Arrestimi i dy personave nën dyshimin se i kanë shërbyer BIA-s serbe “shokoi” qytetarët e Kosovës.
Të mërkurën në një aksion të institucioneve të sigurisë së Kosovës përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Prokurorinë Speciale dhe Policinë, janë ndaluar dy shqiptarë si të dyshuar për veprën penale-spiunazhe.
Të enjten Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.
Bedri Shabani, ish-doganier gjatë viteve të 90-ta e deri në vitet e para të pasluftës, dhe Muharrem Qerimi, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, akuzohen lidhur me përpjekjet e tyre për kriminalizimin e UÇK-së.
Ata dyshihet se kanë pasur kontakte të rregullta me oficerin serb të BIA-s, Serxhan Roshiq, i cili është përmendur edhe në dëshmitë e dhëna në Hagë.
Në vazhdimësi është përfolur e përmendur se Kosova është e mbushur me agjentë të Serbisë, por asnjëherë deri më tash (kur u arrestuan Shabani e Qerimi|) nuk kishte ndonjë arrestim apo fakt konkret.
Është mjaft e habitshme që edhe 25 vjet pas çlirimit Kosova nuk ka bërë Vetting në institucione, apo një ligj për lustracion, që do ta pastronte shtetin nga njerëzit me të kaluar kriminale, të cilët edhe tani i shërbejnë Serbisë dhe shërbimeve sekrete të saj.
Vetëm një proces lustracioni do të zbulonte dhe do të largonte nga institucionet shtetërore individët që i kanë shërbyer regjimit kriminal serb, e që edhe sot nëpërmjet veprimeve të tyre agjenturore vazhdojnë spiunazhin kundër shtetit të Kosovës.
Në Kosovë, diskutimi për një ligj të lustracionit mund të jetë i ndjeshëm dhe kompleks për shkak të periudhës së tranzicionit, por është i domosdoshëm.
Është mjaft e dyshimtë pse Kuvendi i Kosovës nuk qe i zoti asnjëherë të formonte një komision për hetimin e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), ani pse kjo ishte iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, vite më parë.
SHIK-u, ndër vite është akuzuar për vrasjet e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe veprime kundër atyre që e përkrahnin Presidentin Rugova në përpjekjet e për liri, pavarësi e demokraci. Vet LDK-ja apo një pjesë dërmuese e deputetëve të asaj kohe (viti 2018) ishin kundër themelimit të këtij komisioni.
Vrasjet nuk u zbardhën kurrë, vrasësit shijojnë lirinë, urdhërdhënësit shijojnë të mirat e shtetit, a nuk është e habitshme kjo?! Mbase këtë mund ta zbulojë vetëm Gjykata Speciale.
Aty nuk do të ketë nevojë për vota deputetësh e për kalkulime politike. Në speciale do të thuhet e vërteta, është shpresa jonë e fundit!
Sigurisht që një ligj i lustracionit do të ndërtonte besimin e qytetarëve në institucionet e reja të shtetit dhe do të ishte garanci se ata që i kanë shërbyer Serbisë nuk kanë më ndikim në procesin politik dhe në drejtimin e vendit.
Proceset politike nëpër të cilat kemi kaluar ndër vite, janë dëshmia më e fortë se si Kosova ka pësuar nga prania e agjentëve serbë. Mjafton këtu ta kujtojmë iniciativën për “shkëmbimin e territoreve” me Serbinë, që gjente përkrahje edhe në mesin e politikanëve të Kosovës.
Portali “The Geopost” ka publikuar një bisedë që pretendohet se është mes të arrestuarit për spiunazh, Bedri Shabanit dhe një pjesëtari të BIA-s serbe është zhvilluar më 25 shtator, një ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në bisedën e publikuar nga portali “The Geopost”, në një rast thuhet se “po presim që t’i vihet flaka dhe ne do t’i hedhim benzinë edhe më tepër dhe të reagohet nga të dy anët, sepse është një barrë shumë e madhe për ne që ta bëjmë vetë”.