Dhuna ndaj grave nuk ndalet, brenda 4 ditë janë vrarë dy gra nga bashkëshortët e tyre. Jetojmë në një shoqëri ku gruaja shikohet ende si një pronë dhe burrat nuk ngurrojnë t'u marrin jetën partnereve të tyre intimë. Shkaqet e femicidit janë të shumta dhe identifikimi i tyre përbën një kusht thelbësor për parandalimin e femicidit. Në një studim të femicidit nga partnerët intimë, si faktorë rreziku për femicidin renditen këta faktorë:
Faktorët demografikë socio-ekonomikë; abuzimi me substancat psikoaktiv, përvojat e pakëndshme në fëmijëri, dënimet e mëparshme për krime të dhunshme ndaj grave, dhuna ndaj partnerëve gra, rrethanat dhe marrëdhëniet viktimë-dhunues, si dhe u theksua se ndarja në momentin e prishjes së marrëdhënieve intime nuk mund të konsiderohet si një rrethanë e izoluar apo si faktor i veçantë rreziku.
Në një studim tjetër, faktorët e rrezikut të renditur për femicidin ishin: Shpeshtësia dhe ashpërsia e dhunës fizike para kryerjes së vrasjes si faktor kryesor, kërcënimet, përndjekja, detyrimi seksual, abuzimi gjatë shtatzënisë, mbajtja e armëve dhe kërcënimet me armë, përdorimi i tepruar i alkoolit dhe lëndëve narkotike, tendencat vetëvrasëse të autorit, dënimet e mëparshme për një vepër penale të dhunshme, e kështu me radhë.
Parandalimi, frenimi i vrasjeve është i mundur. Përvoja e Afrikës së Jugut sugjeron se ulja e rasteve të femicidit mund të arrihet përmes ligjeve dhe politikave gjithëpërfshirëse që synojnë parandalimin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave, ligjeve për kontrollin e armëve të zjarrit dhe aktivizimin për të drejtat e grave.
Në Afrikën e Jugut janë ashpërsuar ligjet, njëjtë duhet të ndodh edhe tek ne, ndryshe do të shtohen viktimat. Një shoqëri që vret gratë nuk është as emancipuar dhe as e edukuar mjaftueshëm, andaj sa më shpejt të ashpërohen dënimet dhe në anën tjetër familjet të edukojnë meshkujt që gruan ta shohin si shtyllë të shtëpisë, shoqërisë dhe shtetit.