Pse Borut Pahor nuk mund të jetë ndërmjetës në bisedimet Kosovë - Serbi?

Opinione

Pse Borut Pahor nuk mund të jetë ndërmjetës në bisedimet Kosovë - Serbi?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 8 korrik 2024 Në ora: 13:52
Borut Pahor

Borut Pahor ishte për dhjetë vite (2012-2022) president i Sllovenisë. Ndërsa pas kësaj duket se nuk është i qetë me stofin politik post-presidencial. Ndaj dhe ka kërkuar e kërkon me ngulm të marrë detyrën e zotit Lajçak dhe të kryesojë si përfaqësues i Kaja Kallas ndërmjetësin në bisedimet Kosovë-Serbi. Të jem i sinqertë, fillimisht mendova shkurt: Sllovenët janë miqtë e shqiptarëve. Ata ishin në krah të Kosovës edhe në periudhën e ish-Jugosllavisë. Kësisoj, nuk ka gjë të keqe që një ish-president i këtij vendi të vihet në krye të dialogut të Kosovës me Serbinë.

Por sa më shumë kohë kalon, aq më shumë vjen zhgënjimi nga ai. Me deklaratat e tij, Pahor të kujton një histori të kohës kur Sllovenia shpalli pavarësinë dhe ushtria jugosllave shkoi atje. Televizioni slloven e pyeste një ushtar se çfarë po bënte aty pas shkurreve. Ushtari qëllon boshnjak përgjigjet me humor: - Ç’të them? Sllovenët po bëjnë sikur duan të shkëputen dhe ne ushtarët e APJ po bëjmë sikur nuk i lejojmë! Një perlë e vërtetë kjo për ta karakterizuar sot gatishmërinë dhe qëndrimin e ish-presidentit Borut Pahor.

Ndërsa rreket me ngulm e madje është qejfmbetur pse Lajçakut iu shty mandati deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, Pahor në një intervistë të këtyre ditëve thotë se “Asociacioni duhet krijuar nga ana e Kosovës”. Hedh po ashtu dyshime nëse qëndron ose jo Serbia pas aktit terrorist të Banjskës të 24 shtatorit të vitit të kaluar! Ndonëse ka muaj që trajnohet për ta marrë detyrën e ndërmjetësuesit midis Kosovës e Serbisë, ai ende nuk paska mësuar faktin se shërbimi sekret i Serbisë ishte ideatori, organizatori, skenaristi dhe regjisori i atij sulmi terrorist kundër Kosovës dhe policisë së saj.

Ndërkohë, nëse Pahor është i vendosur për t’i kërkuar Kosovës lëshime e kompromise, pra edhe për të mbështetur synimet serbe për territore, atëherë cila është risia që ai dëshiron të sjellë në dialog?! Dy muaj më parë kishte thënë se po përgatiste një draft të ri për dialogun. Mirëpo, nëse thelbin e tij e përbën krijimi i asociacionit nga ana e Kosovës, ku është e reja në atë draft?! Në majin e kaluar ai thoshte se do “ta rifreskonte” dhe do ta “ringjallte” këtë dialog të ngecur. Ndërkohë dëshiron që ta bëjë këtë me projektin e vjetër.

Në vitin 2021, pak muaj para fillimit të presidencës gjashtëmujore sllovene të Bashkimit Evropian (BE), në mediat boshnjake u shfaqën artikuj mbi propozimin e Sllovenisë për ri përcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e problemeve kronike në këtë rajon. Dhe emri i Pahorit u përmend në këtë kontekst si ‘sponsorizues’ i “non-paper”-it slloven. Nuk e dimë se çfarë ndodhi më vonë, sepse kryeministri slloven tha se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë “non-paper” të tillë.

Pavarësisht kësaj vetë Pahor në një bisedë të majit 2023 organizuar nga këshilli i Atlantikut, thoshte se “Zgjidhja përfundimtare (e konfliktit Kosovë-Serbi) do të varet nga Vuçiq, pra, nëse ai do të jetë në anën evropiane apo ruse. Nëse ai vendos të shkojë me Rusinë, nuk do të ketë zgjidhje të mirë për çështjen e Kosovës. Nëse vendos për në anën evropiane, herët apo vonë do të ketë një kompromis të mirë, i cili do t’i sigurojë Kosovës pavarësi formale diplomatike”. Edhe në këtë rast kërkonte themelimin e asociacionit.

Ndërkaq prej më shumë se një viti në Kosovë e në rajon kanë ndodhur ngjarje, të cilat e dëshmojnë se Aleksandër Vuçiq vijon të jetë i kompromentuar keq me regjimin diktatorial të Vladimir Putin. Gjatë kësaj kohe ndodhi Banjska, ndodhën sulmet serbe kundër KFOR-it, manipulimi i zgjedhjeve, krijimi i qeverisë kukull të Moskës në Beograd. Që do të thotë se Vuçiq është plotësisht në anën e Vladimir Putin. Ndërkohë Pahor akoma rri në ëndrrën e bukur, se Serbia do të jetë me aksin euro-atlantik. D.m.th. nuk ka kuptuar se ajo nuk shkëputet nga Rusia. Në këto kushte Pahor na del si kopje e Escobar dhe madje më shumë se kopje e Borrell dhe e Lajçak. Atëherë pse do të duhet që ai të vihet në krye të dialogut Kosovë-Serbi, derisa e thotë vetë se kjo varet nga kursi i Vuçiq?! Vjen për “një zgjidhje të keqe për Kosovën”, siç e thotë vetë?

Duket qartë se Borut Pahor është besnik i asaj që ndodhi në gusht të vitit 2018 në Alpach të Austrisë, kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shpallën kompromisin e madh të ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, por “pa krijuar një shtet monoetnik”, thoshte Thaçi. Pahor ishte në panel dhe dukej qartë se e shihte me simpati një kompromis të tillë. “Non-paper”-i i tij na çon te përfundimi se Pahor do të jetë një Frederica Mogherini që nxit dhe pajton palët (më saktë Kosovën) për t’i dhënë territore Serbisë.

Prandaj duhet kundërshtuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës ardhja e Borut Pahor si ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat