Edhe një takim në Bruksel, edhe një dështim i BE-së, rutinë e zakonshme tani e trembëdhjetë vite.
Dështimet nuk i bëjnë përshtypje emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, i cili pas takimit nuk dha ndonjë lajm pozitiv përveç se konfirmoi se edhe javën tjetër do të ketë takim për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje të përkohshme për personat që janë prekur nga vendimi i BQK-së.
Lajçaku optimist, derisa nga pala serbe, Petkoviq tha se bëri gjithçka për ta gjetur një zgjidhje dhe se kishte “një propozim konstruktiv” që sipas tij, Lajçak e vlerësoi si “shumë të mirë për vazhdimin e bisedimeve”.
Gënjeshtër e madhe, Serbia nuk ka ofruar asnjë plan dhe as që ka bërë diçka në këtë drejtim. E njëjta strategji nga Serbia, propagandë, asgjësim të çdo përpjekjeje për ndonjë rezultat. Siç u shpreh edhe zv.kryeminstri Bislimi, pala serbe kishte shkuar në kryeqendrën europiane pa ide për trajtimin e një propozimi fillestar që e kishte sjellë në tavolinë ndërmjetësi Lajçak.
I kot ishte ky takim, kjo ndodh pasi Serbia është e ledhatuar shumë nga BE, e kemi paralajmëruar se nuk do të ketë suksese derisa BE nuk mban qëndrim të prerë ndaj Serbisë. Kosova, nuk duhet të braktisë negociatat por mund të kushtëzojë vazhdimin e tyre derisa Serbia nuk zbaton marrëveshjet e nënshkruara më parë, nuk ndalon fushatën anti Kosovë dhe derisa të lirojë policët dhe qytetarët e arrestuar në kufi.
Serbia nuk njeh gjuhë ledhatuese, vetëm vendosmëria dhe forca janë gjuhët që ajo njeh. Me këtë qasje, BE ka dështuar dhe do të dështojë edhe në vazhdim.