E ndoqi Jugosllavia e Kralit, e vrau Shqipëria komuniste

Opinione

E ndoqi Jugosllavia e Kralit, e vrau Shqipëria komuniste

Nga: Xhevat Ukshini Më: 5 korrik 2024 Në ora: 14:52
Foto ilustrim

Lumi i jetës e vazhdon rrjedhën e tij. Me Viktor Kurtin që u pagëzua të dielën që shkoi stafeta kalon në duart e një brezi të ri të Kurtëve në Ferizaj. Ky fis përballoi stuhi të mëdha përgjatë një shekulli, por s‘u shua, qëndroi, ndaj dhe shohim pas kësaj shtrëngate të madhe një Kurt të vogël që merr sakramentet e pagëzimit. 

Viktor Kurti është fëmijë, por ai ka paraardhës që e nderuan qytetin dhe mbarë atdheun e tij, kështu që na obligon moralisht për t’i shkruar disa fjalë për më të shquarin e tyre: Shtjefën Kurtin. Ai u lind në Ferizaj me 24 dhjetor të vitit 1898 dhe u pagëzua po këtu para më tepër se një shekulli. Kalendarisht viti i lindjes së tij i përket shekullit XIX. Tanimë jemi në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit XXI. Në mes kemi shekullin dramatik XX, shekullin tragjik për kombin tonë, me ndarjen e madhe, dhe tepër tragjik për botën, me dy luftërat e mëdha botërore.

 Atëbotë, kur u lind i lumi dom Shtjefën Kurti, qyteti i Ferizajt bënte pjesë në një perandori të madhe me qendër në Stamboll, metropolin euro-aziatik, në Perandorinë Osmane. Në Luftën e Parë Ballkanike, Ferizaj “u çlirua” nga ushtria serbe dhe, sipas të drejtës së luftës, u bë pjesë e Serbisë, edhe pse banorët e tij ishin gati të gjithë shqiptar. Mori edhe një emër tjetër që zyrtarisht e mbanë ende sot, pa çka që në qytet nuk jeton më pothuajse asnjë serb. Megjithatë, qyteti i ruan dy emrat dhe Kishën e Shën Uroshit në oborrin e xhamisë së madhe në qendër të tij. Pas Luftës së Parë Botërore qyteti, ku u mbajt një kuvend i madh i shqiptarëve në vitin 1908 kundër pushtuesve osmanë, u bë pjesë e një mbretërie që quhej Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, më vonë thjesht Mbretëria e Jugosllavisë, pra e popujve sllavë të jugut, duke u kthyer kështu në një qytet të huaj për banorët e tij parak josllavë.

Kjo është në pika të shkurtëra historia e trazuar e qytetit. Në anën tjetër, në jetën individuale të të lumit dom Shtjefën Kurti ndodhën ndryshimet e pritura. Si katolik, bir i një familjeje besimtare ai u krezmua dhe kungua. Ai u rrit, por nuk u shkëput nga shkolla. Shkolla ia jepte konceptet dhe kategoritë themelore për ta kuptuar kaosin në të cilin ishte zhytur qyteti i tij. E çuan në Austri, për shkollim të më tejshëm. Që andej u kthye pas disa vjetësh si prift dhe për shumë vjet shërbeu në kishën e sotme katolike si famullitar, duke u kthyer, siç do të shohim më vonë , në engjëll mbrojtës të qytetit dhe të mbarë popullit të tij. Për një kohë ai punoi edhe si mësues i Shkollës Shqipe në Shkup dhe në atë të Ferizajt. Shkolla Shqipe e Shkupit dhe ajo e Ferizajt nuk janë shpikje të fantazisë kombëtariste, por ato vërtet ekzistonin. Për të parën ekziston së paku një fotografi, për të dytën ndoshta historianët duhet të gjurmojnë nëpër arkivat serbe ku me siguri ekziston ndonjë dëshmi e ekzistencës së saj. Bëhet fjalë për shkolla në kuptimin modern të fjalës ku punonte dom Shtjefën Kurti si mësues.

Tani një pasardhës i tij, Viktor Kurti, që hë për hë është shumë i vogël për t‘i mësuar e kuptuar të gjitha këto gjëra të ngatërruara që u thanë më sipër u pagëzua të dielën e fundit të qershorit të sivjemë nga famullitari don Mikel Sopi në të njëjtën kishë ku meshoi paraardhë si i tij i famshëm njëqind vjet më parë. Babai Dominik Kurti dhe nëna e tij Edvina Berisha që jetojnë jashtë vendit jo rastësisht e kanë zgjedhur pikërisht këtë kishë për ta pagëzuar të birin. Për familjen kjo kishë ka rëndë si të madhe, ajo është çerdhja shpirtërore e pazëvendësueshme për ta dhe, shpresojmë , e tillë do të bëhet edhe për fëmijën e tyre, Viktorin e vogël. Vendi ku jeton kjo familje ka shumë kisha, më të mëdha e më të bukura se kjo këtu në Ferizaj, por një Kurt mbetet i lidhur me këtë kishë përgjithmonë, pavarësisht vendit ku fati i jetës e hedhur të jetojë e punojë. Nuk quhet ajo kot “Engjëlli i Rojës”. Për një engjëll të tillë mbrojtës ka nevojë secili njeri në këtë botë të zhurmshme dhe me plotë ligësi. Viktori do të rritet një ditë dhe do t‘i mësojë të gjitha, një për një, por ai tani është shumë i vogël e supet e tij ende të dobwta  për këtë barrë të madhe e të rëndë që i lanë paraardhësit e tij. Pa asnjë dyshim një përgjegjësi tepër e madhe, por edhe një privilegj i jashtëzakonshëm.

Sidoqoftë, fakti që edhe pas një shekulli ekziston qyteti me shqiptarë, ekziston edhe Kisha “Engjëlli i Rojes” ku shumë kohë më parë jehoi zëri i famullitarit të saj dom Shtjefën Kurti dhe, në anën tjetër, Kurtët, si edhe më parë, vazhdojnë të jenë banorët e qytetit të Ferizajt, në trojet e tyre. Viktori i vogël është njëri nga fëmijët e tyre, i përket një brezi që po rritet pa ankthin e paraardhësve të tij. Kur të rritet edhe pak, ai do të mësoj se ka edhe të tjerë Kurtë jashtë Ferizajt.

Farmacisti Nikolin Kurti jeton në Tiranë, kurse vëllai i tij, mjeku Gjon Kurti, në Durrës, ku dikur ishte drejtor i Spitalit të Qytetit. Ata, para vitit 1990, administrata e shtetit dhe shumë njerëz të tjerë të afërt me të apo thjesht nga frika i shikonin vëngër për shkak të biografisë së tyre të keqe: quheshin armiq dhe trajtoheshin si të tillë, ngase jo vetëm xhaxhai i tyre me emër, dom Shtjefën Kurti, qe i burgosur dhe dënuar e i pushkatuar më vonë. Në burg shumë vjet i kaloi edhe i ati i tyre ose vëllai i të lumit dom Shtjefën Kurti. Për këtë degë të fisit Kurti jeta ishte tmerrësisht e rëndë.

Por edhe këndej në Jugosllavi për Kurtët jeta nuk ishte aspak e lehtë, sepse edhe këndej ata trajtoheshin si armiq. Ky ishte fati i Kurtëve atë botë në këto dy shtetet komuniste të Ballkanit, në Shqipërinë staliniste dhe në Jugosllavinë “liberale”, të pamëshirshme ndaj Kurtëve. Njëri shtet të nxirrte para togës së pushkatimit dhe s’të jepte as edhe një copë vend për varr, tjetri të trajtonte per se si armik, in abstracto, për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare. Mund edhe të mos ishte aktualisht armik i shtetit jugosllav, por potencialisht i tillë klasifikoheshe diku në zyrat e tij të fshehta. Një shekull të tërë shteti jugosllav ka bërë gjithçka që t‘i dëbojë Kurtët nga vatra e tyre. Dhjetwa  familje katolike ikën në këtë kohë nga qyteti dhe nuk u kthyen kurrë më. Megjithatë, në këtë qytet ende frymon tradita qëndrestare kurtizane. Kurtët ekzistojnë. Njëri prej tyre është Viktori i vogël që këtë fundjavë, siç e do rregulli dhe tradita, i mori sakramentet  e pagëzimit në kishën e “Engjëllit të Rojës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat