Pse Lumiri fton Edi Ramën në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës?

Opinione

Pse Lumiri fton Edi Ramën në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 3 qershor 2024 Në ora: 18:20
Lumir Abdixhiku dhe Edi Rama

Tashmë u ba e ditun se Edi Rama, kryeministër i Shqipniisë, do të jetë i ftuari special i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga pushtimi dhe sundimi i Serbisë së Milosheviçit dhe Vuçiq-it! Për ta nderuar të ftuarin e tij special, kryeministër të Republikës së Shqipërisë, do të qe mirë që kreu i LDK-së të dërgonte ftesë edhe në adresë të vëllait te tij binjak në Open Balkan, Aleksandër Vuçiq. Kurrgjë nuk kish me ndodh! Asht njësoj. Ku asht Rama, asht edhe Vuçiq. Dhe anasjelltas, ku asht Vuçiq, asht edhe Edi Rama!

Po pse Lumiri ka hedh këtë veprim? Ka shumë arsye. Mund të themi se disa opozitarë në Kosovë lidhen me Edi Ramën për shkaqe inati shqiptarësh. Sepse në zakonin tonë, kundërshtarin e sulmojmë dhe e mundim më lehtë duke bashkëpunuar me armiqtë e tij. Në këtë rast, për inat të Albinit Lumiri e dikush tjetër në Kosovë i bashkohen Edi Ramës. Ndërsa ky i fundit i gjuan pikërisht këtë kategori opozitarësh për t’ia vështirësuar qeverisjen dhe pamundësuar suksesin qeverisë së Kosovës.

Mund të ketë ndonjë arsye personale, të cilën ne nuk e dimë. Ku i dihet janë ilake e lidhen diku me njëri-tjetrin. Se rrënjët e Edi Ramës nuk dihen saktë. Thotë se do ta kalojë pleqërinë në Vuno bashkë me Koço Kokëdhimën. Pastaj, kur shkon në Durrës, thotë se rrënjët e tij janë aty. Nëse i bie rruga nga Mirdita, thotë se është mirditor. Dhe nëse kalon nga Shkodra për të takuar Abazoviçin në Podgoricë, ndalet te heronjtë e Vigut e thotë se është shkodran prej Vigu! Ka dashtë Zoti e nuk ka thënë se është hasjan!

Por ajo që unë besoj lidhet me faktin se të dy, Lumir Abdixhiku dhe Edi Rama, kanë të njërjtin padron. E ky padroni i tyre me shtetësi amerikane është me filozofinë e perversitetit, pra është kundër filozofisë së Ibrahim Rugovës. Se Sorosi është ndërmjetësi i lidhjeve midis Edit e Lumirit, këtë nuk ma ndryshon askush nga mendja. Por që t’i kundërvihesh themeluesit të Lidhjes Demokratike dhe të shtetit të Kosovës për një miqësi të tillë, këtë nuk e kisha pritur. Se shkojnë këto lidhje deri në peng marrje, kjo është jo vetëm e tepërt, por tagjitke për Lidhjen Demokratike.

Kryetari i Lidhjes Demokrarike ka shpallur një program të ri të partisë me emërtimin “Rruga e Re”! Ende nuk e dimë saktë se cila do të jetë kjo rrugë! Por rrugës do ta kuptojmë. Nëse është rruga e Krishtit, apo rruga “anti-Krisht”, pra rruga e përcaktuar nga Ibrahim Rugova, apo e orientuar nga aleanca me Edi Ramën! Lumiri thotë se i përmbahet aleancës me euro-amerikanët. Por edhe aleat i Ramës, pra edhe aleat i aleatit të mafies dhe të Aleksandër Vuçiq, edhe aleat i evropianëve dhe amerikanëve nuk mund të jesh! Ok! Aleat i prodhimit të Sorosit, që ka ndikim në Evropë e në SHBA, kjo po, kjo është e saktë! Fakti që marrëdhëniet forcohen me “anti-Krishtin” shqiptar të Tiranës, le shumë dyshime. Nga ana tjetër deklarata e Adbixhikut në Gjenevë të Zvicrës, duke u përcaktuar në të ardhmen e “harrimin e së kaluarës”, gjithnjë në emër të aleatëve, (Për mua në emër të Soros dhe Vuçiq), shkon në një linjë me idetë e kryeministrit të Shqipërisë. Askush nuk është kundër të ardhmes dhe të gjithë duhet të luftojmë për të. Por kjo nuk duhet të shërbejë si spekulim për të harruar gjenocidin serb në Kosovë. Abdixhiku duket se ka harruar edhe gjakun e dhjetëra aktivistëve dhe bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës, të cilët janë asgjësuar nga dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë. Nuk e kam dëgjuar të flasë për këta!

Nuk ka si ta shpjegojmë ndryshe marrëdhënien e ngushtë midis këtyre dy politikanëve. Edi Rama shkoi diku nga fundi i vitit 2013 në vizitën e tij të parë si kryeministër në Prishtinë dhe e injoroi tërësisht presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Injoroi LDK-në dhe kryetarin e saj. Isa Mustafa atë kohë pati kurajo dhe doli nga salla e parlamentit, kur Edi po fliste edhe për Rexhep Qosjen e idesë së ndarjes së Kosovës, por jo për atin themelues të shtetësisë së Kosovës, Ibrahim Rugovën. Edi Rama qëndroi 11 vjet në krye të Bashkisë së Tiranës dhe prej 11 vitesh është kryeministër e Shqipërisë. Pra ai ka 22 vjet në pushtet! Por nuk pranoi asnjëherë të ngrinte një përmendore për liderin e shquar të shqiptarëve, Ibrahim Rugova.

Ai e injoroi Rugovën në shenjë hakmarrjeje pse Gandi i Prishtinës nuk pranoi në dimrin e vitit 1991 të shkonte e të bënte homazhe te varri i diktatorit Hoxha. Është hakmarrje e nxitur nga nostalgjia dhe dashuria e Ramës për dajon e tij, Spiro Koleka. Ai e injoroi gjithmonë liderin historik të Lidhjes Demokratike, sepse kishte dhe ka në strategjinë e vet që përmes denigrimit të Rugovës të vendosë në piedestal mikun e vet të ngushtë, Hashim Thaçin. Edi Rama i ka dhënë çelësin e Tiranës Goran Bogdanoviç, ka hymnizuar në Nish dhe në Beograd Ivo Andriçin, Kosturicën dhe sa e sa banditë anti-shqiptarë të tjerë në Serbi. Por akoma nuk ka thënë një fjalë të mirë të atij lloji lavdërues për Ibrahim Rugovën.

Ndërkaq Lumir Abdixhiku, në cilësinë e “pasardhësit” të Rugovës, e ka Edi Ramën të ftuar nderi në veprimtarinë që do të zhvillojë me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat