E pranoi se gaboi me Rugovën, Kadare ishte i madh si njeri dhe si shkrimtar

Opinione

E pranoi se gaboi me Rugovën, Kadare ishte i madh si njeri dhe si shkrimtar

Nga: Faton Mehmeti Më: 1 korrik 2024 Në ora: 12:47
Autori Faton Mehmeti

Ky fillim i muajit nisi me lajmin e kobshëm të kalimit në amshim të shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjithë kohërave, gjeniut Ismail Kadare. Kadare ishte i madh jo vetëm si shkrimtar por edhe si njeri, dua të ndalëm tek një moment i vetëm për të ri-sjell në kujtesë madhështinë e Kadaresë. Tek raporti me Dr. Ibrahim Rugovën. Kadare e kishte kritikuar ashpër Rugovën në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, por shumë vjet më vonë, shkrimtari i madh me renome botërore, Ismail Kadare, e pranon se koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës.

Në vitin 2013, Kadare publikisht pranoi se “që e kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq”, ka shtuar ai.

Njerëzit e mëdhenj dinë të pranojnë gabimet, të vlerësojnë në kohë dhe të ndryshojnë mendimet. Kadare, mbetet ikonë e mendimit, vizionit dhe asaj që na bën ne të jemi krenar me vendin, gjenezën dhe traditën.

Mendimtar i fjalës së bukur, Kadare asnjëherë nuk ka ngurruar të flet për Kosovën, të pasqyrojë si askush tjetër mizorinë e regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

Para pak kohësh Kadare deklaronte se “Kosova është Shqipëri dhe një ditë e gjithë kjo trevë do të marrë emrin e vjetër të saj”, duke besuar se shqiptarët do të marrin atë që meritojnë. Ikja e Kadaresë është e pazëvendësueshme, veprat e tija do të mbetën momument i përjetshëm. Edhe si shkrimtar edhe si njeri ishte dhe mbeti i madh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat