Politika, “toka” e askujt

Opinione

Politika, “toka” e askujt

Nga: Ndue Dedaj Më: 31 maj 2024 Në ora: 10:54
Ndue Dedaj

E si mund të jetë e të zot, pronarit të ligjshëm toka... jonë? Ahmet Zogu ndërmori një reformë agrare, në kohën kur fusha zotërohej prej bejlerëve. Pasardhësi i tij në pushtet Enver Hoxha, më 1946, shpërndau me miting e hare tapitë e tokës në Lushnjë, sipas parullës “toka i takon atij që e punon” dhe jo më të zot, që do të thoshte se ky ishte shpronësuar nga toka e tij. U bë shtetërore dhe ajo pjesë toke që njihej me demek si “pronë e grupit”.

Me rënien e regjimit komunist, u miratua ligji 7501, i pazbatueshëm aty ku toka kishte shkuar vetiu në kufijtë e vjetër etj. Pazotësia apo mosdashja për të krijuar një legjislacion europian mbi pronën krijoi terren për grabitjen e tokës publike në fusha e bregdet, si tokë e askujt! Në këto tridhjetë vjet tranzicion toka ka qenë një “mall” pa zot, që është shpërdoruar tragjikisht, duke nisur nga sheshi “Skënderbej” e deri në skajin më të largët të vendit.

Dhe ja ku vjen puna që Kryeministri i sotëm shihet së fundi në një foto në Himarë duke shpërndarë “tituj pronësie” ndër banorët e asaj ane. Ani mirë, pak politikë, po përtej rastit, kur shqiptarët do të kenë secili tapinë e tokës së tyre?! Ka rënë diktatura si sistem politik tash kaaq kohë, por jo “demokratura” e tokës, përderisa askush nga ne nuk është ligjërisht pronar i gjësë së tij. Zoti na e ka dhënë, por shteti demokratik nuk na e ka ligjëruar tokën e gjyshërve!...

(Mos) ta rritët zoti pushteden

Një ndër urimet, që me gjasë zë fill me shekullin XX, është “Ta rritët Zoti pushteden”, që në gjuhën letrare do të thotë pushtetin. Kjo ishte në atë kohë kur pushteti i shqiptarëve ishte në fillimet dhe ishte normale t’ia uroje dikujt edhe pushtetin, postin, karrierën shtetërore, natyrisht dhe atë politike. Ne e kemi hasur tek At Anton Harapi, duke bërë fjalë për vitin 1918 në Shkodër. Por zor që kjo shprehje të këtë qenë aktive në kohën e regjimit komunist, pasi njerëzit nuk mund t’ia uronin pushtetin dikujt që me anë të pushtetit nesër do t’iu kërcente në qafë. Mund të jetë rikthyer si shprehje në fillimet e demokracisë, por me siguri më vonë askush nuk ia ka uruar pushtetin dikujt, pasi përmes të pushtetit ai dikushi do ta vidhte vendçe! Si në këtë kohë që do të përmendet në histori si gangrena e korrupsionit. Ta themi hapur, ta dijë qeveria, mazhoranca, askush nuk i beson më se ato mund ta luftojnë korrupsionin me rezuluta si ajo që miratoi Kuvendi këto ditë me 76 vota. Kjo është çështja. Me sa duket SHBA që e krijuan SPAK – un e kishin ditur me kohë që “peshqit e mëdhenj” nuk ishin një metaforë politike, por një realitet ulëritës vjedhjesh, që nuk mund ta ndryshojnë ovacionet proqeveritare në Milano me simpatizantë të transportuar të së majtës; ku, megjithatë, është për t’u vlerësuar thirrja që Kryeministri u bëri emigrantëve për t’u kthyer e investuar në Shqipëri.

Ngase sot e gjithë ditën pushteti nuk është në shërbim të qytetarëve, urimi që ata kanë për pushtetarët është: “Mos ua rritët Zoti pushteden!”

Televizionet si “karusel” i politikës

Duket se media televizive e mbrëmjes, në rreth dhjetë emisione debatesh e opinionesh në javë, nuk ka një agjendë të veten, por vetëm t’i përgjigjet “flakë për flakë” politikës së ditës, një sëmundje e së kaluarës. Bën ndonjë xhiro Kryeministri, brenda ose jashtë vendit, lëshon ndonjë nga ato të tijat dhe mediat në darkë komentojnë për tre orë rreth asaj që ishte dhe s’ishte, duhej apo s’duhej, shkurt e lagu s’e lagu. Sigurisht agjenda e kreut të qeverisë ka raste që prodhon lajm, por jo përditë e përnatë. Sa për kryebashkiakun e Tiranës, dihet që ai s’rron dot pa kamerat, por si duket as kamerat pa atë. Të vetmet kamera që ai kurrë nuk do t’i kishte dashur janë ato që japin protestat e opozitës para godinës së Bashkisë që drejton. Apo, sa herë që kreu i PD - së del në foltorën e shtëpisë, do të ketë dhe kronika televizive apo emision live. I teket kryetarit tjetër të PD-së të mbajë një fjalim për një orë, mediat informative e japin të gjithin, edhe se ai pas tri ditësh do të mbajë prapë po atë fjalim! Po ashtu, edhe kur presidenti i partisë së tretë ka për të bërë deklaratën e radhës kundër SPAK-ut, mediat janë aty.

Ku me gjetë kamera dhe mikrofona që të vijnë prapa, edhe kur nuk ke asgjë për të thënë.

Si mos me qenë “shok partie”

Në vitet ’80 isha mësues fshati dhe kaloja vazhdimisht nga miniera, ku ishte qendra e punës, posta, dyqanet etj. Sekretari i organizatës së Partisë të njërit nga sektorët e nëntokës, një minator me shkollë nate, më ndalonte herë pas here në “koenfìdencë” dhe më thoshte se para se t’i dërgoja shkrimet në gazetë, duhet t’i shihte Partia, dmth ai. I thosha se dhe atje ku i çoja artikujt kishte Parti, kështu që nuk ishte e nevojshme, por ai ngulmonte: “Puna asht që dhe ti të jesh shok Partie si ne”.

Nuk do të isha kujtuar për këtë detaj, nëse... dreqi ta marrë, kanë kaluar dyzet vite e prapë nuk na ndahen tutorët ideologjikë vullnetarë, që kërkojnë të shkruajmë si “shok Partie”, mirëpo me keqardhje këtë kërkesë të tyre nuk mundemi me e plotësue, as majtas e as djathtas. Pa merak, nuk ua heqin veshin në organizatë nëse nuk mbani qëndrim ndaj nesh, që nuk përçojmë vijën e partisë në shkrimet tona, pasi jemi në demokraci!

Nuk ka asnjë te keqe që ju nuk rroni dot pa qenë “shokë Partie”, por ky është problemi juaj e jo yni! S’keni ç’bëni, jemi të dënuar të biem dakord, për të mos qenë dakord!...

Turizëm fetar?!...

Personalisht nuk e perceptoj dot “turzimin fetar” si të tillë, as në rrëfshin e një turizmi kulturor. Për mendimin tim, tjetër është një turist, që shkon diku për qejf, për shëtitje, për argëtim, për këndellje dhe tjetër një pelegrin që shkon te Kisha e Laçit (ku mund të flerë dhe jashtë) apo Teqeja e Kulmakut në Tomor për devocion fetar dhe lutje. Mund ta mendoj një turist që një çast ndalon në një vend të shenjtë për t’u falur, por nuk di sa një pelegrin mund të jetë njëherësh dhe turist që fill pas ndalesës në vendin e shenjtë lahet në pishinë! Nuk besoj se me “turizëm fetar” konceptohet që turisti të vizitojë krahas muzeve të historisë dhe monumentet religjioze, pasi kjo do të ishte diçka e jashme, që nuk ka të bëjë me anën fetare. Turisti është jashtë mureve të tempujve si soditës, pelegrini brenda tyre si përjetues. Njerëzit për devocion shkojnë në Mekë, për turizëm në Karaibe...

A mos për hir të trendit të turizmit, po cenojmë (konfondojmë) padashur disa vlera të tjera, që janë unike në llojin e vet!

Turisti është turist, pelegrini është pelegrin.

Post scriptum: Një titull shkrimi si ky, në shtypin e një vendi demokratik perëndimor, mbase do të ishte i pakuptimtë, pasi politika në jetën e një vendi, shteti, kombi është mision, alternativë, projekt për ta çuar shoqërinë përpara. Edhe shqiptarët këtë kanë ëndërruar në vitin 1990, e prapë e ëndërrojnë sot me shpresën e integrimit në BE, edhe pse nuk e besojnë më politikën e vendit të tyre. Për ta ajo është “tokë” e askujt, më saktë jo e qytetarëve! Por e dikujt sigurisht që është, e liderëve-oligarkë të majmur me të mirat publike të kësaj toke.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat