Sot, Kosova shënon Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nga një pjesë e popullit të Kosovës, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila zyrtarisht ka hyrë në fuqi më 9 Prill 2008, është pranuar dhe konsiderohet si fitore, ndaj edhe kremtohet si e tillë. Ndërkaq, nga një pjesë tjetër e popullit të Kosovës, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është pranuar, dhe si e tillë për ta konsiderohet si humbje.
Mirëpo, çfarë është Kushtetuta e Republikës së Kosovës?
- një Kushtetutë, e cila shqiptarët, të cilët ndonëse përbëjnë rreth 95% të popullsisë së gjithmbarshme të vendit, i barazon me të gjithë të tjerët, të cilët së bashku përbëjnë më pak se 5% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës;
- një Kushtetutë e cila shqiptarëve, ndonëse janë popull me shumicë absolute (e përsëris: mbi 95%), ua mohon të drejtën e të qenit komb shtetformues, siç e kanë të gjithë popujt tjerë shumicë në çdo shtet demokratik kudo në botë;
- një Kushtetutë, e cila shqiptarët (prapë e përsëris: mbi 95%) i barazon (realisht: i nënvlerëson) me të gjithë tjerët (e përsëris: të gjithë së bashku 5%);
- një Kushtetutë e cila vetëm shqiptarët i shkombëtarizon dhe i “konverton” në të ashtuquajtur “kosovar”, përderisa të gjithë të tjerët i njehë ashtu siç janë: serbë, turq, boshnjakë etj;
- një Kushtetutë, e cila një numri simbolik të minoriteteve u jep aq të drejta sa nuk ka asnjë minoritet tjetër askund në botë;
- një Kushtetutë fund e krye kundër të drejtës legjitime të popullit absolutisht shumicë, të cilit ia ndalon bashkimin me shtetin amë ndonëse në Kushtetutë thuhet ndryshe: “Kosova nuk ka të drejtë të bashkohet me ndonjë shtet”! (Cili është ai shtet përveç Shqipërisë)?!;
- një Kushtetutë e cila për t’i kënaqur apetitet shoviniste të një “grushti” minoriteti të posaçëm (i cili faktikisht njihet si komb i vetëm në mesin e “minoriteteve tjera), padrejtësisht e barazon gjuhën e tij me gjuhën e një “minoriteti” tjetër (e përsëris për të satën herë: mbi 95%);
- një Kushtetutë e cila kishat dhe manastiret ortodokse, përfshirë edhe të gjitha objektet tjera përcjellëse, i njeh vetëm si “serbe”, e jo si kisha dhe manastire që i përkasin edhe të tjerëve, ashtu siç i njehë historia;
- një Kushtetutë që ka prodhuar një flamur, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me identitetin e popullit shumicë të saj, por që në sfond ka “rastësisht” ngjyrën e kaltër, e cila i përket një pakice të caktuar(!);
- një Kushtetutë, e cila për “një grusht” pakice të veçantë, shkel shumicën duke ia imponuar një himn pa tekst:
- një Kushtetutë, e cila “ia lidh këmbët” Kosovës pasi për shkaqe politike nuk e lë të ecën përpara;
- një Kushtetutë, e cila një “minoriteti” (realisht: popull shtetformues) ia falë 10 deputetë, pa marrë asnjë votë, dhe atë në dëm të popullit shumicë, siç nuk ndodhë askund tjetër në botë;
- një Kushtetutë, e cila është parajsë për minoritetet, të cilët gëzojnë aq shumë të drejta dhe liri në kurriz të “minoritetit” shumicë;
- një Kushtetutë, e cila është e pashembullt për botën e civilizuar;
- një Kushtetutë, e cila...
Në fund, kush duhet të gëzohet dhe festojë për Kushtetutën e “shtetit” të quajtur Republika e Kosovës - ata që janë mbi 95%, apo të tjerët, të cilët të gjithë së bashku përbëjnë më pak se 5% të popullsisë së Kosovës?!
Një gjë duket qartë: në mesin a atyre që duhet të festojnë duhet të të jenë pushtetarët e të gjitha partive pa dallim gjuhe, feje e bindjeje, ngase kjo Kushtetutë ua lejon dhe mundëson atyre ta vjedhin dhe shkatërrojnë “shtëpinë” e vet, të cilën ata “duan” aq shumë!!!
E, pra: “urime” dhe urime Kushtetutën!!!