Kush është gruaja e hekurt e Evropës, Kaja Kallas, shefe e re e Komisionit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri..?

Opinione

Kush është gruaja e hekurt e Evropës, Kaja Kallas, shefe e re e Komisionit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri..?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 4 korrik 2024 Në ora: 20:58
Rexhep Elezaj

Grupi më i madh në Parlamentin Evropian ka nominuar kryeministren e Estonisë, znj. Kaja Kallas, për postin e shefes së re të Komisionit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, e cila do ta pasojë spanjollin Josep Borrell.

Znj. Kaja Kallas konsiderohet një politikane e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, e cila që nga viti 2014 e deri me 2018 ishte deputete në Parlamentin Evropian, si përfaqësuese e Partisë liberale të reformës estoneze, andaj ajo e njeh shumë mirë administratën e BE-së. Partia reformuese estoneze është pjesë e grupit të tretë më të madh në Parlamentin Evropian të Liberalëve.

Postin e kryeministres së Estonisë e mbanë që nga 26 janari 2021, ndërsa ajo ka lindur me 18 qershor 1977 (47 vjeç) në qytetin Talin të Estonisë, ka studiuar drejtësinë në Universitetin Tartu, është vajza e ish-kryeministrit të Estonisë, Siim Kallas.

Estonia është vendi i 13-të me radhë, i cili pavarësinë e Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2008 e njohu katër ditë më pas, me 21 shkurt, ndërsa marrëdhëniet diplomatike me Kosovën i vendosi me 24 prill 2008.

Konfirmimi i nominimit të kryeministres të Estonisë, Kaja Kallas, në krye të diplomacisë evropiane, është një lajm shumë pozitiv për Kosovën, posaçërisht në kontekstin e procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja.

Pra, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, sipas të gjitha gjasave do të jetë shefja e re e Komisionit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, e cila nga shumë analistë vlerësohet si një politiken e re dhe mjaft me ndikim, por edhe shumë kritike ndaj Putinit dhe Rusisë, për çka autoritetet ruse i kanë lëshuar flet-arrest, por edhe për shkak të qëndrimeve të saj tejet të fuqishme pro-Ukrainës.

Ajo në vitin 2010 iu bashkua Partisë Liberale të reformës estoneze, themelues i të cilës ishte babai i saj Siim Kallas, parti e cila qëndron fuqishëm në kursin e BE-së dhe NATO-së, ndërsa në zgjedhjet për Parlamentin Evropian me 2014, Kallas u zgjodh në Strasburg si deputete nga Estonia, ndërsa në vitin 2018 ajo u zgjodh kryetare e Partisë liberale të reformës në Estoni, kurse gjyshi i saj Eduardi, ishte një nga baballarët themelues të Republikës së Estonisë në vitin 1918. Pas studimeve për drejtësi në qytetin Tartu, Kallas punoi si avokate dhe karrierën e saj politike e filloi në moshën 33-vjeçare, kur në vitin 2014 u zgjodh delegate në Parlamentin Evropian për katër vite. Kaja Kallas është e njohur për qëndrimin e saj të ashpër ndaj agresionit rus në Ukrainë, si dhe për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 nga Rusia.

Kaja Kallas konsiderohet “Zonja e re e hekurt e Europës”, e cila në Konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih, citoi fjalët e historianit të njohur të Evropës lindore, Timothy Synder, “se një vend për t’u bërë më i mirë, duhet ta humbë luftën e tij të fundit koloniale”, se Rusia e Putinit duhet të humbasë luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për gazetën javore “Die Zeit” të botuar më 5 tetor 2023, Kallas u bëri thirrje vendeve të NATO-s që t’i japin çdo lloj armatimi ushtarak Ukrainës, ngase “paqja nuk është qëllimi ynë përfundimtar, veçse qëllimi ynë përfundimtar është që të sigurohemi që ajo që bëri Rusia me Ukrainën të mos përsëritet më”.

Bashkëpunimi bilateral i Kosovës me Estoninë ka filluar menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe atë në disa fusha, si në arsim, digjitalizim, etj., e cila e ka mbështetur Kosovën në arenën ndërkombëtare, si në liberalizimin e vizave, anëtarësimin e saj në KiE, etj., siç ka pasur edhe vizita reciproke në nivel të lartë shtetëror, siç ishte vizita në Estoni e presidentes V. Osmani, e kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjufca, e kryeministrit Kurti, vizita e z. Kristo Enn Vaga, kryetar i Grupit të Miqësisë Estoni-Kosovë në Kosovë, si dhe vizita tjera të nivelit më të ulët diplomatik.

Të urojmë se emërimi i znj. K. Kallas në postin e deritanishëm të z. Josep Borrell, do të jetë shumë më i favorshëm për Kosovën sesa deri më tani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat