Beteja e Loxhës - siç e përshkruante kolonel Tahir Zemaj: “Beteja e parë frontale me serbët”, ktheu dinjitetin, vetëbesimin dhe krenarinë e loxhjanëve dhe Kosovës në përgjithësi

Opinione

Beteja e Loxhës - siç e përshkruante kolonel Tahir Zemaj: “Beteja e parë frontale me serbët”, ktheu dinjitetin, vetëbesimin dhe krenarinë e loxhjanëve dhe Kosovës në përgjithësi

Nga: Major Nazif Ramabaja Më: 6 korrik 2024 Në ora: 12:01
Major Nazif Ramabaja

Para njëzetë e gjashtë viteve pikërisht më 6 korrik ishte zhvilluar një ndër betejat më të lavdishme të luftës së fundit për çlirimin e Kosovës e cila në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë njihet me emrin “Beteja e Loxhës”.

Një ditë më parë në pikën kontrolluese famëkeqe Pejë Loxhë ishte keqtrajtuar brutalisht Tahir S. Shala dhe nga plagët e shkaktuara nga forcat policore-ushtarake dhe paramilitare-mercenare serbe i ndjeri nuk u kishte përballuar dhe i njëjti kishte vdekur.

Në orët e hershme të mëngjesit kontaktohet kolonel Tahir Zemaj nga kuriri të cilin e kishin dërguar shtabi rajonal i Loxhës se Loxha është sulmuar dhe kërkojnë ndihmë nga njësitet operative të vendosura në Isniq.

Kolonel Tahir Zemaj njëherit komandant i brigadës 134-të dhe përgjegjës për bërthamën e brigadave 131-të dhe 133-të me shpejtësi nxjerr urdhrin operacional dhe më fton në dhomën e tij duke ma shqiptuar atë urdhër, njiherit më njofton me situatën dhe kërkon që ta bëjë përzgjedhjen e njësitit intervenues në të cilën përzgjedhje ka marrë pjesë personalisht së bashku me heroin Salih Çekaj dhe pa humbur kohë të marshojmë drejtë Loxhës duke më thënë: ”Loxha duhet të mbrohet pa marr parasysh çmimin që do e paguajmë për te”.

Në dispozicion fillimisht ke këta dy epror mi shqipton emrat e Esat Ademajn dhe Faruk Xhemajlit, pa humbur kohë thërras këta dy eprorë i njoftoj për urdhrin e dhënë, kërkoj që të përzgjidhen ushtarë të cilët kanë përvojë në luftime të mëhershme dhe të rreshtohen para objektit në mënyrë që t’i njoftojë me detyrën dhe përgjegjësinë që kem para vet-vetes dhe Loxhjanëve sot.

Përzgjedhja u bë në mënyrë të përsosur, njësiti i rreshtuar para meje i njoftoi shpejt me urdhrin operacional, rëndësinë që ka ky intervenim për ne si njësi operative e Ministrisë së Mbrojtjes e Republikës së Kosovës-FARK-ut, e dekretuar nga komandanti i shtabit Suprem Ministri i parë i luftës kolonel Ahmet Krasniqi të cilët njohëm për komandant suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës Presidentin historik dhe arkitektin e pavarësisë së Kosovës Ibrahim Rugovën.

Njësiti u nis për t´iu dalë në ndihmë banorëve të Loxhës të cilëve u kanoset rreziku i masakrimit dhe nënçmimit nga armiku i cili kishte depërtuar në brendësi të fshatit Loxhë, banorët e kishin të pa mundur ti kundërviheshin këtij sulmi të furishëm.

Nga të gjithë të përzgjedhurit vetëm një ushtar s´kishte marrë pjesë në luftime, vërejta se kishte një dozë pasigurie dhe për këtë arsye e tërhoqa dhe njësiti filloi marshimin për në Loxhë, morali ishte aq i lartë sa që tanë rrugës deri në Zllapek këndonin këngën-Besa besë besën e kem dhënë, për Kosovë jetën kem me dhënë.

Për shkak të granatimeve të pa para deri më tani nga të gjitha anët nga armiku me një arsenal shkatërrues kamë qenë i detyruar që Zllopeku të jetë rejoni i vijës ndarëse në fazën e parë të ballafaqimit me forcat ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe në tri drejtime:

Drejtimi i parë qendra e fshatit xhamia-shkolla në drejtim të Pejës.

Drejtimi i dytë veri-përëndim ana e majtë në drejtim të Morinëve.

Drejtimi i tretë veri-lindje ana e djathtë në drejtim të aksit rrugor që shpie për Lugmir-Gorazhdec.

Në luftime ishin bashkangjitur edhe disa vullnetar nga fshatrat e Lugut të Baranit: Kodradiqi, Vranoci, Krusheci, Kosuriqi si dhe isniqi, broliqi, duboviku dhe Strelci, kujtoj ushtarin dhe më vonë përcjellësin tim Zymer Fak Sefaj i cili dha kontributin e konsiderueshëm gjatë betejës duke u konsultuar se n´ pozicione të sistemohej grupi i ardhur nga Kodradiqi dhe përcaktimit tim që ky grup të na bëjë të mundur ruajtjen e prapavijës në drejtim të fshatit Raushiq, në këtë mënyrë veproi grupi tërë kohën sa zgjatën operacionet, Zymeri ishte dhe mbetet koontribuesi më i madh i njësive operative gjatë dhe pas betejës së Loxhës.

Forcat tona fillimisht kishin pranuar të kalojnë në defanzivë, duke aplikuar taktikën e ”Kurthit” kem bërë përqëndrimin tek xhamia e fshatit në trajtimin e parë dhe kryesor ndërsa nga ana e djathtë dhe atë të majtën kem avancuar kështu që armikun e kem shti brenda në formë të patkonit me të vetmin qëllim që në goditjen e parë dhe të furishme ti shkaktojmë humbje të pa parashikueshme në mënyrë që në panik të dezorientohet, duke plotësuar kushtin kryesor për të kaluar në ofendime me të gjitha forcat dhe mjetet të cilat i posedonim atë ditë, duke na u bashkangjitur edhe forcat e shtabit lokal të Loxhës.

Pas depërtimit të njësive blinduese paralel me shkollën e fshatit Loxhë, tek varrezat e fshatit kam dhënë urdhër njësitit anti-tank me ushtarin Reshat Beqiraj që të hapin zjarr me të vetmin qëllim asgjësimin e mjeteve blinduese, posqërisht shenjëtarin i cili hapte zjarr pa ndërprerë me mitralozin 12.7 nga autoblidë.

Njësiti anti-takt konkretisht ushtari Reshat Beqiraj e ka asgjësuar shenjëtarin dhe mitralozin, gjë që autoblinda është detyruar të tërhiqet duke u zmbrapsur në drejtim të Pejës, ky ishte momenti më i volitshëm kur njësiti për intervenime të shpejta kalon në ofenzivë dhe pas disa orëve luftimesh kem larguar armikun nga fshati në drejtim të Pejës dhe Gorazhdecit, por që ju kanë ardhur përforcime të mëdha dhe lufta kryesisht ka vazhduar tek shtëpitë e malazezëve në trekëndëshin Pejë -Loxhë dhe Loxhë - Lugmir-Gorazhdec.

Në oborrin e shtëpive malazeze të cilat më vonë mësuam se kishte qenë bunker i njësisë speciale të sjellë në Kosovë nga Nishi pas luftimeve të ashpra plagoset rëndë eprori Faruk Xhemajli i cili ka meritat e veçantë në ballafaqimin me forcat serbe në drejtimin e parë dhe kryesor.

Lajmin për plagosjen e Farukut ma sjell Esat Ademaj të cilin e urdhëroj që sa më parë të tërhiqet Faruku ti jepet ndihma e parë dhe të dërgohet në spitalin ushtarak në Irzniq për shërim dhe ndërhyrje kirurgjike sepse kishte më se 6 plagë të marr në pjesën e poshtme të trupit.

Tërheqjen e Farukut e ka bë ushtari Sadik Berisha i cili më informoi për plagosjen e Sinan Shalës dhe së bashku me Sinanin edhe pse i plagosur edhe Sinani vet me ndihmën e Zenun Lulit fillimisht e kane tërhequr Farukun deri te oborri i shkollës, pastan me një veturë e kanë dërguar në ambulancën e Dubovoikut, më pas nga Duboviku kanë kaluar tek shtëpitë ku ishin të stacionuara njësitet operative, Faruku gjysmë i alivanosur i drejtohet komandantit Tahir Zemës: ”Komandant ushtarët në Loxhë i kem në rrezik ju duhet ndihma juaj”, pas kësaj faruku dërgohet në spitalin ushtarak të Irzniqit.

Përveç tërheqjes së Farukut dhe dërgimit në spitalin ushtarak kamë urdhëruar Esatin që ta informoj komandantin Tahir Zemajn për zhvillimet luftarake në Loxhë duke i kërkuar ndihmë si nevojë urgjente për ta asgjësuar dhe shkatërruar armikun dhe definitivisht Loxha të përforcohet me ushtarë dhe kuadër komandues të freskët.

Pas plagosjes së Farukut isha mbetur i rrethuar së bashku me ushtarin Enver Alaj dhe dy ushtar tjerë te shtëpitë-bunkerë të Vujoviqëve, por që kishim depërtuar deri te dera e hyrjes së njërës shtëpi, kur Enveri e shkelnim derën për ta hapur dhe hynë brenda në ato momente goditet në gjoks me pistoletë dhe është rrezuar në korridor, në atë moment kam tërhequr ushtarin tjetër Sadik Berishën pas detonimit të bombës së dorës M-75 duke e larguar jashtë korridorit.

Prapë kam deportuar për të komunikuar me Enverin për t’i dhënë ndihmë dhe eventualisht për ta tërhequ, por në ato momente është aktivizuar ekspozivi TNT në formë të shkrepsës, në shpejtësi të madhe brenda disa sekondave nga korridori kam hy në dhomën tjetër mjeti kanë eksploduar duke e shkatërruar derën e hyrjes në shtëpi nga forca e detonimit të trotilit TNT.

Isha i tronditur nga kjo ngjarje kthehem në Korridor tek Enveri por me keqardhje konstatoj se nuk kishte shenja jete.

Deri në këto momente forcat tona njësitet operative të Ministrisë së Mbrojtjes kishim një të vrarë (Enver Alajn) dhe tre ushtar të plagosur Faruk Xhemajlin, Sinan Shalën dhe Imer Elezajn, ndërsa armiku pësoi humbje të mëdha tre inspektor policor të vrarë dhe dhjetëra ushtarë dhe paramilitar, ndërsa të plagosur kishte mbi tridhjetë, bilanci ishte 1:10 në favor të forcave tona.

Me marrjen e kërkesës për ndihmë komandanti Tahir Zemaj në një afat shumë të shkurtë jo që zbarkon në Loxhë, por udhëheq njësitin intervenues personalisht, duke ju pri njësitit intervenues te pasdites me më se 150 ushtarë dhe epror ku personalisht i raportoi për zhvillimin e operacioneve luftarake deri në atë moment, komandant Tahiri mu drejtua me fjalë: ”Ramabaja a e largove shkuan nga Logja o Nazif Ramabaja”, përgjigjja ishte komandant Loxha u mbrojt dhe u ri çlirua, duke e informuar se ka ende elementet ë armikut në shtëpia-bunker të Vujoviqëve dhe se duhet pasur kujdes të veçantë në atë pjesë deri sa mos të pastrohet i tërë tereni.

Pas këtij raportimi komandanti Tahir Zemaj merr komandën dhe personalisht udhëheq me operacionet dhe zhvillimin e luftës së mëtutjeshme me fazën e dytë pastrimin e terrenit deri te dorëzimi i fshatit Loxhë tek forcat e shtabit Lokal dhe përfundimin e fazës së tretë.

Nën komandën e komandant Zemajt në luftimet e Loxhës ishim eprorët: Salih Cekaj, Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli, Fadil Hadergjonaj, Bajram Stojkaj, Farush Thaçi, Shaban Dragaj dhe protagonisti i këtyre rreshtave.

Në tentim të asgjësimit të armikut i cili ishte mirë i fortifikuar në shpija-bunker kishte marrë pjesë personalisht komandanti Tahir Zemaj Rrustem Bruqi, Fadil Hadergjonaj, Shaban Dragaj dhe autori i këtyre rreshtave të cilat shtëpi-bunker pas marrjes së tyre nën kontroll të forcave tona konstatuam se nga mbrendësia e podrumeve ishin hapur istikamet në drejtim të Pejës bërë nja 50-100 metra dhe nga atje bëhej furnizimi me forca të freskëta dhe armatim të cilin e konfiskuam në podrumet e shtëpisë.

