe me gjeste.
E la për fund të takohet me të, Albin qershia mbi tortë.
- Po bën zullum, Eskobar. Po.
Po sillet sikur në Amerikë s'ka mbetur kush përveç tij.
- Dhe para se të takohej me Vjosa Osmanin, Escobar shkoi te busti i Ibrahim Rugovës...
për të treguar se i vetmi shqiptar që i pëlqen atij është i vdekur.
- Escobar, përdori edhe metoda të tjera për ta bërë xheloz Albin Kurtin.
Fotografia e tij me opozitën, ishte provokacija, por mënyrë efikase për ta trembur Albin Kurtin...
se Amerika ka me kë të kryej punë, o djalë.
11. Këta që merren me fe, këta kënaqen, veç hanë, pinë dhe mbajnë vajs.
Kurrë asnjë punë në jetë nuk e kryejnë.
- Kam ndjesinë se në jetën e kaluar kam qenë motër nderi, sepse jam shumë e ndershme...
Njëherë, në Patriarkanën e Pejës, i gjeta murgeshat në oborr, duke zier nën hije patate me kazana, era dhè....dhe kotësi, dembelica e që marrin rrogë për t'u lutur.
12. Por, me buallica autoktone po na buzëqesh fati.
Ministri Peci i ka zbuluar dy buallica autoktone, askush nuk e di se qysh i ka hetuar se janë autoktone...
dhe i ka vizituar ato.
I ka gjetur buallicat në lloç.
Pasi i ka analizuar kapacitetet e tyre, ka vërejtur se ato do të na dhurojnë qumësht.
- Peci i ka gjithë ato fjalë miradije për buallicat, por asnjë fjalë të mirë për Ramushin.
Peci me polici do ta largoj për zhelesh nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, Ramushin, por Ramushi s'do të largohet nga aty.
- Në një zyre të Ministrisë së Bujqësisë u pa një kukull cullak!
Kjo e komplikon situatën edhe më shumë!
P.S. Dhe, qaj, me zemër të
përvëluar,
paskam dasht' oj nanë njeriun e gabuar!