LDK dhe Edi Rama: Një aleancë e re që sfidon historinë

Opinione

LDK dhe Edi Rama: Një aleancë e re që sfidon historinë

Nga: Xhevdet Mazrekaj Më: 31 maj 2024 Në ora: 21:15
Xhevdet Mazrekaj

Kosova në muajin që po vjen shënon 25-vjetorin e çlirimit, dhe ky vit jubilar do të kremtohet me aktivitete solemne të shumta. Një nga aktivitetet që pritet të organizohet në Prishtinë më 10 qershor është ai i fondacionit "Ibrahim Rugova" dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku do të jetë i ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në draft-program bien në sy personalitete të njohura, dhe emri i parë në këtë listë është pikërisht ai i Edi Ramës. Vendosja e Ramës në fillim të listës nga LDK-ja dhe fondacioni që mban emrin e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova tingëllon e çuditshme dhe shqetësuese. Ky është një devijim i madh nga idealet e LDK-së.

Partia Socialiste, të cilën e drejton Rama, është trashëgimtare e partisë moniste-komuniste shqiptare. Krerët e PS-së kanë shpallur presidentin Rugova tradhtar dhe kanë fyer vazhdimisht LDK-në. Si mundet LDK-ja e sotme të injorojë këtë histori me kaq lehtësi?

Një shembull i qartë i qëndrimit të Ramës ndaj Rugovës është edhe kur u ndërtua rruga e Kombit që lidhte Kosovën me Shqipërinë. Në anën e Kosovës, kjo rrugë u quajt autostrada "Ibrahim Rugova," ndërsa Rama në atë kohë e quante "rruga që nuk të çon askund." Kjo tregon se sa kundërshtar është ai ndaj Ibrahim Rugovës dhe bashkimit kombëtar. E për këtë autostradë dihet se sa gëzim ka sjellë ndër shqiptarët.

Pa kaluar shumë kohë, në vitin 2013, shumica e deputetëve të LDK-së bojkotuan fjalimin e Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës sepse ai nuk përmendi asnjëherë emrin e presidentit Rugova. Një nga përfaqësuesit e LDK-së në Kuvend atëherë tha: "Kryeministri Edi Rama, në asnjë moment nuk e ka përmendur historinë e krijimit të shtetit të Kosovës, përkatësisht rolin e ish-presidentit Ibrahim Rugova." Ky fakt tregon se LDK-ja e sotme nuk është ajo e dikurshmja e idealeve demokratike dhe e presidentit Rugova.

Lidhjet mes Ramës dhe LDK-së, sidomos të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku me Edi Ramën, janë shumë të mira. Kjo u bë e qartë kur u zbulua fotografia e takimit të fshehtë në dhjetor të vitit 2020 mes Lumir Abdixhikut dhe Baton Haxhiut, ish-këshilltarit të shefit të UDB-së dhe këshilltarit aktual të Ramës. Nuk është çudi që edhe listën e mysafirëve e ka përzgjedhur Haxhiu. Nuk është e mundur që një LDK-ist i vërtetë të vendoste emrin e Ramës në krye të këtij draft-programi.

Një kryetar i mirëfilltë i LDK-së, ashtu siç e njohim, nuk do të afrohej kaq shumë me dikë që në vazhdimësi ka hedhur vrer ndaj figurës së presidentit Rugova. Ky forcim i aleancave mes Ramës dhe LDK-së nuk përfaqëson trashëgiminë rugoviane. Kjo aleancë është një devijim i rrezikshëm nga rruga që e bëri LDK-në një forcë politike të respektuar dhe të besuar nga populli i Kosovës. LDK-ja duhet të kujtojë rrënjët dhe parimet e saj dhe të mos lejojë që interesat politike të përkohshme të errësojnë vlerat që e kanë mbajtur atë të fortë për dekada.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat