Urgjentisht të hetohet, a ka edhe politikanë të Kosovës që janë spiunë të BIA-s?

Opinione

Urgjentisht të hetohet, a ka edhe politikanë të Kosovës që janë spiunë të BIA-s?

Nga: Faton Mehmeti Më: 5 qershor 2024 Në ora: 17:25
Autori Faton Mehmeti

Shërbimet sekrete serbe kanë ekzistuar dhe vazhdojnë ende të ekzistojnë në Kosovë, fatkeqësisht me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë. Nuk është befasuese, por falenderimi shkon për policinë e Kosovës që gjatë kësaj të mërkure vuri në pranga dy persona nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA). Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.

Kreu i BIA, në fakt, është Vuçiqi, i cili ka përdorur BIA si instrument për interesat e tij. Në fillim të vitit, kur protestat e opozitës tronditën Beogradin për vjedhjen e votave, Vuçiqi kishte hartuar plane për destabilizim të Kosovës për të tërhequr vëmendjen nga vjedhja e votave në zgjedhje, protestat, kërkesat për hetim ndërkombëtar, si dhe presionet ndërkombëtare në rritje në lidhje me veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, të cilat kulmuan me sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023 në Banjën e Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter policor, Afrim Bunjaku.

Edhe vetë specialisti i fushës për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, disa herë ka thënë se kontrollimi i serbëve të Kosovës bëhet edhe përmes shërbimeve sekrete serbe dhe aleatëve të krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht nga serbë etnikë. Disa herë edhe urimet ndërkombëtare të sigurisë kanë ngritur alarm për inskenime të rënda të planifikuara nga shërbimet sekrete serbe, për të vrarë ndonjë çift të moshuar në vendbanimet me shumicë serbe apo për të realizuar ndonjë sulm terrorist ndaj fëmijëve serbë, me qëllim të largimit të vëmendjes nga zhvillimet në Serbi, si dhe për të fajësuar Kosovën.

Të kujtojmë këtu rastin “Panda” i Pejës. Në atë kohë, në kafiterinë me këtë emër u vranë 6 të rinj serbë, e për këtë akt u fajësuan shqiptarët, ndonëse më vonë vetë shteti serb e pranoi se vetë Serbia e kishte kryer aktin. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të jenë më vigjilente karshi grupeve, shërbimeve sekrete serbe dhe atyre ruse që punojnë kundër Kosovës. Arrestimet e sotme janë vetëm maja e ajsbergut për sigurinë e brishtë të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat