Nuk besoj se ka shtet në botë që është në situatë të territ informativ ashtu si është Republika e Kosovës, pa asnjë gazetë ditore. Kjo është e pafalshme dhe e dhimbshme për Qeverinë, për Ministrinë e Kulturës, si dhe për oportunizmin e klasës intelektuale të Kosovës. Edhe në kohën më të vështirë para luftës, kur Serbia me dhunë i mbylli mjetet e informimit dhe i parandaloj botimin e gazetave, pjesa intelektuale e ish-gazetarëve dhe publicistëve të Kosovës arritën që kohë pas kohe të botojnë revista informative kulturore me mesazhe të qarta politike kundër pushtuesit me qëllim të ruajtjes së fjalës shqipe.
Tani po bëhen më shumë se tre vite kur ish-gazetat, të cilat botoheshin kohë pas kohe në Kosovë, janë shndërruar në portalet e cilat janë të paarritshme për shtresën intelektuale të moshuarve të cilët ishin faktorët kryesorë të zhvillimit të gjithëpërfshirës ekonomik, shoqëror, kulturor dhe politik të Kosovës. Përditë pyesin njerëzit, lexuesit, të cilët gjatë tërë jetës së tyre me pasion e kanë lexuar shtypin për të gjitha rrjedhat shoqërore.
Për këtë gjendje të territ informativ të shtypit ditore nuk qanë hallin askush nga institucionet e shtetit. Përgjegjësinë kryesore e mban Ministri i Kulturës dhe Sportit, Hajrullah Qeku, i cili është mbyllur në kafazin e kabinetit të Ministrisë duke shkëputur kontaktin me audiencën krijuese intelektuale si potencial dhe vlerë e shoqërisë kosovare. Ky Hajrullah Qeku, me veprimet e tija indiferente ndaj lexuesve dhe shtresës publicistike, po e injoron opinionin duke u sjellur "si pashai në pallat të sulltanit".
Veprimet e Ministrit të Kulturës, Hajrullah Qekut, tregojnë papjekurinë dhe papërvojën elementare të një ministri, i cili është zgjedhur Ministër për ta kultivuar dhe zhvilluar kulturën, informimin, sportin, artin, vlera këto të cilat i duhen popullit sikur uji dhe ajri. Ky ministër, po të ishte serioz dhe i përkushtuar për punën që bënë, do të kishte mundësi të gjejë forma, mënyra dhe rrugë duke dhënë iniciativa para Qeverisë për botimin e një gazete ditore, e cila është e nevojshme dhe e domosdoshme për lexuesit e Kosovës.
Kjo gjendje po i konvenon pronarëve të portaleve, të cilët përmes improvizimit e mbajnë gjallë gazetat, të cilat botoheshin më herët në Kosovë. Po të kishte koordinim ndërmjet Qeverisë, Ministrisë së Kulturës dhe pronarëve të gazetave (portaleve), shumë lehtë do të gjendej zgjidhja për botimin e një gazete ditore përmes participimit të Ministrisë së Kulturës dhe redaksisë të ndonjë gazete serioze, e cila ka potencial teknik dhe kadrovik për botimin e shtypit ditore.
Kjo që po ndodh tani i përngjan fillimit të shekullit të kaluar kur shqiptarët në vend të shkollës shqipe vraponin nëpër mejtepe të pushtetit otoman. Në fund më thotë mendja se kultura e një shteti, kombi, matet me shkallën e ngritjes të zhvillimit të informimit të qytetarëve që jetojnë në atë vend. Kjo do të ishte zhvillim i demokracisë dhe realizim i të drejtave universale që garantojnë ligjet ndërkombëtare.