Në Fazën e dytë të luftimeve bien heroikisht për të mos vdekur kurrë Rrustem Bruqi dhe eprori Lumni Surdulli të cilët ishin shembull i ngritjes së moralit dhe frikësimit të forcave të armikut duke ua shti frikën në palcë.

Pas rënies së Rrustem Bruqit komandanti Zemaj jep urdhër që të ndizet shtëpia-bunker e forcave speciale serbe, por nga ana e majtë sepse kishim frikë se mos po i ndërrohet trupi i Rrustem Bruqit ku mendonim se ështe vetëm i plagosur.

Oficeri i karrierës heroi Lumni Surdulli pas dhënies së urdhrit të komandantit Tahir Zemajt për asgjasimin e shtabit të forcave speciale serbe kalon në krahun e majte të shtëpisë-shtab pasi s`e përcakton drejtimin nga cili vend mund të veprojnë forcat speciale serbe, dritarja e shtëpisë-bunker dhe stallat e derrave në bahshqe në drejtim të Pejës.

Pas përcaktimit te cakut Lumniu merr në shënjestër me ambrus amerikan dhe po sa e lanson predhën në të njëjtën kohë e qëllon për vdekje një plumb snajperi dhe shtrihet përdhe, isha pas tij 4-5 metra në qysh të një objekti me oficerin e karrierës tash i ndjerë Shaban Dragën dhe dy ushtar më larg njeri prej tyre ishte Gani Gashi.

Kame hap zjarr rafalle nga automatiku në drejtim të dritares shtëpisë-shtab te forcave speciale dhe kamë urdhëruar që edhe të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë sepse tash duheshim ta tërhiqnim trupin e Lumniut, Gani Gashi i ka hequr do hekura nga një objekt afër (shitore) dhe nën mbështetjen e zjarrit e kanë tërhequr trupin e Enver Alajt me një ushtar tjetër deri te një vend më i sigurt.

E kem shtri horizontalisht në tokë dhe e kamë vu dorën në qafë për t’u siguruar se a po i punon pulsi, por s’kam mundur t’i vërej rrahjet e pulsit, kam kërkuar se a ka dikush ndonjë pasqyre dhe një ushtar e ka ofrua pasqyrën afër gojës së Lumniut për tu siguruar se a po mjegullohet pasqyra si shenjë se është duke marrë frymë, por edhe kjo ishte pa ndonjë shenjë pozitive dhe kamë urdhëruar që të bartet më tutje për në spital.

Heroizëm dhe trimëri të veçantë kishin treguar ushtarët Rexhë Osaj dhe Cuf Kurtulaj të cilët nën breshrin e armëve dhe nën komandën e komandant Tahirit ishin lajmëruar vullnetar për tërheqjen e trupave të pa jetë të Enver Alajt dhe Rrustem Bruqit edhe pse rreziku për tu qëlluar nga armiku ishte jashtëzakonisht i madh sidomos për tërheqjen e Rrustem Bruqit meritor kryesor është Rexhë Osaj në orët e vonshme të mesnatës se kontestoi faktin se i kanë dalë në ndihme disa luftëtar të fshatit Loxhe, por Rexha është protagonisti kryesor i tërheqjes së trupit të Rrustem Bruqit s´ bashku me një grup vullnetarësh Loxhjanë.

Pas marrjes nën kontroll të shtëpive-bunker e cila ishte pika e rezistencës së madhe dhe pastrimit të terrenit në orët e hershme të mëngjesit fshati Loxhë i dorëzohet shtabit lokal plotësisht i kontrolluar nga forcat tona, me këtë bëhet marshimi i njësive Operative të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës FARK-ut mbrapa për në Isniq nga dhe kishim filluar intervenimin një ditë më parë me të cilën përfundon faza e tretë, por ehe "Beteja e Loxhës.

Të nesërmen me nderime ushtarake dhe pjesëmarrjen e njësive operative, fshatarëve të Isniqit me rrethinë bëhet varrimi i Rrustem Bruqit, Lumni Surdullit dhe Enver Alajt, varrim madhështor ku i dhamë lamtumirën e fundit këtyre dëshmorëve të cilët ranë në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë.

Zoti i bekoftë heronjtë, dëshmorët dhe martirët.

Zoti e bekoftë Loxhën dhe Loxhjanët.

Zoti e bekoftë Kosovën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat