Alarmet e ngritura për sulmet e ushtrisë së Serbisë ndaj Kosovës, janë të ekzagjeruara dhe jo reale !

Opinione

Alarmet e ngritura për sulmet e ushtrisë së Serbisë ndaj Kosovës, janë të ekzagjeruara dhe jo reale !

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 mars 2024 Në ora: 21:24
Rexhep Elezaj

Se regjimi neofashist i Beogradit zyrtar me në krye shovinistin radikal serb, A. Vuçiq, synon, dëshiron dhe është i gatshëm që ta sulmojë ushtarakisht Kosovën në çdo kohë, në këtë plan ogurzi serb, nuk dyshon askush, që i njeh mirë skenarët dhe aspiratat serbe për ta ripushtuar dhe rikthyer Kosovën nën okupimin e saj, siç e kishte në vitet 1989/99.

Mirëpo, që nga kapitullimi i Serbisë në Kosovë dhe me marrëveshjen e Kumanovës kanë kaluar 25 vite dhe situata politike dhe e sigurisë në Kosovë ka ndryshuar rrënjësisht, ngase sot Kosova e pavarur dhe sovrane e ka policinë e vetë më të aftë në rajon, e ka ushtrinë e saj të armatosur dhe të ushtruar nga ushtria amerikane, turke dhe të tjera. Pastaj në Kosovë që nga paslufta janë të stacionuara dhe në mbrojtje të kufijve të saj ushtarët e KFOR-it të në përbërje nga ushtritë më të fuqishme të botës, SHBA-ve, Anglisë, Gjermanisë, Turqisë, etj., të cilat janë të gatshme që çdo sulm të mundshëm të Serbisë në Kosovë ta zmbrapsin para se raketat serb të bien në tokë, si dhe ushtrisë së Serbisë t’i japin leksion dhe goditje edhe më të rënd, sesa në sulmet e NATO-s ndaj saj në vitin 1999.

Mbase, këtë paralajmërim ia kanë bërë në vitet e fundit disa herë oficerë të lartë të NATO-së, se po qese krerët e shtetit serb tentojnë ta sulmojnë Kosovën, Serbinë do ta godasin edhe më rënd se me 1999, duke i dhënë të kuptojë, se një aventurë e tillë ushtarake e Serbisë do t’i kushtojë asaj shumë më keq, madje edhe me pushtimin e saj nga NATO-ja, po qese ajo nuk ndalët..!?

Këtu nuk duhet harruar deklaratën e para dy ditëve të ambasadorit amerikan në Beograd, K. Hill, kur tha “se Serbia aktualisht është më afër partneritetit me NATO-n sesa Kosova”, e cila nuk ishte aspak e rastësishme, duke i dërguar mesazh opinionit në Ballkanin perëndimor, se tani për tani Serbia nuk do ta sulmojë ushtarakisht Kosovën, meqë nuk ka kapacitet ushtarak që të hynë në luftë me NATO-n, por as që mund të ndezë një konflikt të ri ushtarak në jug të Evropës, derisa “vëllai” i tij në Kremlin, krimineli Putin, është i zënë me pushtimin e Ukrainës, pra kur nëna Rusi dhe vëllau Putin, nuk ka asnjë mundësi që t’i ndihmojë motrës Serbi në përballje me NATO-n në Kosovë.

Prandaj, alarmet në Kosovë për mundësinë e sulmit ushtarak të Serbisë në Kosovë i konsideroj të ekzagjeruara dhe jo reale, për shkak të fakteve që i përmenda më lartë, duke mos e harruar faktin, se provokimet e regjimit serb ndaj Kosovës si dhe kërcënimet e vazhdueshme për ta ripushtuar ushtarakisht Kosovën, siç i thonë çetnikët shkije, “nashu srpsku juzhnu pokrajinu” (krahinën tonë serbe jugore), përveç synimit që situatën në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, gjegjësisht dialogun, ta mbajë gjithnjë nën ethe dhe tensione të larta, krerët shtetëror të Serbisë, si qëllim kryesor politik kanë, prolongimin e dialogut me shqiptarët, sa më shumë që të jetë e mundur, për të mos nënshkruar kurrë asnjë marrëveshje me Kosovën. Mbase, sipas ëndrrës së tyre shekullore, se një ditë nga Kosova do të largohen forcat e NATO-s, dhe pastaj siç e tha këtë qartë presidenti çetnik i Serbisë, A. Vuçiq, “se ne kemi durim të presim që të na vije momenti ynë, kur edhe do ta bëjmë punën tonë”, duke aluduar qartë në ripushtimin e Kosovës.

Andaj, nuk e kuptoj frikën e krerëve shtetëror të Kosovës, të cilët çdo ditë alarmojnë rrezikun nga sulmet e Serbisë ndaj Kosovës, derisa shteti ynë, Kosova martire, qe 25 vite është vendi më i sigurt në botë, sidomos kur është fjala për ruajtjen e kufijve të saj nga KFOR-i (lexo: NATO), si dhe lirisë së popullit shqiptar nga çdo sulm i mundshëm nga jashtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat