Pak dashuri!

Opinione

Pak dashuri!

Nga: Kimete Berisha Më: 1 korrik 2024 Në ora: 22:08
Kimete Berisha

Po,

se ti vdes shumë kohë para se të të varrosin;

Përditë, ngapak,

Vdes.

Vdes kur të vdesin shokët e lojës,

Kur të humb shkëlqimi i syve,

Kur kapakët e syve të lëshohen si perde,

Dhe kur nuk dëgjon më muzikë melankolike

Vdes duke pritur të vijë dikush që as nuk e di kush është,

Dhe, duke e parë se si pleqëria jote bëhet qesharake për djemtë e vajzat që të shikojnë si një këngë e kënduar.

E ndjen vdekjen që të shkulë loçkën e zemrës kur pret me frikë të vdesin të dashurit e t'u,

Sa herë bie zilja.

Nganjëherë ëndërron ose të

vdesësh ti para tyre ose t'i vijë fundi asisoji që të vdisni të

gjithë përnjëherë,

që mos të

mbetet 'kush pas për të vajtuar,

Dhe, pastaj i harron të gjitha dashuritë, sepse e sheh veten duke vdekur,

përditë

ngapak.

Më së shumti vdes kur fillojnë të të vdesin kujtimet.

E sheh me sytë e t'u veten duke u tretur.

E harron veten për së gjalli por mërzitesh kur të shkon mendja se një ditë do të harrohesh nga të gjithë.

E harron fëmijërinë tënde,

e harron se si je dukur kur ishe i ri,

e harron dashurinë e parë,

ia harron emrin shokut të bankës,

shoku i burgut nuk të kujtohet a është gjallë a ka vdekur,

e harron rininë tënde lehtë, sepse gjjthmonë të është duket vetja i vjetër!

Kur të pyesin se çfarë ke dëshirë të hash - ti më nuk e di çfarë do.

Se,

a nuk është vdekje për

së gjalli,

Që vjen një ditë që duke pritur të bëhesh i pavdekshëm e harron edhe emrin tënd....

e harron edhe veten...

Kush jam -

dhe shkon derë më derë për të gjetur dikë të të tregoj se si të quajnë ty!

Cilin shkrimtar e ka shëruar lexuesi?

Vet shkrimi është lutje e shkrimtarit për shërimin e pikëllimit të tij.

Nuk e lexova asnjë fjalë të

bukur për shkrimtarin më

të mençur,

I mençur se nuk e thoshte asnjë fjalë të keqe për veten.

I mençur se me mjeshtri e redaktonte moshën e tij.

Nëse dikur ka menduar se 'dikush' është 'shkrimtar i keq', e redaktonte mendimin e tij të vjetër dhe e përtërinte me një mendim të ri, sipas rritës së tij mendore...

Dhe kështu duke i redaktuar mendimet e tij, pajtohej me armiqtë e së kaluarës, dhe shpeshherë ndodhte që 'armiqtë' ishin shkrimtarë të vdekur, që kritika as nuk i bënte më të mirë as më të mjerë.

Dhe, sidomos dashuria e tij ishte e mençur, që domethënë s'ishte fare asi dashurie e prapambetur dhe shkatërruese që ta djeg zemrën.

Dashurinë e kishte si vet që ishte, dashuri intelektuale.

Për shembull meshën, nuk e dashuronte me zemër si në poezi por e pëlqente me mendje

Se kur e do aq shumë meshën del nga poezia dhe shkon në kishë.

Kishte një dashuri aq të mençur për perëndimin, por jo dashuri që ta gërryen tokën nën këmbë , si ajo dashuria e përgjakur...

dashuria e tij nuk ishte këmbëzbathur...

E, as urrejtjen nuk e kishte ndjenjë, por mendim, prandaj kishte një urrejtje të ftohtë për pushtuesin.

E urrente pushtuesin osman por emrin e tij e mbante.

Pra, kjo urrejtje e tij për pushtuesin nuk kishte edhe aq e madhs që të të bënte t'i ndjeje mushkëritë duke dalë nga vendi për të lëvizur kah gjoksi...!

Gruaja e tij tregonte se ishte edhe dashnor i madh.

Ndoshta i madh - po, por jo asi dashnori që për shembull hyp në minare dhe në vend të ezanit e thërret emrin e të dashurës së tij.

Ai dashnori që i fshehur në mal qante me fundin e zërit të tij derisa e shikonte të dashurën duke ia çuar ndër varre.

Pra, gruaja e tij tregonte se ky vërtetë ishte dashnor i madh që donte t'i shëronte gratë e mërzitura nga jeta prozaike.

Thonë se janë do dashuri aq të mëdha sa nuk zbulohen kurrë.

Dhe, vërtetë nuk zbulohen kurrë, sepse nuk ekzistojnë.

Më duket si një dashnor pa dashnore!

Si shkrimtari më i mirë - pa lexues.

Dhe sot më së shumti po e qajnë ata që nuk e kanë lexuar.

Se ata që e kanë lexuar, kanë pritur të vdes që të marrin guxim të shkruajnë për të.

E të rinjtë nuk lexojnë libra.

Duket se ka qenë kaq zor ta duash!

Sepse, nuk mund ta duash atë që e adhuron.

Si Zotin!

E ai ka pasur adhurues por jo shokë.

Se sikur ta kishte pasur një shok, s'do të ndodhte që sot asnjë shkrim për të nuk është shprehje e dashurisë, askush s'flet për të si për një shok...

secili flet për si kritik letrar, pa e pasur as dijen elementare për letërsi.

E ka dashur Shqipërinë, shumë, ama Shqipërinë çfare nuk është,

Shqipëria në letërsi është e rrejshme si dashuria në jetën e përditshme....Ata heronjtë imagjinarë, dhe besa e shqiptarëve që mbeti legjenda më e madhe.

Se, Shqipëria moderne është primitive...

Paramendoje se si ka qenë Shqipëria primitive.

Ka qenë kjo që është sot: e prapambetur.

Ai ishte shkrimtari më i mirë, sepse dinte të shkruante më së bukuri.

Prandaj, më vjen kaq keq që pushteti i errët kujton se shkrimtari do t'ia ndritë fytyrën Shqipërisë.

Prona intelektuale dhe artistike është individuale.

Nuk ështtë shkrimtari pronë shtetërore.

Sa e sa diktatura e vende të paemancipuara kanë pasur dhe kanë shkrimtarë të mëdhenjë!

(Shkrimtari i moshuar nuk mund të

jetë edhe hero, sepse nuk ka heronjë

të moshuar).

Dhe kështu, pasi që e sheh se çdo gjë e jotja ka vdekur, vdes edhe ti vet.

Dhe e kam përshtypjen se mezi s'pret.

E Kryetari Akademisë së Shkencave të Kosovës i uroi shkrimtarit 'udhëtim të mbarë në amshim'.

Shkenca nuk e njeh amshimin!

- Prandaj....e shihni ju si paditurinë e madhe të 'intelektualëve' shqiptarë që i udhëheqin Institucionet e Dijes, nuk e mbulon Dija e pamatshme e Ismail Kadaresë.

P.S. 'Kronikë në gur' gjithmonë më është dukur aq magjike sa që kurrë nuk kam ditur t'i tregoj as vetes se pse më ka magjepsur aq shumë.

- Është një bukuri që të rrëshqet nga dora dhe nuk e gjen më.

- Një magji pa të cilën mund të jetosh!

- Është një bukuri pa mbiemër.

S'di çka është!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat