Që nga fillimi i emërimit të tij si shef i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell asnjëherë s’ka mundur të dal nga kostumi i shtetit të cilin e përfaqësonte. Duke qenë ish ministër i jashtës i Spanjës, vend ky që ende nuk e njeh Kosovën, Borrell s’mund të ketë qenë në favor të saj.
Në rolin e ndërmjetësuesit Kosovë-Serbi, nga zyrtarët e lartë të BE me forcë këmbëngulnin se z.Borell do të përfaqësojë qëndrimin e shteteve anëtare të BE-së, fatkeqësisht s’ka qenë kështu. Me z.Borell dhe Lajcak, BE preku fundin e besimit tek ajo, pavarësisht se edhe më parë BE e kishte humbur besimin se mund të arrinte ndonjë rezultat në procesin e dialogut.
Për këtë shkak, kishte angazhim të fuqishëm të Amerikës, por edhe angazhim të fuqishëm tinëzar të Rusisë në këtë pikë, kjo bëri që BE të angazhohej më shumë, deri tani pa sukses, përkundrazi edhe ato marrëveshje të arritura nuk u zbatuan për shkak të ledhatimit të Serbisë.
Tani që fundi i Josep Borell po vjen, vet ky i fundit vlerësoi se gjatë mandatit të tij është bërë shumë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se përparimi në dialog kërkon guxim, vizion dhe vullnet politik të liderëve të të dyja palëve. Borell mund të thotë çdo gjë, mirëpo realiteti e demanton, dështimi është lamtumira që e përcjell njeriun që nuk arriti asnjëherë të jetë i besuar, neutral dhe i suksesshëm.